Në kuluaret evropiane gjithnjë e më shumë po përhapet mendimi se Bullgaria këtë nuk po e bën vet, por se prapa saj fshihen më shumë vende që kundërshtojnë procesin e zgjerimit, por që nuk deklarohen publikisht
Xhenur ISENI
Shkup, 15 qershor – Mbeten më pak se një javë deri te Samiti i Bashkimit Evropian, në të cilën do të shihet nëse presidenca portugeze ka arritur të “bindë” Bullgarinë që ta tërheqë veton dhe të mundëson fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Por duhet të theksohet se në kuluaret evropiane gjithnjë e më shumë po përhapet edhe mendimi se Bullgaria këtë nuk po e bën vet, por se prapa saj fshihen më shumë vende që kundërshtojnë procesin e zgjerimit, por që nuk deklarohen publikisht. Nga ana tjetër, gjatë periudhës së kaluar Sofja është nën presion të fortë amerikan përmes së cilës kërkohet nga autoritetet bullgare të mos pengojnë rrugën evropiane të vendit. Dëshmi se SHBA fuqishëm po kthehen në Ballkan, janë dhe paralajmërimet për vendosjen në listën e zezë gjithë personat që do të punojnë për destabilizim të rajonit, përfshirë dhe Bullgarinë.
Është evidente që Unionin Evropian e ka kapur sindromi i lodhjes nga zgjerimi, thotë politologu Deniz Memedi. Sipas tij, vendet lidere të BE-së publikisht nuk mundë ta shfaqin këtë dhe për atë arsye këtë punë po e kryejnë nëpërmjet vendeve “satelite” si Bullgaria. “Mirëpo lodhja nga zgjerimi po e gjeneron edhe lodhjen e përkushtimit nga vendet kandidate për UE. Kjo nënkupton që këto vende janë lodhur nga përmbushja e kërkesave te UE-se ndërsa në anën tjetër nuk kanë asnjë përparim për sa i përket procesit anëtarësues. Deri sa mundë të zgjasë ky përkushtim dhe a kanë alternative tjetër këto vende, mbetet çështje e diskutimit të qarqeve politike por edhe atyre akademike”, ka deklaruar për KOHA, Deniz Memedi, politolog.
Nga ana tjetër, politologu Marjan Vuçkoviq nuk beson se në gjithë këtë situatë ekziston një lojë me prapavijë duke pasur parasysh mbështetjen që po merr vendi në nivel ndërkombëtarë. “Mbështetjen e madhe që po e merr shteti në nivel ndërkombëtar nga fuqitë e mëdha, nuk aludon në faktin se ekziston një lojë me prapavijë në gjithë këtë situatë. Por ajo që duhej të ishte blof në fushatën parazgjedhore në Bullgari, u tregua si katastrofë për të dyja palët, në Bullgari duke humbur mbështetjen e opinionit, ndërsa në Maqedoni duke lënë në rend të pritjes pa mundësi për kthimin e pozicionit për shkak të mungesës së fuqisë politike nga qeveria teknike dhe mos mundësisë për reterim nga ajo që veçmë është thënë”, ka deklaruar për KOHA, politologu Marjan Vuçkoviq. (koha.mk)