Shkup, 9 mars – Nëntëdhjetë ushtarë të rinj profesionistë, të cilët kaluan përmes procesit rigoroz të selektimit, i cili përfshin kontrolle mjekësore dhe psikofizike, të enjten në kazermën “Ilinden” në Shkup janë pranuar në shërbim të Armatës së Republikës së Maqedonisë. Gjashtë nga 90 ushtarët e sapopranuar janë femra, ndërsa njëra prej tyre do të jetë pjesë edhe e Regjimentit për operacione speciale. Duke i uruar ushtarëve profesionistë, ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski i porositi se uniforma e ARM-së paraqet krenari dhe prestigj për secilin qytetar të Republikës së Maqedonisë. Ministri i Mbrojtjes theksoi se këtë vit ARM-ja do ta shënojë ditëlindjen e saj të 25-të. “Të gjitha këto vite, nga fillimi e deri sot, me mund dhe me përkushtim e ndërtojmë Armatën, e cila do të jetë e gatshme për mbrojtje të integritetit territorial dhe kombëtar të Republikës së Maqedonisë dhe t’i kryejë të gjitha funksionet e tjera kushtetuese”, tha Jolevski. Me promovimin e nëntëdhjetë ushtarëve të rinj profesionistë në forcat speciale, siç tha ai, përmirësohet cilësia edhe e Regjimentit për operacione speciale. Në pritjen solemne të ushtarëve të rinj profesionistë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të ARM-së.