Nëse propozim-ligji pas debatit publik merr dritë jeshile nga anëtarët e Komisionit për financa dhe buxhet dhe më pas i dorëzohet Parlamentit për miratim, do të përfshijë të gjitha ato lëndë që janë në fazë të përmbarimit te përmbaruesit nga viti 2011
Zejnulla VESELI
Shkup, 3 korrik – Për herë të parë, deputetët e pozitës dhe opozitës bëhen bashkë lidhur më projekt-ligj mbi fshirjen e kamatave të borxheve të vjetra, të cilat tanimë janë si lëndë përmbarimi te përmbaruesit. Në debatin publik që dje filloi në Komisionin parlamentare për financa dhe buxhet, deputetët u shprehen se do ta përkrahin propozim-ligjin për fshirjen e kamatave të borxheve të vjetra ndaj kreditorëve siç janë kompania energjetike EVN, operatorët e telefonisë fikse dhe celulare, ndërmarrjes publike “Ujësjellësi”, si dhe operatorëve kablovike.
Deputeti Panço Minov theksoi se propozim-ligji është nënshkruar nga 72 deputetë të partive në Parlament dhe ka të bëjë më ndryshimin e proceduarve të reja ligjore, sidomos sa i përket ndryshimit të disa neneve të Ligjit aktual për përmbarim e që kanë të bëjnë më fshirjen e kamatave për të gjitha borxhet e mbetura nga viti 2011.
“Ky propozim-ligj do ta ketë mbështetjen e numrit më të madh të deputetëve si nga pozita dhe opozita, sepse bëhet fjalë për një problem që qytetarët e Maqedonisë po përballen që nga viti 2011, kur vendimet e gjykatave u transferohen noterëve dhe pastaj përfundojnë tek përmbaruesit. Ky proces i transferimit të lëndëve nga gjykatat së pari te noterët e më pas te përmbaruesit, ku viktima ende janë qytetarë të cilët janë përballur me kamata shumë të lartë dhe atë 10 herë më të lartë se sa borxhi bazë sidomos për lëndët gjyqësore që nuk kanë qenë në kohë të informuar qytetarët”, tha Minov.
Ndryshe, nëse propozim-ligji pas debatit publik merr dritë jeshile nga anëtarët e Komisionit për financa dhe buxhet dhe më pas i dorëzohet Parlamentit për miratim, do të përfshijë të gjitha ato lëndë që janë në fazë të përmbarimit te përmbaruesit nga viti 2011. Sipas propozimit-ligjit për fshirjen e kamatave, në nenin 7 parashihet të reduktohen për 50 për qind shpenzimet administrative të përmbaruesve, ndërsa faturat e mbetura të shërbimeve komunale si faturat e energjisë elektrike, ujit, faturat e mbetura të operatorëve të telefonisë fikse dhe celulare dhe operatorëve kablovik, si dhe ndërmarrjes publike “Ujësjellësi”, t’ju fshihen kamatat dhe të paguajnë vetëm borxhin bazë të mbetur.
Ky propozim njëherësh është përkrahur nga institucionet komunale që ofrojnë shërbime të ndryshme, ndërsa janë shprehur të gatshëm se nëse qytetarët paguajnë borxhin bazë të mbetur, atëherë ata këtë mund ta bëjnë pa kamata.
Pas miratimit të Ligjit dhe hyrjes në fuqi, qytetari që ka borxh të mbetur dhe në afat prej 15 ditëve dorëzon dëshmi deri te firma të cilës i ka borxh se ka paguar borxhin bazë, ndërsa firma është e detyruar që në afat prej 8 ditëve të fshijë kamatat dhe me shkrim ta informojë noterin dhe përmbaruesin se qytetari nuk ka borxh, kështu që menjëherë përmbaruesi duhet të ndërpret procesin e përmbarimit. (koha.mk)