Mbi 80 përfaqësues të sektorit publik dhe privat nga Maqedonia dhe nga Suedia marrin pjesë në forumin e biznesit që filloi sot në Stokholm në organizim të Maqedonia 2025 dhe Ambasadës së Maqedonisë në Suedi.
Temë kryesore e diskutimit është prodhimi i energjisë prej burimeve të ripërtëritshme, ku Suedia është lider në botë për nga zhvillimi i qëndrueshëm, ndërsa Maqedonia ka potencial i cili duhet të shfrytëzohet. Në forum prezentohen strategji për zhvillimin e të a.q. qytete të mençura dhe industri për menaxhimin e mbeturinave, si dhe mundësi për bashkëpunim midis Maqedonisë dhe Suedisë.
“Qëllimi ynë është të kontribuojmë drejt involvimit më të madh të Maqedonisë në ekonominë evropiane, si dhe drejt bartjes së praktikave më të mira për zhvillim të qëndrueshëm të cilat Maqedonia mund t’i implementojë”, theksoi Xhon Bitov (më i riu), bashkëthemelues i MK 2025 dhe sipërmarrës nga Kanadaja me origjinë nga Maqedonia. Ai së bashku me ambasadoren e Maqedonisë në Suedi, Aleksandra Naqeva Ruzhin dhe drejtoreshën ekzekutive të Invest Stokholm, Ana Gisler e hapën forumin.
Organizata Maqedonia 2025 punon në lidhjen e profesionistëve të Maqedonisë dhe ekspertëve në sfera të ndryshme të cilët jetojnë në Evropë, si dhe promovimin e potencialeve për investim dhe bashkëpunim në Maqedoni. Ngjarje të tilla paraprakisht janë mbajtur në Paris, Vjenë, Toronto, Kolumbos, Çikago dhe qytete të tjera.