Prapagrilosja e figurës së Gruevskit si politikan është korniza më e re e një pamjeje të cilën Maqedonia duhet ta fiksojë si motiv për galeritë e ardhshme të pushteteve
Nga Emin AZEMI
Në CV-në e Nikolla Gruevskit do të shtohet edhe një kapitull i pasur dhe nxënësit e ardhshëm mund të lexojnë nëpër libra se Maqedonia ka pasur një kryeministër dallaveraxhi që ka keqpërdorur pozitën zyrtare për favore personale. Ai u dënua dje me 2 vite e 6 muaj vite burg me akuzë për veprën “pranim të dhuratës në bazë të ndikimit të jashtëligjshëm”, lidhur me rastin e njohur “Tanku” që kishte të bënte me blerjen e një mercedesi luksoz rreth 580 mijë euro me para të buxhetit të MPB-së, në vitin 2012. Pra, prej dje historia më e re e Maqedonisë, përpos tundjeve lartë e poshtë rreth emrit, do të pësojë edhe një korrigjim në pjesët ku flitet për kontributin patriotik të Gruevskit në ndërtimin e Maqedonisë moderne, duke shtuar edhe disa pasuse që do të flasin për rolin e tij në rrënimin e këtij shteti. Është po ai politikan që më shumë se një dekadë instaloi në Maqedoni ideologjinë e tij – “gruevizmin”, pluhurin më të ngjitshëm në lëkurën e lagur me “rrëshirat” e një patriotizmi të kamufluar. Politikanët si Gruevski gjithmonë kanë ditur ta përdorin patriotizmin si dorëz higjienike për të përzier fëlliqësirat më të mëdha. Ai dhe të ngjashmit në këtë tranzicion të stërzgjatur pasuruan vetveten në emër të kauzave që ata i legjitimonin si popullore, ndërkohë që populli vazhdonte të varfërohej dhe për rrjedhojë ai shndërrohej në makinë të pavullnetshme që votonte me automatizëm.
Kështu arriti të ndërtojë “kallëpin” e tij prej lideri edhe Nikolla Gruevski, duke detyruar edhe të tjerët që të futen në këtë kallëp. Ata që nuk u futën në këtë kallëp, sot e udhëheqin Maqedoninë, kurse të tjerët ose alivanosen para Gjykatës, ose bëjnë parada opozitare në Parlament. Gruevski do të përgjigjet për një pjesë të dallavereve të tija financiare. Në sirtarët e gjykatave po presin edhe 5, 6 lëndë të tjera që e ngarkojnë atë me fajësi të trashë. Dhe ky është një lajm i mirë. Sistemi gjyqësor përfundimisht filloi të dënoj politikanë për vepra që lidhen me marrjen e pushtetit peng. Në këtë trashësi dosjesh kriminale do të gjejnë “hije” edhe shumë kriminelë të tjerë të pushtetit të Gruevskit, në mesin e të cilëve edhe disa që kishin pikëpamje të hapura raciste kundër shqiptarëve. Gordana Jankullovska do ta quaj veten të pafat që nuk arriti “t’i rrafshojë” shqiptarët për njëzetë e katër orë, mirëpo fatkeqësia e saj qëndron në favorizimin që iu bënte demonëve kur parashikonte politikën. Ajo bashkë me njerëzit me të cilët punoi, përfshi edhe shefin e saj Gruevskin, e kishin projektuar shtetin si një rezervat ku do të kultivoheshin instinktet e tyre primitive për të poseduar atë që s’iu takonte. Ajo që iu mungonte të tjerëve, ata e quanin pasuri familjare. Mafia ndryshe s’është. Ata, shtetit të tyre, Maqedonisë, ia morën kuptimin e marrjes me politikë të ndershme dhe instaluan hajdutokracinë në dëm të qytetarëve, në dëm të ardhmërisë, të cilën pretendonin se e kishin zaptuar si një grusht gjethesh në herbarium.
Degruevizmi as që ka filluar. Kryeministri Zaev ende po taktizon në betejat e tij politike në emër të njëfarë mirëkuptimi dhe pajtimi brendakombëtar. Në institucionet aktuale qeveritare ka plotë kuadro nga epoka e Gruevskit dhe disa madje janë bërë edhe këshilltarë të kryeministrit. Një dihotomi institucionale që mund të ketë kosto për vetë kursin e pretenduar të reformave që Zaevi është zotuar se do ti shpie deri në fund. Por të bësh reforma me bashkëpunëtorit e banorit më të ri të Idrizovës, tingëllon jo më pak naive. Kryeministri pajtimin më të madh brendakombëtar e ka bërë në momentin kur e ka mposhtur politikisht regjimin e Gruevskit dhe kur ka vendosur të projektojë një qeverisje reformuese. Gjithçka tjetër që mund të kuptohet si përpjekje për të amnistuar segmente të caktuara të regjimit të Gruevskit, do të ishte bumerang për vetë kryeministrin Zaev dhe një tallje me mbështetësit e tij.
Prapagrilosja e figurës së Gruevskit si politikan është korniza më e re e një pamjeje të cilën Maqedonia duhet ta fiksojë si motiv për galeritë e ardhshme të pushteteve. (koha.mk)