Me Interin duket se shkëndija nuk është ndezur kurrë, ndërkohë që me Danimarkën, të dielën në mbrëmje ka shkëlqyer. Kristian Eriksen është një rast i çuditshëm duke parë se me kombëtaren e tij jo vetëm shënoi golin e 2-0 ndaj Islandës, por luajti edhe ndeshjen jubilare, të 100-të për nordikët, por në Milano është hija e shëmtuar e vetvetes.
Blerja 20 milionë euroshe e bërë në janar të këtij viti nga Interi dhe i kërkuar me ngulm nga trajneri Antonio Konte, nuk po arrin që të hyjë në mekanizmat e “Gjeneralit”, ndonëse duke parë rastet me COVID në ekip dhe skualifikimin e Sensit, ndoshta shanset që Eriksen të luajë titullar në derbin e Milanos janë të mëdha. Gjithsesi, edhe kjo ndeshje duket se është thjesht një rastësi, të paktën duke lexuar atë që garanton uebsajti italian, “calciomercato”.
Mesa duket, Interi ka provuar që ta shesë në merkaton e sapombyllur. Madje, vetëm klubi zikaltër pranoi se lojtari ka refuzuar 3 oferta. Njëra njihet tashmë, ka qenë e Dortmundit, por këta të fundit nuk kanë pranuar shkëmbimin me Emre Xhanin, e kërkuar nga vetë Konte.
Ndërkohë, dy ofertat e tjera mesa duket kanë qenë të Milanit dhe të Juventusit. E bujshme sigurisht, por Interi edhe pse ka parë milionat që t’i vihen në tavolinë, nuk ka dashur t’ia shesë “kushërinjve” dhe “Zonjës së Vjetër” fantazistin danez. Milani, mësohet se ka vënë në tavolinë formulën e huazimit me detyrim blerje për 25 milionë euro, nisur ndoshta edhe nga fakti se po hasin shumë vështirësi në bindjen e Hakan Çalhanoglusë, për të rinovuar kontratën mes tyre.
Juventusi ka ofruar 7 milionë euro për huazimin dyvjeçar dhe 25 të tjera për shlyerjen e Kristian Eriksenit. Por ndonëse oferta ka qenë tunduese, zikaltrit nuk kanë dashur që t’ia shesin kurrsesi bardhezinjve, për të mos forcuar një rivale direkte në luftën për titullin kampion.