Kur dëgjohet se si flet e kërcënohet Ilir Meta me prerje dore(arsyetimin e ka te mbrojtja e votës), se si patrullojnë strukturat paralele të armatosura të Gazmend Bardhit(PD), e ndoshta janë përgjigje e bandave të Taulant Ballës së PS-së, atëherë në mbrëmjen e 25 prillit kur rezultati nuk do të jetë ai i dëshiruari, gjithçka mund të ndodhë
Nga Daut DAUTI
Matija Gubeci në Shqipëri në pranverën 2021… Me sëpata e sfurqe, për një kauzë! Prijësi i kryengritjes fshatare kroate, katër shekuj më vonë shpërthen në Shqipëri. Matija Gubeci dhe Ilir Meta ndoshta kanë diçka të përbashkët. Nëse jo tjetër, kroatët pretendojnë prejardhjen ilire, sikundër që Iliri i Metajve, edhe sipas emrit, i përket të njëjtit gjak. Tash dhe me të njëjtat mjete, me sëpata e sfurqe, në zgjedhje, në mbrojtje të votës. “Burrat e gratë e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet e sëpatat se po u prek një votë e vetme kështu do bëjë gjithë Fieri dhe Shqipëria me në krye Presidentin…”.
Fjalët burrash të Presidentit. Ilir Meta në fushatë. Një fushatë hermafrodite, bën fushatë për veten, pra edhe për një mandat të tij, edhe pse këto nuk janë zgjedhje presidenciale(të përkujtojmë, presidentin shqiptar e zgjedh Parlamenti!), apo mos bën argatllëk për të shoqen Monika, në krye të partisë së tij.(Që hap dilemën për një shemë mbretërore në LSI, nëse Mbreti(Iliri) është i zënë, fronin partiak të LSI-së e ruan “Mbretëresha”(Monika)…)
Fjalori Matijagubecian, e kthen Ilirin në një atavist të llojit të vet, por për një kohë të shkurtër, fluturon nga një radikal islamik që pret dorën për vjedhje vote, në një kryengritës fshatar me sëpatë e sfurk në dorë, për të njëjtin qëllim.
Por, përderisa ai ende gjendet në planin verbal, ata të PD-së tashmë ende pa u votuar, kanë marrë në dorë mbrojtjen e votës. Kanë “grupe për mbrojtjen e votës” dhe atë e mbrojtën të mërkurën në Elbasan, nga “bandat e Tulant Ballës”, të cilat i kanë zënë me kërpesh për dore duke blerë votat.
Diçka nga ajo që flitet, ende është fluide, ashtu siç e paraqesin në PD, por ajo që është e kapshme dhe tronditëse, në mbrojtjen e votës ata vranë një aktivist të PS-së dhe kjo e bën të tmerrshme “mbrojtjen”.
I vjen era 1997!
Sa shumë përmenden bandat, saqë shtrohet pyetja a ka ndonjë parti normale pa to?! Nëse PD-ja ka grupe për mbrojtjen e votës dhe ata janë të armatosur dhe kanë të drejtë(më saktë, i japin të drejtë vetes) që të ndalojnë njerëz dhe madje të vrasin, në vetëmbrojtje mbase, ashtu u shprehën në PD, në anën tjetër, PS-ja duhet të riaktivizojë ato komitete të famshme të shpëtimit të vitit 1997, nëse tashmë nuk i ka, po me tjetër emër! Ju kujtohen? Kush nga kush shpëtonin ato komitete?
Edhe 1997-tën ishte stinë e pranverës ajo që solli “acarin” në shpirtrat e lënduar të shqiptarëve. Një vit i mbrapshtë, siç do të shkruante Kadareja në roman të tij për një vit tjetër në një kontekst ironik. I mbrapshtë, në përkthim do të thotë kaotik. Na kujtohet, sepse s’ka as dy dekada e gjysmë. Unë pak më të përafërt e kam, sepse në mars dhe prill të atij viti isha atje disa javë dhe s’kuptoja asgjë. Nisi një përmbysje ëndrre që s’mund të zgjaste në pafundësi me përmbysjen e kursimoreve piramidale. Një revoltë qytetare iracionale në dukje, sepse ai që fut para në një kursimore jashtë sistemit bankar, duhet ta dijë edhe rrezikun. Por, revolta u drejtua kundër shtetit, sepse edhe shteti nuk ishte pa faj, e shtet atëherë ishte Sali Berisha që thoshte se “paratë shqiptare janë më të pastra në botë”. Pastaj iu përplas në kokë revolta gjithë popullore për paratë e humbura dhe pasoi tragjedia e madhe…e personifikuar në Zani Çaushat “shpëtimtarë” dhe komitetet e shpëtimit…I dogjën të gjallë policët në Vlorë, i morën armët në dorë, nuk kishte shtet.
Në Tiranë ato ditë takoja aktivistë të PD-së të cilët ishin të gatshëm të shkonin me grupe në jug për t’i qëruar hesapet me ato komitete kur e shihnin se policia e ushtria u shpartalluan. Shqiptarët në jug më kollaj lëshonin një zv.ministër grek (Kranidiotis, i cili më vonë humbi jetën në një aksident aeroplani), se sa shtetin shqiptar. Ishte kohë e ngritjes së tri gishtave, ngjashëm si ato tri gishtat e nacionalistëve e shovinistëve serbë që shkaktuan gjithë ato tragjedi në ish-Jugosllavi. Për këtë një ditë, në hotelin “Rogner” në Tiranë, në atë turbullirë ku qeni të zon’ë se njihte, e pyeta njërin nga opozitarët e zëshëm kundër Berishës, Paskal Milon, si e shikon këtë mënyrë të shprehjes së revoltës, duke ia bërë të qartë se po e rrënojnë shtetin shqiptar me një simbol serb(një aludim se faktorë të jashtëm armiqësorë kanë futur gishtat në revoltat antiqeveritare) dhe ai ma ktheu me një përgjigje relativizuese: “mos u kushto vëmendje, nuk është asgjë”.
Vërtet nuk ishte asgjë…shpërbëhej ushtria, policia e qeveria, kohë kur opozita që e përkrahu revoltën (ose më saktë, e kishte nxitur atë), ishte e gatshëm të paguante çdo çmim, madje të rrezikonte dhe shtetin, siç edhe e rrezikoi, vetëm të rrëzonte pushtetin…Njësoj, me një makiavelizëm kishte vepruar një vit më parë edhe Berisha, më mirë të cenojë të drejtën e votës, se sa të linte pushtetin dhe e nxori opozitën nga gara zgjedhore në asaj pasdite të votimit(22 qershor 1996) dhe i vodhimasovikisht votat.
Makijavelizëm që më ngjan me këto ngjarjet që po i shohim tash. Shqipëria është bërë shtet qe një shekull, e Kosova vetëm 15 vjet. Por në Kosovë më 14 shkurt u bënë zgjedhjet më shembullore, që jo vetëm Ballkani, por dhe Evropa ua pati zili, sikur të kishin traditë shekullore. Pa asnjë incident dhe pothuajse pa asnjë vërejtje dhe u ndërrua pushteti, me një kulturë të lartë politike.
Ajo që në Shqipëri nuk ka ndërruar që nga dita e parë e pluralizmit politik(mos të shkojmë në kohëra më të hershme kur shteti shqiptar mësonte abecenë e shtetndërtimit…), është se rivaliteti politik është kuptuar si armiqësi. Kjo armiqësi ishte kur Nano e Berisha ishin në krye të partive të tyre(viti 1997 ishte produkt i armiqësisë së tyre, edhe pse njëri e kishte futur tjetrin në burg), kjo nuk ndryshoi as kur bënin garë Berisha me Ramën (21 janari tragjik, rezultat i armiqësisë së tyre), as tash kur armiqësia është shndërruar në treshe, midis Ramës, Bashës, e Ilir Metës… Këmesat e tfurqit vetëm janë pjesë e fjalorit kërcënues, kur secila palë ka më shumë se fjalët si “armë” komunikimi, por kur legjitimohen organizmat paralele. Paralelizmi në kuptimin e “mbrojtësve” të shumtë që partitë politike i angazhojnë, siç ishte rasti më i ri, kur vrasësi i një grupi-fallangë partiake, merr drejtësinë në dorë, dhe vret për të “penguar” shitblerjen e votës, sepse këtë nuk e pengojnë institucionet.
Shqipëria, pas dy mandatesh të Edi Ramës do të duhej të bënte ndryshime. Ndoshta dhe ka pas gjëra të mira, por vetëm 10 për qind të akuzave ndaj tij të jenë të sakta, ai duhet të shkojë!(të paktën për obstruksionin e marrëveshjes detare të Salë Berishës, sepse me arbitrazhin ndërkombëtar, Shqipëria, me gjasë do të humbë më shumë det se me marrëveshjen e Berishës!). Por, kush duhet të vijë në vend të Edi Ramës?!…Dhe më kujtohet ajo fjala e Vacllav Havelit se më të këqij se komunistët janë vetëm antikomunistët. “Përkthyer” në situatën shqiptare, më të këqij se Rama janë anti-Ramistët, të cilët janë në gjendje me struktura paralele që ta përmbysin, e jo me votën e lirë…
Prandaj, kur dëgjohet se si flet e kërcënohet Ilir Meta me prerje dore(arsyetimin e ka te mbrojtja e votës), se si patrullojnë strukturat paralele të armatosura të Gazmend Bardhit(PD), e ndoshta janë përgjigje e bandave të Taulant Ballës së PS-së, atëherë në mbrëmjen e 25 prillit kur rezultati nuk do të jetë ai i dëshiruari, gjithçka mund të ndodhë. Sepse, liderët partiakë kanë investuar aq shumë emocione e para, , janë në gjendje të bëjnë gjithçka për karrierat e tyre politike. Madje dhe ta flijojnë vetë shtetin.
Vaj vatani, mjerë mileti…
Të shpresojmë që aktivisti i vrarë i PS-së në Elbasan, të mbetet viktima e vetme e këtyre zgjedhjeve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)