Shkup, 11 qershor – Zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Prajs, publikoi se SHBA-ja mbështet hapje të negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pa shtyrje.
“Mbështesim hapje të negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa shtyrje. Angazhohemi në nivelet më të larta në Qeveri, për ta demonstruar përkushtimin tonë drejt rrugës evropiane të vendeve aspirante”, ka shkruar Prajs në Tuiter.
Presidenti amerikan Xho Bajden, pardje lëshoi një urdhër ekzekutiv, me të cilin është zgjeruar fusha e masave emergjente për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë ngrirjen e pronave dhe ndalesën për hyrje në SHBA të personave që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe zbatimin e tyre dhe e minojnë paqen dhe bashkëpunimin rajonal. Urdhri i referohet edhe personave për të cilët, në konsultim me Departamentin e shtetit, do të përcaktohet se janë “përgjegjës ose bashkëpunëtorë, të përfshirë direkt ose indirekt në aktivitete ose politika që e kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti”. “në Ballkanin Perëndimor dhe i minojnë proceset dhe institucionet demokratike në rajon”.