Është një fenomen i kohës që quhet “post e vërteta” ose anglisht “post truth”. Shpjegimi i këtij fenomeni ka të bëjë me kohën e sotme, me mediet digjitale, me rrjetet sociale me lajmet e rrejshme.
Ky fenomen nënkupton se faktet objektive thuajse nuk ndikojnë në formimin e opinionit publik ose në të kuptuarit e ngjarjeve përballë emocioneve apo besimeve personale që kanë njerëzit
Nga Nazim RASHIDI
Ishte 1999, në prill, kur iu bashkova stafit të BBC-së në Londër. Fiks si 19 vjet më parë kur shkruaj këtë tekst. Atmosfera gjatë nisjes time ishte krejt e ndryshme nga ajo sot në Shkup.
Zymtësi gjithë andej, në qiellin e Shkupit dhe Maqedonisë vëreheshin avionët e NATO-s që shkonin drejtë Serbisë. E mbaj mend që ishte shumë e pasigurt nisja ime në Londër, pikërisht për këtë arsye. Madje njëra prej linjave kishte anuluar fluturimin dhe kompanitë e aeroplanëve bënë manovra të tjera, që na nisën. Me të mbërritur në Londër, u përballa me mediet e atjeshme, ku në të gjitha faqet e para të gazetave, apo dhe në edicionet e lajmeve lajm i parë ishte Kosova.
Për një kohë të gjatë ia bëja pyetjen vetes, se pse opinioni në Britani, mediet, analistët, madje dhe protestues ishin pro Kosovës?
Çfarë e lidhte politikën, Toni Blerin, apo dhe të tjerët me Kosovën, të cilët dolën në mbrojtje duke mundësuar bombardimet?
Ende mbaj mend gjithë atë habinë që e shprehnin me dhjetëra refugjatët nga Kosova, një pjesë e tyre të ardhur prej vitesh më herët, për atë që po ndodhte.
Dhe këtu dua të ndalem.
Britania kishte pranuar me dhjetëra refugjatë, aktivistë politik, apo dhe të persekutuar të tjerë të cilët i kishte strehuar, u kishte dhënë shtëpi madje dhe mbështetje financiare.
Një pjesë e tyre kërkoheshin dhe ndiqeshin nga Beogradi. Por, për shkak të persekutimit apo dhe qartësisë se proceset gjyqësore ndaj tyre do ishin të pa drejta Londra nuk i dorëzonte këta njerëz, që ishin shqiptarë, ë? Mos harroni?
Dhe nuk ishte e lehtë thyerja për anglezët, në raport me Serbinë dhe historinë që kanë pasur bashkë në të kaluarën. Por, për sa kohë isha atje jo që nuk dëgjova që dikush është deportuar në Beograd, edhe pse me siguri kërkesa ka pasur shumë, por përkundrazi, numri i refugjatëve rritej.
E gjitha për shkak të parimeve të thjeshta që janë të derdhura edhe në kartën universale të të drejtave të njeriut, ku thuhet se asnjë njeri nuk ka të drejtë të ndiqet e gjykohet pa dinjitet e në mënyrë të padrejtë. Këto dokumente, karta dhe traktate ndërkombëtare nuk janë thjeshtë letra të firmosura nga shtete, por në të shumtën e rasteve vlera tek të cilat besonte një shoqëri e tërë, mbi bazën e të cilave e jepte mbështetjen për sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, për refugjatët për njerëzit.
Ishte një sistem i tërë, që nga edukimi, shkollat e universitetet që i mësonte britanikët që të kujdesen për botën. Kjo mbase edhe nga mentaliteti i tyre imperialist që lidhet me historinë, por shikoja dhe pendesë të një brezi që u vinte turp se çfarë kishin bërë prindërit e tyre me botën, dhe në kohën e tyre si reagim dilnin në protesta edhe për ca shqiptarë që as i kishin parë dhe as që kishin dëgjuar nëse nuk do të ishin në media ku shpesh raportohej për ta.
Kjo ishte përgjigjja e pyetjes sime se pse britanikët shqetësohen dhe e fusin vendin e tyre në luftë për Kosovën?
Sigurisht ka edhe shpjegime të gjeopolitikës, rrethanave globale, por britaniku i thjeshtë, ku ka dhe përjashtime sigurisht, mbështeste sulmet ajrore sepse besonte në vlerat e njerëzimit, të cilat shkeleshin nga një regjim, nga ai i Millosheviçit.
Më kujtohet dhe një moment tjetër televiziv. Në një nga programet më të shikuara e vlerësuara të BBC-së, ku i ftuar ishte ambasadori serb në OKB, të cilit fillimisht si dhe publikut iu lëshua një kronikë për atë se çfarë kishin bërë forcat serbe në Kosovë, që tregonte për vuajtjen e njerëzve, për viktimat dhe fatet tragjike njerëzve dhe pas të cilës kronikë ambasadorit iu pallavesh pyetja: A nuk ju vjen turp se çfarë bëni?
Mbaj mend heshtjen disa sekondëshe të ambasadorit që i janë dukur shekuj, deri sa hyri në logjikën rutinë të justifikimit të veprimeve të vendit tij.
Ishte gjithë kjo frymë liberale e medies, e politikës e shoqërisë në Britani që mundësonte reagime të tilla, në shkrime, kronika, intervista, dhe veprime politike që mbronin dinjitetin njerëzor.
Sot në 4 prill, pas 19 vjetësh, thjesht më duket e pabesueshme që shoqëria ime, e cila nuk e ka qiellin e ngrysur, në të cilin nuk fluturojnë avionë luftarak, të cilët janë krenarë me gjithë atë çka ndodhi më pas, të mos ketë kuptuar se regjimet autoritare sjellin padrejtësi dhe se nuk mund të justifikohen aq lehtë dorëzimi pa asnjë shpjegim i disa turqve një sistemi autoritar ku dihet se drejtësi nuk do të ketë.
Nuk e besoj dot, që profesorë, mësues, njerëz të shkolluar nuk mbajnë mend se çfarë bënte një regjim para 19 vjetësh. Më shokon dhe me tremb se si po këta harrojnë se çfarë mund të bënte vetëm para pak muajsh një regjim këtu në Maqedoni dhe sa viktima janë nëpër burgje kur mentaliteti autokratik vjen në pushtet.
Dhe sinqerisht dilema e tëra më përplaset tek arsimimi dhe edukimi ynë. Cilësia e tij. Si e mësojmë ne historinë? Si e mësojmë ne vetveten? Si e mësojmë botën? Si u shpjegohen fëmijëve fenomenet e të sotmes? Si arrihet të ndërtohet aq lehtë miti për kultin e autoritetit? Si mund të duash me çdo kusht dikë edhe kur sheh padrejtësi? Si mund të adhurosh verbërisht? Po, si mund të mos ngresh asnjë pyetje, qoftë edhe në heshtje, se a ka mundësi të ketë të pagabuar? Si mund me çdo kusht e lehtësi të mbrosh (vërjani emrin vetë) një dhunues?
Është një fenomen i kohës që quhet “post e vërteta” ose anglisht “post truth”. Shpjegimi i këtij fenomeni ka të bëjë me kohën e sotme, me mediet digjitale, me rrjetet sociale me lajmet e rrejshme.
Ky fenomen nënkupton se faktet objektive thuajse nuk ndikojnë në formimin e opinionit publik ose në të kuptuarit e ngjarjeve përballë emocioneve apo besimeve personale që kanë njerëzit. Me fjalë të tjera mund t’i prezantosh çdo lloj fakti një personi e ai përsëri do zgjedhë t’i besojë asaj që di vetëm ai, emocionit të tij apo bindjeve personale. Pra nuk e luan topi atë që mendon. Por, fatkeqësia është se e gjitha vjen nga mos dija, e shtresuar që në arsimimin e tyre me vite.
Fatkeqësisht ne tashmë jetojmë në kohën e post të vërtetës, e cila më së miri shihet në SHBA, me administratën e Presidentit Trump, kur për çdo të vërtetë faktike ata japin siç thonë “fakte alternative”. Ideja është se zgjedhin atë pjesë të informacioneve që ju pëlqen dhe arrijnë në përfundimin që duan.
Fatkeqësisht këto realitete përfshinë edhe shoqërinë tonë dhe prandaj me aq lehtësi, përzier dhe mos dije, adhurohet një Erdogan, adhurohej një Gruevski,etj.
Por, ende dua të besoj se në mesin tonë janë dhe ata që i besojnë dijes, që s’kanë kujtesë të shkurtër që e duan dinjitetin bazik njerëzor për hir të të cilit ne ekzistojmë sot, dhe të cilat vlera kur vjen puna duhet t’i ushtrojmë ndaj të tjerëve. I vuajturi s’duhet të shndërrohet në dhunues. Këtu është madhështia!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)