Porto apo Liverpool? Kjo ka qenë pyetja kryesore, me të cilën është përballur Leo Messi, pas kualifikimit të Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Në nxehtësinë e dopietës së realizuar, ylli argjentinas është treguar diplomat në përgjigje: “Të dy janë kundërshtarë shumë të vështirë”.
Kësisoji, kapiteni i skuadrës katalanase nuk zbuloi ndonjë rival të preferuar për raundin e radhës, duke e konsideruar ende të gjatë rrugën drejt finales së shumëdëshiruar në “Wanda Metropolitano”, më 1 qershor. Ai nënvizoi: “Goli i parë erdhi shpejt dhe na çliroi. Më tej kontrolluam lojën dhe tashmë jemi në gjysmëfinale.
Kishim disa kohë, pa mbërritur në këtë raund në Champions, por tani shikojmë më përpara. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në ndeshje të Champions-it, sepse e kemi të freskët përvojën me Romën. Edhe pesë minuta të këqija të nxjerrin jashtë kësaj gare.
Gjysmëfinalet? Do të jenë të vështira, sepse të dy rivalët e mundshëm janë të fortë. Liverpool dhe Porto e kanë merituar, që kanë mbërritur deri këtu. Nuk kam preferenca.
Tani duhet të mendojnë për La Liga-n, të shpallemi kampionë sa më shpejt të jetë e mundur. Më pas do t’i përqendrojmë energjitë te gjysmëfinalet e Championsit”.