Pragmatizmi klasik

15

Derisa pragmatizmi i Pirsit ishte një lloj mjeti për hulumtime filozofike, pragmatizmi i Djuit ishte mjeti ose programi për ristrukturimin e filozofisë dhe shoqërisë. Megjithëse do të ishte shumë reduktuese nëse pragmatizmin e shohin si të inicuar nga Pirsi, të ringjallur nga Xhejmsi, e të përsosur me Djuin, ajo çka vërejmë te këta themelues të pragmatizmit është temat e gjëra filozofike si, kuptimësia, e vërteta, njohja, vlera, përvoja, dhe edhe vetë natyra e filozofisë

Prej Çarls Sendërs Pirsit, Uilliam Xhejmsit, Xhon Djuit e deri te Riçard Rorti, pragmatizmi është forca dominante në filozofi për më shumë se njëqind vjet. Sot, fjala pragmatizëm dëgjohet dhe kuptohet, si diçka që ka të bëjë me një dëshirë për të arritur rezultate të mira, të frytshme, konsekuenca të favorshme. Megjithatë themeluesit dhe zhvilluesit e pragmatizmit si lëvizje filozofike, kanë shumë më shumë për të thënë për të. Në veprën “Meaning and Action” (1968), filozofi amerikan H S Thayer shkruan se “Pragmatizmi është një metodë filozofimi, shpesh e identifikuar si teori e domethënies ose kuptimit, së pari e nisur nga Çarls Sendërs Pirsi në 1870-at, e ringjallur si teori e së vërtetës në 1898 nga Uilliam Xhejmsi, e zhvilluar, zgjeruar dhe bërë e njohur nga Xhon Djui”.

Për Pirsin, “maksima pragmatiste” ishte metodë për kuptimësimin e fjalëve të vështira dhe koncepteve abstrake, metoda e Pirsit na tregon që mënyrë që t’i kuptojmë konceptet tona duhet të shohim çka prodhojnë ose çka rezultojnë në praktikë ato. Fjalitë dhe fjalët duhet të ekzaminohen në bazë të asaj që është e prekshme ose tangjibile në to, koncipimit praktik të tyre, në mënyrë që zhargoni i pakuptimtë metafizik të hiqet qafesh. Xhejmsi, përkundrazi, pragmatizmin nuk e shihte si zhbërës të metafizikës, por zgjidhje të problemeve metafizike. Përveq se të thirret në praktikalitetin e koncepteve, pragmatizmi është edhe në aplikimin pragmatik të këtyre koncepteve të shkëputura nga realiteti i prekshëm dhe praktik. Kjo edhe shënon ndarjen fundamentale mes teorisë të së vërtetës së Xhejmsit dhe atë të Pirsit. E vërteta dhe objektiviteti te Xhejmsi është “çdo ide mbi të cilën mund të lundrojmë, çdo ide e cila na bënë të mundur, prosperisht, të kalojmë prej një pjese të përvojës sonë në një pjesë tjetër, që i lidh mjaftueshëm dhe kënaqshëm gjërat, që punon sigurt, që thjeshton, që kursen mundimet tona, është instrumentalisht e vërtetë”.

Te Pirsi, e vërteta është ajo që s’mund të sulmohet, e kënaqshme, që s’ka nevojë të përmirësohet më shumë, që nuk zhgënjen në rezultat, që i bënë ballë sfidimeve të arsyes, argumenteve dhe dëshmive. Kur Xhon Djui futet në skenën e pragmatizmit, më nuk ka të bëjë me zhbërje të metafizikës e as zgjidhje të problemeve metafizike. Djui e socializoi mendimit filozofik. Për Djuin nuk ka esenca të pandryshueshme, të përjetshme në botë. Rishikimi i ideve morale dhe filozofike duhet të bëhet në atë mënyrë që ti shërbejnë si mjete për jetën tonë. Pragmatizmi i Djuit nuk zgjedh probleme, por vetëm tregon që programet filozofike jopragmatiste janë të pa zbatueshme.

Derisa pragmatizmi i Pirsit ishte një lloj mjeti për hulumtime filozofike, pragmatizmi i Djuit ishte mjeti ose programi për ristrukturimin e filozofisë dhe shoqërisë. Megjithëse do të ishte shumë reduktuese nëse pragmatizmin e shohin si të inicuar nga Pirsi, të ringjallur nga Xhejmsi, e të përsosur me Djuin, ajo çka vërejmë te këta themelues të pragmatizmit është temat e gjëra filozofike si, kuptimësia, e vërteta, njohja, vlera, përvoja, dhe edhe vetë natyra e filozofisë.