Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 shkurt – Posta e Maqedonisë deri në fund të këtij viti do të ketë të drejtë ekskluzive që të shpërndajë dërgesa me peshë deri 50 gram ku bëjnë pjesë letra, kartolina dhe fletë-llogari të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Pas anulimit dy herë të liberalizimit të tregut postar në vend, pritet që deri në fund të vitet ose sërish të vendoset nga ana e qeverisë së re për hapje të tregut për lojtarë të ri në këtë segment të punës, ose të ketë sërish shtyrje të liberalizimit të tërësishëm të të gjithë shërbimeve postare.
Sipas ligjit, aktualisht afro 20 kompani të ndryshme private nuk munden të kryejnë dorëzimin e letrave , por vetëm të dërgesave më të rënda se 50 gram. Anulimi i parë i liberalizimit të tregut postar ishte në vitin 2012, ndërsa i dyti ishte në vitin 2015 me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, me arsyetimin se me vetëm një lojtar në këtë segment të punës do të arrihet çmim më i madh në treg gjatë privatizimit të saj.
Nga Posta e Maqedonisë kanë deklaruar për agjencinë MIA se tregu akoma nuk është i gatshëm për liberalizim të tërësishëm. Lidhur me shërbimet e reja dhe modernizimin e punës, thonë se ndërmerren aktivitete për të zvogëluar të gjitha harxhimet përfshi edhe ato joproduktive . Qeveria e re në muajin gusht të vitit të kaluar obligoi Postën që të përgatisë program të veçantë për ekonomizimin e punës.
“Posta e Maqedonisë punon në zgjerimin e portofolios të shërbimeve, sidomos në pjesën e prodhimeve dhe shërbimeve të avancuara teknologjike, ose në segmentin e tregtisë elektronike dhe online si zëvendësim për vëllimin në ulje të shërbimeve klasike të postës” thonë në Postën e Maqedonisë për agjencinë MIA.
Gjithashtu ankohen për mosrespektimin e legjislacionit dhe hyrjen e operatorëve të tjerë të postës në shërbimet e rezervuara që janë të konceptuara në atë mënyrë që ti mundësojnë Postës burime të sigurta të financimit. Dukuri të tilla pasqyrohen negativisht në punën e tyre si dhe në sigurimin e shërbimit universal, mirëmbajtjen , zhvillimin dhe punën e rrjetit të Postës dhe infrastrukturës përcjellëse si obligim ligjor . Nga Posta thonë se për këto probleme janë drejtuar disa herë edhe në Agjencinë e Postave.
Sipas Ligjit për shërbime postare, Posta e Maqedonisë është e licencuar për punë në segmentin e rezervuar postar ku ka të drejtë ekskluzive të sigurojë shërbime të rezervuara postare si letra, kartela postare dhe dërgesa të postës direkte në komunikacionin postar vendor dhe të jashtëm deri në 50 gram deri më 31 dhjetor të vitit 2018.
Nga Agjencia e Postave thonë mbështesin liberalizimin e tregut postar , ndërsa vlerësojnë se nevojitet një modernizim më i madh i punës së Postës së Maqedonisë , inovacione më të mëdha dhe jo mbështetja aq e madhe në punën financiare nga dërgesat e Fondit të shëndetësisë dhe të ngjashme. “Prolongimi i sërishëm ose anulimi eventual i afatit për të cilin vlen fusha e rezervuar , në mënyrë shtesë do të shkaktojë humbje që nuk mund të kompensohen në punën e operatorit nacional, për shkak se vëllimi i Postës që hyn në fushën e rezervuar apo dërgesat deri në 50 gram, nga viti në vit në Maqedoni shënojnë ulje prej 5 deri 10 për qind”, thotë drejtori i Agjencisë së Postave , Vllatko Atanasovski për agjencinë MIA.
Sipas tij, në tërë botën , pjesa e rezervuar apo dërgesat deri në 50 gram sjellin vetëm humbje dhe nuk krijojnë profit. Ai shton më tej , se nëse liberalizohet tregu dhe nëse me sukses privatizohet Posta e Maqedonisë , jo vetëm që nuk do largojë punëtorë nga puna, por përkundrazi do të angazhojë më shumë të punësuar duke shfrytëzuar potencialin e madh në sektorin postar.
Në ndërkohë të dhënat zyrtare tregojnë se me të ardhura prej 23 milionë euro, me mbi 2000 të punësuar dhe me 300 njësi pune në tërë vendin, Posta renditet ndër kompanitë më të mëdha vendore. Të dhënat për periudhën 2012-2106, tregojnë se liberalizimi i pjesërishëm i shërbimeve postare nuk ka zvogëluar edhe të ardhurat e saja. Përgjatë kësaj periudhe, kjo kompani shtetërore me aksionet e saja në Bursën e Maqedonisë ka pasur qarkullim prej afër 116 milion euro apo afër 23 milionë euro në vit, me çka renditet ndër kompanitë më të mëdha në tregun vendor të letrave me vlerë.
Problem për punën e Postës mbetet fitimi i ulët ose edhe puna me humbje. Kompanitë në pronësi shtetërore në Maqedoni vetëm në vitin 2016 kanë treguar humbje prej afër 36 milionë euro.
Nga ana tjetër, Posta e Maqedonisë në vitin 2016 ka treguar profit prej vetëm një milion denarë, por megjithatë ka përmirësuar punën në raport me humbjet prej 120 milionë denarë në vitin 2013 dhe 1.8 milionë denarë në vitin 2012. Në vitin 2014 shënohet profit prej 900 mijë denarë, ndërsa në vitin 2015 shënohet profit prej 5 milionë denarë. (koha.mk)