Në Moskë nga data 18-15 prill po mbahet edicioni i 41 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, kurse me pjesëmarrje jashtë konkurrencës u paraqit edhe filmi “Pranvere e paharruar në fshatin e harruar” i regjisorit Kushtrim Bekteshi. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën KOHA, tregoi disa detaje rreth këtij festivali dhe pjesëmarrjes në të.
‘’Filmi ynë “Pranvere e paharruar në fshatin e harruar” është selektuar në programin zyrtar të festivalit, jashtë konkurrence. Filmi ynë në këtë festival pati premierën ndërkombëtare me datën 21 prill, ndërsa më 24 prill jepet përsëri.
Portali “Festival Film” e ka rekomanduar për publikun edhe filmin tonë në përzgjedhjen e 15 filmave që nuk duhet lëshuar pa i parë në këtë edicion të festivalit, e besoj kjo ka ndikuar që interesimi për ta parë filmin ishte shumë i madh. Premierën ndërkombëtare të filmit tonë (më 21 prill) e prezantoi para publikut dhe gazetarëve, selektorja e festivalit Eugenija Tirdarova, ndërsa pas premierës u diskutua për filmin, transmeton gazeta KOHA.
Pati interesim nga gazetarët dhe publiku, të cilët bënë disa pyetje rreth filmit’’, u shpreh regjisori Kushtrim Bekteshi.
Filmi është shfaqur i titruar në anglisht dhe rusisht. Festivali Ndërkombëtar i Filmit më Moskë është i kategorisë A.
Në linkun e mëposhtëm mund të gjeni informacionin për filmin “Pranvere e paharruar në fshatin e harruar”. (koha.mk)