Nga Milazim KRASNIQI
Lexova, ndonëse pa ndonjë vullnet, disa reagime në Facebook lidhur me festimin e festave jomuslimane nga ana e muslimanëve, të nxitura nga një tekst shumë përmbajtësor i dijetarit shumë të talentuar Rezart Bekës. U mërzita nga fakti që aso qëndrimesh të palogjikshme përsëriten, pa u eliminuar asnjëherë “sprovat e gabueshme”, sikundër i emërton Karl Poperi, gabimet në procesin e kuptimit/zbulimit të së vërtetës. E pra, “sprova të gabueshme” janë thirrjet në disa dijetarë të shekujve të largët, si gjoja argument edhe për këtë debat. Si është e mundshme të mendohet se disa dijetarë të kohëve të largëta mund të kenë ditur më mirë se sa ne për realitetet dhe sensibilitetet e kohës në të cilën ne jetojmë e për të cilën ata as që kanë mundur të imagjinonin?
- Të gjithë ne muslimanët që i përkasim kësaj hapësire gjeografike shqiptare dhe kësaj gjeokulture evropiane, me këtë kalendar e mbajmë evidencë jetën tonë, që nga lindja e deri në vdekje. Secili prej nesh. Prandaj, do të ishte hipokrizi po qe se gjatë tërë vitit orientohemi me këtë kalendar e vetëm në një ditë, në ditën e fundit të vitit, e mohojnë realitetin se administrohemi me këtë kalendar.
- Kalendari diellor, bashkë me atë hënor, si edhe gjatësia e vitit prej 12 muajsh, janë të shpallura nga Zoti i Botëve, në Kuranin famëlartë. Pra, matja e kohës me kalendar diellor është matje e lejueshme nga Zoti.
- Viti i ri ndër ne nuk është festë fetare. Është festë shtetërore. Administrata shtetërore shpall ditë feste dhe pushimi dhe shtetasit detyrohen ta respektojnë formalisht.
- Bredhi është lodër, nuk është simbol fetar. Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk merret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar.
- Njerëzit që gjatë një viti kalendarik kanë pasur suksese e fitime, kanë të drejtë të gëzojnë në fundin e vitit, kur mbyllin bilancet e atij viti. Mënyra se si festojnë është përgjegjësi e tyre personale. Nëse festojnë në mënyrë joadekuate, ata personalisht ngarkohen para Zotit, jo para nesh. Askush prej nesh nuk ka asnjë kompetencë ta marrë në përgjegjësi askënd. Secili prej nesh e kemi boll nëse arrijmë veten ta mbajmë në rrugën e duhur.
- Paçit një vit të ri të mbarë, të gjithë! Dhe qofshim nën mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit! Sigurisht, për të qenë nën mbrojtjen e Tij, duhet të punojmë sipas udhëzimeve të Tij, çdo ditë, çdo vit, gjatë tërë jetën sonë në këtë botë.