Stadiumi Luzhniki i Moskës është vendi i mundshëm për meçin e planifikuar të Alexander Povetkinit kundër kampionit të botës, Tyson Fury, sipas Andrey Ryabinskiy, promotorit të boksierit rus.
Povetkin synon ta mbrojë statusin e sfiduesit mandator për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë, WBC – i cili mbahet nga Fury – në një rimeç kundër Dillian Whyte më 21 nëntor, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.mk.
Boksieri veteran rus e tronditi boksierin britanik Whyte duke e nokautuar, me ç’rast ia prishi planet për të luftuar kundër Fury për titullin në WBC.
I pyetur nëse Povetkin synon të luftojë kundër Fury, Ryabinskiy tha për Sky Sports: “Po punojmë në këtë drejtim. Lufta për titullin e botës është një ngjarje e madhe në karrierën e çdo boksieri dhe natyrisht se ne do të kërkojmë një mundësi për titullin në WBC”, shtoi ai.
Stadiumi i Moskës, i cili i ka 80 mijë ulëse, është ndër vendet e mundshme ku mund të zhvillohet meçi. “Pse jo? Ky është ndër vendet e mundshme”, shtoi ai.