Homologu kosovar i Vuçiqit do të ishte Thaçi, por një i dyshuar nga Specialja, s’do të ishte mirë të ulet pranë Trampit. Por, Avdullah Hotit i ranë mbi supe të gjitha, edhe frustracionet e Albinit, edhe të arriturat e deritashme, me gjithë dyshimet, e Hashimit. Plus, me një bagazh të kryepushtetarit “jolegjitim”, sipas Albinit e Vjosës, kuptohet… A po bëhet Denghsiapingu i Kosovës, i dyti pranë Maos, që pati rol vendimtar në të ardhmen e Kinës?
Nga Daut DAUTI
Pas dy shtyrjesh, më në fund ndodhi takimi i shumëpritur në Uashington mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë. Nuk ishte Hashim Thaçi, përballë Aleksandar Vuçiqit, por kryeministri Avdulla Hoti. Albini s’kishte si të ishte, ai kaherë e kishte përjashtuar veten. I kishte ndenjur larg zjarrit. Gjykata Speciale “u kujdes” që të mos ishte edhe Hashimi, duke eliminuar kështu tërthorazi një përplasje institucionale e stilit “kush është më shefi”, presidenti a kryeministri. Homologu kosovar i Vuçiqit do të ishte Thaçi, por një i dyshuar nga Specialja, me imazh të dyshuar, s’do të ishte mirë të ulet pranë Trampit. Por, Avdullahit i ranë mbi supe të gjitha, edhe frustracionet e Albinit, edhe të arriturat e deritashme, me gjithë dyshimet, e Hashimit. Plus, me një bagazh të kryepushtetarit “jolegjitim”, sipas Albinit e Vjosës, kuptohet…
Por, a i përjeton Avdulla Hoti ditët më të ndritshme të karrierës së tij politike? A është qëndrimi dinjitoz sa për t’u krenuar me të si kryeministër edhe ndonjë kundërshtar i tij, siç është gazetari Milaim Zeka, e lere më ata të LDK-së, kuptohet, përveç Vjosës, e cila kahmoti i ka vënë ndonjë “X” të madh emrit të tij? A po bëhet Denghsiapingu i Kosovës, i dyti pranë Maos, me rol vendimtar në të ardhmen e Kinës? Le të jetë oxhaku u shtrembët, nëse e çon tymin drejt, s’ka gajle!
Si ta quajmë nënshkrimin e tij në Uashington në dokumentin “e zotimeve” (siç thotë VV-ja, Veton Surroi…), prej së cilës Kosova s’ka kurrëfarë dobie(VV), që e fut Kosovën në minishengen të një mini-Jugosllavie(këtë dikur e kanë thënë vetë Avdullahi e Isa bashkë, por që e thonë prapë në unison oponentët politikë? (Çështje tjetër është se përse mund të shpikin terma si mini-Jugosllavi dhe për këtë edhe më parë ta kenë sharë jo pak edhe Edi Ramën (i cili në një deklaratë të vetën ua ktheu shuplakën!), që nga Albini (paksa i rezervuar), Hashimi kategorik bashkë me dy frontmenët e përmendur të LDK-së). A bëri mirë me Avdullahi me Ujmanin, siç dështim ia quajnë VV-ja, apo marrëveshje për rritjen e kapaciteteve energjetike, që s’ka mundur Kosova ta arrinte Kosova vetë me Serbinë, pa Trampin në krahun e djathtë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë?
Ndër skeptikët që kanë dyshuar në marrëveshjen e shumëpritur dhe sidomos në agjendën e bashkëpunimit ekonomik që përfshin marrëveshja, do të kem qenë edhe vetë. Në një shkrim para atij takimi ku duhej të merrte pjesë edhe Thaçi, kur qe zbardhur nga RiçardGrenell se do të nënshkruhen marrëveshje politike, por aso ekonomike, pata thënë se kjo i ngjan një strategjie NGO(OJQ)-shë, të cilat në palët në konflikt shkojnë me një strategji të mbylljes së çështjeve të hapura para,duke krijuar opinion dhe duke relaksuar marrëdhëniet në fusha të ndryshme, për të ardhur te finalizimi. Kjo është një rrugë e gjatë, e kundërt nga dëshirat e shqiptarëve që Serbia tash dhe menjëherë ta njohë Kosovën, si qëllim i parë. Kjo nuk ndodhi në Uashington.
Krijohet përshtypja sikur Uashingtoni dhe Brukseli i kanë përzier prioritetet ose ndërruar rolet. Ajo që do t’i shkonte më mirë BE-së, përnjëherë si strategji e zgjodhi Amerika, e ajo që më së miri i shkon përshtati Amerikës, pra, imponimi me autoritetin e vet të zgjidhjeve politike, çfarë për Kosovën kanë domethënie të madhe, që nga epopeja e ’99-tës e gjera te shpallja e pavarësisë dhe krijimi i forcave mbrojtëse të Kosovës, ia ka lënë Brukselit. Si do të bashkërendohen këto dy çështje, do të shohim. A është kjo marrëveshja në Uashington uverturë që pas një viti të vijë njohja(gjithçka duhet marrë me rezervë kur është në pyetje Serbia), por gjithsesi, në momentin kur nënshkruan edhe një farë moratoriumi të ndërsjellë Hoti e Vuçiqi, për njohje e çnjohje, Kosovës i erdhi një nga njohjet më atraktive, ajo nga Izraeli(dikush do të shohë këtë si dardha ka bisht…po nejse), që ishte një diversion i papritur për serbët.
Çështja është se edhe një marrëveshje për të cilën duhej të kishte një farë uniteti, në Kosovë mungoi. Nëse për LVV-në ajo është një kurrnjisend marrëveshje, këtë doemos e ka për shkak se në pozitën e nënshkruesit nuk u gjet lideri i saj, Albin Kurti. LVV-ja mbase do të shkojë gjer në fund në kontestimin e saj, sepse duhet të gjejë alibi për ikjen nga tavolina e mëparshme kur ishte kryeministër, nga frika, siç qe shprehur prej thikave mbi hartën e Kosovës. Për fat të mirë të Kosovës e për fat të keq të tij, nuk u panë kurrfarë “thikash”. Dikush që është i mbarsur me ideologji të majta, mund dhe t’i ketë edhe si rezultat i paranojave që ajo ideologji ka krijuar me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Kësisoj, “Çavezi” kosovar bëri nga gabimet më të mëdha të karrierës kur refuzoi të shkonte, të paktën të informohej se çfarë përmbante projekti i Grenelit për normalizimin e marrëdhënieve. Tash kur s’u panë thikat, duhet t’i mëshohet “padobishmërisë” së marrëveshjes me çdo kusht, madje dhe me kërcënim se kur të kthehen në pushtet, edhe s’do ta ratifikojnë.
Çështja është mjaft interesante nga këndvështrimi i karrierave politike të dy figurave të rëndësishme të skenës politike kosovare. Avdulla Hoti, i cili ndonëse jo lider partie, i bie të jetë lider shteti, pa karizmin e Albin Kurtit, me shumë më pak demagogji e me më shumë pragmatizëm, ndaj dhe shumëkush nuk e konsideron politikan tipik, por një teknokrat të mirë, është në udhë që të shfrytëzojë gjithë kapacitetin e tij për kauzën e Kosovës dhe nëse i sjell dobi shtetit, edhe ta kapitalizojë edhe politikisht edhe në dobi të partisë së tij, pikërisht kur largimi eventual i Vjosa Osmanit, mund të krijojë copëtim të elektoratit. Mosgjeturia e qeverisë së tij me menaxhimin e pandemisë (krahasuar me Maqedoninë, që është shembull negativ në përmasa botërore, ka ditë kur përqindja e të infektuarve kundrejt testeve është mbi 50 përqind, në dallim nga Maqedonia, ku kj përqindje është nën 10!), ka të ngjarë që po kompensohet me rikthimin e përkrahjes amerikane, atë që e rrezikoi ta humbë dhe e humbi Albin Kurti. Me gjithë dilemat dhe ndonjë paqartësie lidhur me marrëveshjen e “paobligueshme” “të zotimeve”, Kosova mbetet në agjendën e interesave amerikane, pa të cilën zor se sot do të ishte shtet i pavarur. Në anën tjetër, mbetet puna e sizifit e Albin Kurtit, i cili jo vetëm që rrezikon të ardhmen politike(ai mund t’i fitojë zgjedhjet, por të mbetet i izoluar), por për më keq, rrezikon pozicionin edhe të Kosovës, nëse eventualisht vjen në pushtet me stilin konfliktual me amerikanët. Anëtarësia e LVV-së dhe simpatizantë të saj, si dhe disa analistë anti-LDK-istë, duke relativizuar rëndësinë e marrëveshjes, kanë luajtur në mënyrë të rrezikshme në rritjen e sentimentit antiamerikan në plan afatgjatë, sepse vaj halli për Kosovën, nëse një elektorat i madh si ai i LVV-së, vazhdon të kontaminohet apo indoktrinohet me këtë lloj sentimenti, i cili në vete përmban edhe sentiment të “natyrshëm” antiimperialist dhe motive fetare. Pas marrëveshjes së Uashigntonit, Grenelli nga largësia i dërgoi një shuplakë të nxehtë Albin Kurtit, duke i thënë se ti nuk je veç kundër meje, por ti ke qenë edhe kundër Obamës, edhe kundër Bushit, gjëra këto që duhet ta shtynë liderin e VV-së se në ç’drejtim do të ecë në të ardhmen, sepse ajo përkrahje amerikane, pikërisht ka vënë themelet e shtetësisë së Kosovës. Disa frontmenë të kësaj partie ose përkrahës të saj, do të thonë haptas “pse të lidhemi për një faktor”(duke aluduar në SHBA-të), ose “ne jetojmë në Evropë”, duke mos sqaruar më tutje se çfarë janë alternativat tjera.
Në botën bipolare, alternativat nuk është zor të supozohen, por çështja është, në cilin pol bie interesi i Kosovës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)