Klubet europiane janë aktualisht të tmerruara nga ofertat marramendëse që klubet kineze po u bëjnë futbollistëve të tyre, veçanërisht atyre të Premier League, sikurse është edhe rasti më i fundit, ai i brazilianit Oscar. Gjithsesi, një lajm i mirë dhe i sigurtë qetëson të gjitha skuadrat europiane, të paktën në lidhje me portierët e tyre cilësorë që nuk do të mundet kurrë që të ndjekin rrugën e Oscar për në Lindjen e largët. Kjo pasi Super Liga Kineze ka një përjashtim afatgjatë mbi portierët e huaj që luajnë në kompeticionin kombëtar. Logjika e këtij përjashtimi është shumë e thjeshtë dhe po aq e ndjeshme. Autoritetet e futbollit kinez besojnë se afrimi i yjeve të futbollit botëror do të përmirësojë masivisht nivelin e futbollit në Kinë. Por, kur vjen puna te portierët, në këtë rol ka vetëm një pozicion disponibël në çdo skuadër. Ndërkohë që lojtarët vendas do të mund të mësonin nga portierët më të mirë në stërvitje, ata nevojitet të luajnë në mënyrë të vazhdueshme dhe kompetititve për të plotësuar dhe realizuar potencialin e tyre. Kjo politikë, e prezantuar fillimisht në vitin 2001, deri tani ka rezultuar e suksesshme. Roli i portierit në Kinë ka ndryshuar ekstremisht përsa i përket cilësisë, pasi nga pika më e dobët e futbollit kinez, është shndërruar tashmë në pikën më të fortë të tij. Për shembull Zeng Cheng i Guangzhou Evergrande ishte përcaktues në triumfin e skuadrës në Champions League Aziatike 2015. Pavarësisht rrogave astronomike të paguara në adresë të yjeve të huaja, çuditërisht Kina është shumë strikte në lidhje me numrin e importeve të lejuara për një skuadër. Çdo klub mund të regjistrojë vetëm 4 futbollistë të huaj, dhe mund të aktivizojë njëherësh në fushë vetëm 3 lojtarë të huaj. Kufizimi i Kinës në lidhje me portierët do të thotë se Premier League, si liga më paguese Europiane, do të mund të jetë e qetë edhe për shumë vite të tjera, në lidhje me portierët cilësorë në klubet angleze, të cilët nuk mund të largohen për në Lindjen e Largët.