Shkup, 16 janar – Është arritur pajtim midis shumicës në pushtet dhe opozitës rreth Propozim-ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave. LSDM i pranoi 20 prej 40 amendamenteve të parashtruara nga VMRO-DPMNE.
Deputetja e LSDM-së dhe koalicionit, Snezhana Kaleska – Vançeva theksoi se kanë qëndruar konsekuent në mbrojtjen e standardeve evropiane për vendosjen e mekanizmave efikase për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
“Prej 40 amendamenteve të cilat janë dorëzuar prej grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, gjetëm pëlqim për 20 amendamente të cilat janë në funksion të përforcimit të tekstit të disa dispozitave të caktuara dhe të njëjtat bashkërisht i parashtruam. LSDM nga fillimi qëndroi konsekuente për përforcimin dhe zgjerimin e kompetencave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe prej këtij angazhimi nuk hoqëm dorë. Çështja për shqyrtimin e drejtpërdrejt në llogaritë e bartësve të funksioneve shtetërore është mbyllur. KSHPK do të ketë të drejtë për qasjen e drejtpërdrejt në llogaritë bankare, por edhe në mbi 60 baza të tjera të të dhënave. Nuk u lejua vendosja e sistemit paralel, gjegjësisht organ i cili ishte propozim nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, përmes kërkesës për formimin e këshillit kombëtar”, tha Kaleska – Vançeva.
Deputetja Ane Lashkoska e VMRO-DPMNE-së nga ana tjetër, tha se pranimi i amendamenteve është tregues se grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk ka për qëllim të bllokojë procese të tilla kryesore, por ka qasje serioze për të vepruar për përmirësimin e të gjitha proceseve të cilat zhvillohen në shoqëri.
Euroambasadori, Samuel Zhbogar në një intervistë për televizionin “Telma” theksoi se shpreson se Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjen e interesave, për të cilin është duke u debatuar në Kuvend, do të sjellë pak freski në luftën kundër korrupsionit, pasi, siç theksoi, Komisioni për Antikorrupsion është shumë i rëndësishëm, duhet ta fitojë fuqinë dhe autorizimet të cilat pasojnë, të marrë resurse dhe ekspertë të cilët do të merren me pronën e politikanëve dhe do të hetojnë nëse disa politikanë janë më të pasur se ajo që realisht e fitojnë.
“Mendoj se ky komision është shumë i rëndësishëm, nuk funksion për shumë muaj dhe me të vërtetë me padurim presim që ky ligj të hyjë në fuqi dhe komisioni i ri të fillojë me punë sa më parë që është e mundur. Do të thotë kjo është një fushë ku ndoshta do të shohim luftë më të madhe kundër korrupsionit, kundër funksionarëve dhe politikanëve. Dhe kuptohet, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Publike duhet më shumë të fokusohen në luftën kundër korrupsionit tek politikanët pavarësisht se prej cilës parti vijnë nga pozita apo opozita”, tha Zhbogar.
Në ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për nesër në orën 16 e caktoi vazhdimin e seancës së 80-të në të cilët do të debatohet për Propozim – ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjen e interesave në procedurë të shkurtuar, me flamur evropian. Për diskutim janë paraqitur disa deputetë.