Shkup, 2 nentor – Prani e përforcuar e policisë është vërejtur para dhe brenda Gjykatës Penale në Shkup ku sot duhet të kumtohet aktgjykimi për ngjarjet në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, ku në maj të vitit 2015 gjatë përleshjes së Forcave të Sigurisë dhe një grupi të armatosur, jetën e humbën tetë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Maqedonisë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur.
Komunikacioni para gjykatës është rikahëzuar, ndërsa përkohësisht qarkullojnë edhe helikopterë të policisë.
Senaca gjyqësore në të cilën do të shpallet aktgjykimi është caktuar për në orën 10:30.
Aktgjykimi për këtë rast duhej të sillej më 17 tetor, por u anulua për shkak të zgjedhjeve lokale me kërkesë të MPB-së.
Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për të gjithë 37-të të akuzuarit për “terrorizëm” dhe “organizim terrorist”. Avokatët e të akuzuarve, nga ana tjetër, kërkojnë aktgjykime për lirim, pasi që sipas tyre ka mungesë të dëshmive për vepër të kryer penale.
Më 9 dhe 10 maj 2015, në lagjen e Trimave një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Nga të shtënat jetën e humbën tetë policë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur ndërsa u plagosën rëndë edhe katërmbëdhjetë policë të njësive speciale dhe të veçanta.