Ashtu siç në vitin 2018 kur gjatë periudhës së verës u shtua numri i emigrantëve në Maqedoninë e Veriut, një situatë e tillë pritet të përsëritet edhe sivjet. Mbyllja zyrtare e Rutës Ballkanike në vitin 2016 nuk është arsye që shumë grupe emigrantësh të tentojnë arritjen në vendet e BE-së përmes vendit tonë. Kjo situatë më së mirë shpjegohet me zbulimet e fundit të MPB-së
Omer XHAFERI
Shkup, 3 maj – Ardhja e pranverës dhe përmirësimi i kushteve klimatike paraqet arsye kryesore se pse shumë emigrantë, kryesisht ato që qëndrojnë në kampet e refugjatëve në Greqi, tentojnë të futen ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut. Njohësit e këtyre zhvillimeve për gazetën KOHA theksojnë se për dallim nga viti 2016 dhe 2017, lëvizja e numrit të emigrantëve në mënyrë drastike ka rënë, shkruan gazeta KOHA. Aktivistja qytetare, Mersiha Smailoviq, thotë se prej vitit 2016 e këndej është regjistruar se shtimi i numrit të emigrantëve nëpër Maqedoninë e Veriut, ndodhë në periudhë kur koha është e ngrohët.
“Kontaktet tona që i kemi me shtetet tjera flasin se emigrantët për momentin më tepër e shfrytëzojnë rutën përmes Shqipërisë-Mali të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Për momentin numri i emigrantëve në BeH lëviz mes 3 deri në 4 mijë emigrantët. Përderisa ky numër në vendin tonë lëviz mes 10 apo 20 emigrantë”, thotë Smailloviq. Ndryshe, në orët e para të 1 majit, policia e shtetit, në rrugën Radovish-Shtip, e zbuloi tentimin për trafikimin e një grupi të emigrantëve. Sipas njoftimit të Ministrisë për Punë të Brendshme, një banor i Shkupit, në veturën e tij “Opell Astra”, kishte arritur të grumbullon 13 emigrantë. Pjesa dërmuese e emigrantëve në këtë rast kishin qenë nga Bangladeshi dhe Daka. Me automatizëm policia e të njëjtit, së bashku me shoferin e veturës i kishte arrestuar.
“Emigrimi nga Bangladeshi, India dhe Pakistani është po aq i vjetër sa emigrimi nga Ballkani drejtë BE-së. Mendoj se çdoherë ka ekzistuar ky lloj i emigrimi. Rasti i njohur është ndodhia te ‘Vreshtat e Rashtakut’, ku u vranë emigrantë nga Pakistani. Tash është më i përfolur për shkak të prezencës së policisë nëpër rrugë, asistencave të ndryshme e kështu me radhë”, shprehet për KOHA, Smailloviq.
Ndryshe, në fillim të muajit prill autoritet greke, pas shumë kohësh u ballafaquan me një protestë masive të emigrantëve (mendohet se rreth 60 mijë emigrantë ende qëndrojnë në Greqi) të cilët me dhunë tentuan ta kalojnë kufirin drejtë Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, në rrugën Udovo-Demir Kapija ndërroi jetë një emigrantë 27 vjeçar nga Banglladeshi, ndërkohë gjashtë të tjerë u lëndua. Kjo ngjarje ndodhi pasi që shoferi i kamionit i cili kishte tentuar të trafikon një grup emigrantësh ishte ndaluar nga policia. Nga frika se mos po kapet ai i kishte urdhëruar emigrantët të kërcejnë nga kamioni.
Shoqatat e qytetarë që merren me të drejtat e njeriut, mes tjerash shtojnë se në Maqedoninë e Veriut ende është e vështirë të fitohet e drejta e azilit. Kjo sipas tyre ndodh edhe pse në vendin tonë na ndërrim të pushtetit qendror. Sa i përket emigrantëve nga Siria, Iraku dhe vendet tjera të luftës nga vendet e Lindjes së Mesme, raportohet se është shënuar rënie, gjegjësisht një pjesë e këtyre emigrantëve kanë filluar të kthehen në vendbanimet e tyre. (koha.mk)