PPD DHE REZOLUTA PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE! Lidhja, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i partive politike shqiptare në Maqedoni me partitë politike shqiptare në Kosovë 1990 -1992 (3)

Në kuadër të masave që kohe u ndërmorën kundër shqiptarëve, duhet veçuar ekspeditat policore maqedonase në vendbanimet me popullsi shqiptare, siç ishte rasti i Dibrës, Ladorishtit dhe ai më tragjik, rasti i Bit Pazarit, ku policia maqedonase vrau 4 njerëz të pafajshëm: Safet Sejfullaun, Memish Sulejmanin, Shemsedin Ibrahimin dhe Viktoria Geshovskën, pastaj rrahu dhe maltretoi 170 qytetarë tjerë shqiptarë të pafajshëm ndërsa 84 të tjerë u dënuan për kundërvajtje

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Advertisements

Ndërkohë, më 28 prill të vitit 1992, në Prishtinë u mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues e partive politike shqiptare, në të cilën në mënyrë unanime u përkrahën zgjedhjet e para shumëpartiake në Kosovë, të cilat ishin caktuar të mbaheshin më 24 maj të atij viti. Në komunikatën e lëshuar nga kjo mbledhje thuhej: “Partitë politike shqiptare të Kosovës mbështesin rezultatet e Referendumit, me të cilin Kosova u shpall shtet i pavarur. Si shprehje e vullnetit politik të pjesës dërmuese të popullsisë së Kosovës, rezultatet e referendumit mbeten përcaktimi kryesor i punës së partive politike, të cilat edhe më tej, përkundër gjendjes së rëndë do të vazhdojnë realizimin e përcaktimeve me mjete paqësore dhe në rrugë demokratike”.

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të para shumëpartiake në Kosovë, u përshëndet nga partitë, shoqatat dhe asociacionet shqiptare që vepronin në Maqedoni. Në konferencën për shtyp që PPD-ja e mbajti më 6 maj 1992, zëdhënësi i kësaj partie, Mahi Nesimi, para të pranishmëve u shpreh: “Populli i Kosovës, e në të shqiptarët si popullatë shumicë, me anë të referendumit u përcaktua për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe këtë askush nuk mund ta mohojë. Prandaj, vetëm Republika e Kosovës dhe organet legjitime të saj kanë mandat për vendosje. PPD-ja përkrah edhe përshëndet vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të lira e shumëpartiake në Republikën e Kosovës si faktor i cili do ta hap rrugën e mëtejshme për zhvillimin e gjithmbarshëm e demokratik të saj…”. Ndërkohë, më 9 maj 1992, në Tetovë u mbajt Kuvendi vjetor i PPD-së, me ç’rast, edhe nga ky tubim, zgjedhjet e para shumëpartiake në Kosovë, u vlerësuan si të drejta dhe të domosdoshme. Në referatin kushtuar gjendjes politike e të sigurisë, vihej në dukje se “…në rrethanat e ndërlikuara që dominojnë në të gjitha ish njësitë federale të Jugosllavisë, veçmas në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni, PPD-ja bën përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e tërësishme të çështjes kombëtare…Shikuar nga aspekti politik dhe i sigurisë, kjo zgjidhje mund të zgjasë edhe një kohë më të gjatë përderisa Bashkësia Evropiane dhe qarqet tjera diplomatike nuk angazhohen drejtpërdrejt me të gjitha metodat që i kanë në disponim në zgjidhjen definitive të nyjës gordiane në Ballkan, çështjes kosovare. Është fakt se vetëm zgjidhja e drejtë e saj, përfundimisht do të kontribuojë edhe në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në hapësirën e Jugosllavisë…”.

Zgjedhjet e 24 majit 1992 në Kosovë, u përkrahën edhe nga partia tjetër parlamentare shqiptare në Maqedoni, Partia Demokratike Popullore, e cila me 7 maj 1992 lëshoi një komunikatë për mjetet e informimit, me të cilën ajo parti u sugjeronte zyrtarëve maqedonas që të ndërpresin praktikën e dezinformimit të opinionit ndërkombëtar në lidhje me të “drejtat njerëzore” dhe të “pakicave” kombëtare në republikë e në veçanti të “pakicës kombëtare shqiptare”, e cila sipas saj përbënte afro dyzet për qind të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. “…Pakicë apo shumicë, thuhej në komunikatë, le të vlerësojnë vetë zoti Maleski dhe zoti Fërçkovski, të cilët patën rastin të dezinformojnë Misionin e KSBE-së për të drejtat njerëzore, i cili qëndroi në Republikën e Maqedonisë. Zoti Malevski dhe zoti Fërçkovski, por edhe të gjithë ‘profiterët’ tjerë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, duhet ta dinë se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare – me Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe shqiptarët si shtetformues në Maqedoni, nuk do të ketë zgjidhje të krizës në Ballkan e më gjerë”. Në kuadër të kësaj, duhet shtuar se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, Kuvendi i PDP-së, miratoi një rezolutë me këtë përmbajtje: “Zgjidhja e çështjes shqiptare në hapësirën e ish Jugosllavisë duhet të bazohet në parimet e vetëvendosjes së popujve, e që në rrethanat konkrete nënkupton jetësimin e Republikës së Kosovës, kurse shqiptarët në Maqedoni dhe në republikat tjera ë ish Jugosllavisë, të jenë shtetformues”.

Ngjashëm sikurse PPD-ja dhe PDP-ja, zgjedhjet në Kosovë u mbështetën edhe nga dy partitë tjera jashtëparlamentare: Lidhja Demokratike Shqiptare – Partia Liberale dhe Partia për Aksion Demokratik – Rruga Islame, si dhe nga shoqatat dhe asociacionet e atëhershme shqiptare si: Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë, Shoqata e Historianëve Shqiptar në Maqedoni, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Bashkimi i Rinisë Demokratike Shqiptare etj.

Rëndësi të veçantë këtyre zgjedhjeve i kushtoi gazeta e vetme në gjuhën shqipe në këtë ish republikë jugosllave “Flaka e Vëllazërimit”, e cila asaj kohe dilte tri herë në javë. Kjo gazetë, përmes korrespodentit të saj në Prishtinë, Blerim Reka, informonte gjerësisht për të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet që u përkisnin këtyre zgjedhjeve. Vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kjo gazetë në mënyrë ekskluzive botoi intervistën e gjatë të kryetarit të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ndër të tjerave do të deklaroj: “…Duhet të insistojmë në opsionin tonë Kosova të jetë e pavarur, gjë që do të jetë e rëndësishme si për shqiptarët shumicë, ashtu edhe për serbët. Realizimi i një qëllimi të këtillë do të ishte i rëndësishëm edhe për shqiptarët në Maqedoni, si edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Ne kemi ndjekur këtë rrugë të vetëdijshëm se po të afirmohet Kosova, pozicionet e shqiptarëve do të jenë shumë më të forta edhe në rajonin e Ballkanit si dhe më gjerë…”.

Kjo gazetë, më 27 maj 1992 njoftonte se në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat u mbajtën më 24 maj në Kosovë, Dr. Ibrahim Rugova, me 99,5% të votave është zgjedhur president i Republikës së Kosovës, ndërsa, LDK-ja kishte fituar 96 deputetë, 2 deputetë i fitoi lista e kandidatëve të pavarur nga Ferizaj dhe Vitia, 1 deputet Partia Parlamentare e Kosovës dhe 1deputet SDA (PAD).

Këto zgjedhje, siç njoftonte korrespodenti i “Flakës së Vëllazërimit”, Blerim Reka, ishin vlerësuar si pozitive nga ana e vëzhgueseve ndërkombëtar: “..në raportin e vëzhguesve të Danimarkës, shkruante Reka, i cili iu dërgua Qeverisë daneze dhe Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, thuhet pos tjerash se duke filluar prej legjislacioni zgjedhor e deri te organizimi dhe mbajtja e tyre, zgjedhjet e Kosovës i plotësojnë të gjitha kërkesat elementare për zgjedhje demokratike, e njëkohësisht pakicave kombëtare u siguronin pjesëmarrje proporcionale…”. Zgjedhjet e 24 majit 1992 në Kosovë u përshëndetën edhe nga senatori i Belgjikës, Vili Kjupers, i cili në konferencën për shtyp që e mbajti më 4 qershor 1992 në sallën e Senatit, zgjedhjet e Kosovës i vlerësoi si “demokratike, legale dhe të organizuara jashtëzakonisht mirë”. Ai më pas foli për represionin serb në Kosovë, veçanërisht pas 24 majit, duke e veçuar vrasjen e Tahir Berishës në Leshan të Pejës dhe “armatimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë në mënyrë të haptë”.

Për sa u tha më sipër, mund të konkludojmë se, lidhja, bashkëpunimi dhe koordinimi i partive politike shqiptare në Maqedoni me partitë politike shqiptare në Kosovë, në harkun kohor qershor 1990 – qershor 1992, ishte tepër i ngushtë dhe vëllazëror. Ky bashkëpunim erdhi në shprehje veçanërisht pas formimit të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në territoret shqiptare të ish Jugosllavisë, në të cilën merrnin pjesë edhe PPD-ja dhe PDP-ja, si dy parti parlamentare në Maqedoni. Më vonë, duke filluar nga muaji korrik 1992, do të vërehet një zbehje të këtij bashkëpunimi. Tërë kjo erdhi si rrjedhojë e ndërhyrjes së shërbimit sekret maqedonas, UDB-ë, brenda strukturave të larta të PPD-së. Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 shkurt 1992 njoftonte Qeverinë e Maqedonisë, për disa aktivitete, të cilat kohët të fundit ishin vërejtur në mesin e popullsisë shqiptare, për të cilat kjo ministri dyshonte se bëhet fjalë për krijimin e njësive ushtarake. I njëjti burim, në mars të vitit 1992, përmes një informate konfidenciale, njoftonte Qeverinë e Maqedonisë, për një organizim ushtarak të shqiptarëve në Maqedoni, i cili veçmas kishte ardh në shprehje “pas realizimit të referendumit për Autonomi Politike e Kulturore të Shqiptarëve në R. Maqedonisë”. Nuk vonoi shumë pas kësaj, strukturat e atëhershme policore maqedonase e filluan një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi. Në kuadër të masave që kohe u ndërmorën kundër shqiptarëve, duhet veçuar ekspeditat policore maqedonase në vendbanimet me popullsi shqiptare, siç ishte rasti i Dibrës, Ladorishtit dhe ai më tragjik, rasti i Bit Pazarit, ku policia maqedonase vrau 4 njerëz të pafajshëm: Safet Sejfullaun, Memish Sulejmanin, Shemsedin Ibrahimin dhe Viktoria Geshovskën, pastaj rrahu dhe maltretoi 170 qytetarë tjerë shqiptarë të pafajshëm ndërsa 84 të tjerë u dënuan për kundërvajtje.

Në këto rrethana, një pjesë e mirë e udhëheqjes më të lartë të PPD-së (pjesa më e madhe e deputetëve) u tërhoqën nga opsioni për themelimin e Autonomisë Politike e Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, nën pretekstin se një kërkesë e tillë ishte në “dëmin” e vetë shqiptarëve. Për rrjedhojë, ata në bashkëpunim të drejtpërdrejt me një pjesë të ish udhëheqësve komunistë, siç ishin: Hysen Ramadani, Beqir Zhuta e disa të tjerë, të cilët tashmë vetëm se ishin involvuar brenda strukturave më të larta udhëheqëse të PPD-së, arritën ta bindin Kryesinë e PPD-së, jo vetëm që ta votoj Qeverinë e LSDM-së, në krye me Branko Cërvenkovskin, por edhe të jetë pjesë e atij koalicioni qeveritarë.

(Fund)