Tiranë, 6 dhjetor – Protesta masive e studentëve prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit detyroi Ministrinë e Arsimit të pranojë kërkesën e studentëve që u bë shkak për këtë protestë, heqjen e tarifës për provimet e mbartura. Por studentët u shprehen se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e të gjithë kërkesave të tyre.
Studentë në Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës e Shkodër bojkotuan mësimin, duke kërkuar rishikim të tarifave universitare. Për rreth gjashtë orë ata përsëritën kërkesat e tyre përpara Ministrisë së Arsimit.
Rruga e Durrësit u bllokua, ndërsa qarkullimi i automjeteve ishte i pamundur. Megjithatë studentët bënë dhe përjashtime. Pavarësisht thirrjeve për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit disa studentë zemërimin e shprehën me vezë dhe letra higjienike. Pak pas mesditës, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, mblodhi rektorët e dekanët e universiteteve dhe deklaroi, se neni 4 i VKM-së së qeverisë, që përcakton tarifë për provimet e mbartura, do shfuqizohet menjëherë, pasi ata vetë ta vendosin një gjë të tillë.
“Pas vendimmarrjes tuaj, patjetër që qeveria do të abrogojë këtë pikë të VKM-së së fundit. Pra do të hiqet neni 4 dhe nuk do ketë kosto shtesë për studentët përsëritës që mbartin provimet nga një vit i mëparshëm. Është i qartë si drita e diellit që qeveria nuk bën as ulje dhe as ngritje të tarifave të studimit. Janë universitetet ato që me strukturat e veta përcaktojnë tarifën e studimit, përcaktojnë kuotat për çdo program studimi dhe përcaktojnë kriteret e pranimit”, u shpreh Nikolla, njofton abcneës.al.
Edhe pas këtij vendimi studentët e universiteteve publike nuk kanë ndërprerë protestën. Ata kërkojnë gjithashtu përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe përmirësimin e kushteve të akomodimit të tyre.
Pas këtyre deklaratave vjen edhe reagimi i dyte i ministres së Arsimit. Ministrja Nikolla tregoi se ka marrë një kërkesë nga Këshillat Studentorë për 3 kushtet e tjera të vendosura nga studentët ndërsa paralajmëroi ngritjen e një grupi pune.
“Kam marrë një kërkesë nga Këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që thotë se për kërkesat 2, 3 dhe 4 të ngrihet një grup pune për Këshillat studentorë, ministria dhe universitetet. Jam dakord dhe besoj se kjo është rruga e duhur që ne të përmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të ndërtojmë një dialog, mbi të vërteta ku bordet e administrimit, Senatet e Universiteteve dhe çdo aktor tjetër të jenë në universitete, të bëjnë transparente dhe të debatojnë dhe me studentët për gjithçka që merret vendim për jetën universitare”, u shpreh Nikolla.
Studentët shprehen se do të përshkallëzojnë protestat deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre.