Lojtarët afrikanë vijnë në Shqipëri ose në Kosovë me shpresën se do të gjejnë Europën e më pas të katapultohen drejt ligave më të forta. Realiteti shpesh herë ka qenë i hidhur për ta, pasi Shqipëria dhe Kosova janë shumë larg pritshmërive të tyre dhe ka shumë raste ku nuk paguhen as për kontratën që kanë nënshkruar.
Rasi i radhës i dhimbshëm vjen nga Kosova. Gazeta Olle.com raporton historinë e dhimbshme të portierit të Trepçes, Theo Fodjo Lali. Ky i fundit është një nga lojtarët më të rëndësishëm, pasi sezonin e kaluar shpëtoi ekipin e tij nga rënia në Kategorinë e Tretë duke pritur 3 penallti në takimin e “play-out”-it”, përcjell gazeta KOHA.
Mungesa e pagesave në mënyrë të rregullt ka bërë që portieri të punojë dhe në ndërtim. Ai shkon shpesh herë dhe punon pranë një prej kompanive të ndërtimit në Mitrovicë. Afrikani është i detyruar për të mbijetuar në Kosovë.
Pronari i Kompanisë, Fadil Halilaj, tregon se si “gardiani i portërs” ka kërkuar punë. “Ai ka ardhur vetë për të kërkuar punë te kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë. E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Te ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”, – tregoi ai.
Një histori shumë e dhimbshme që gjen veshin e shurdhër të presidentit të Trepçes, Avni Haxhiu, që shpjegon se futbollisti është paguar rregullisht dhe nuk ka borxhe ndaj tij. Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, Visar Zogiani, tregon se nuk ka dijeni për rastin në fjalë. Nuk është se e ka për detyrë…