Të ndërgjegjshëm për shkaqet e dështimit të pushtetit, të gatshëm kurdoherë e pa u dorëzuar për vendin e tyre, mërgimtarët e Hamburgut, Berlinit dhe ata të Kopenhagenit janë të vendosur të shpëtojnë vendin. Ata janë pjesë e një prej aleatëve më të mëdhenj të Aleancës tonë, jemi krenarë për Aleancën me Mërgatën, ose më drejtë me Djemtë e Shpresës, ata vijnë në 12 prill për të treguar se është Koha e Popullit… Koha e Tyre!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Pavarësisht që titulli duket sikur të fton në ndonjë prozë letrare nga ato të Rilindjes madje, kjo fjali është e tanishme, e vitit 2020. Lindi si pasojë e tre takimeve që patëm me mërgimtarët tanë që jetojnë në Hamburg dhe Berlin të Gjermanisë dhe më pas shkuam edhe në Kopenhagen me po të njëjtin qëllim. Në kohë pre-fushatash e sidomos në ditët e fundit të saj, përsëritet një situatë ironike njësoj si një perpetum mobile… Qeveria kujtohet për mërgimtarët!!!
Parti të cilat trashëgojnë pushtetin njësoj si një kurorë mbretërore, parti të cilat janë prej shumë vitesh në qeveri, parti të cilat në mos arkitekte janë pjesëmarrëse aktive në eksodin masiv të popullit në përgjithësi e shqiptarëve në veçanti, pikërisht këto parti pushtetare, kanë kurajon dhe guximin e sëmurë, patologjike, të kërkojnë vota nga viktimat e tyre si janë mërgimtarët. Pse kanë ikur shqiptarët dhe ikin me të madhe?! Se për të gjithë këto vjet ata kanë qenë të përbuzur nga shteti i tyre, janë trajtuar si figura shahu që sakrifikohen të parët, të drejtat e tyre themeltare janë shkelur me të dyja këmbët nga Qeveria! Punësimi ishte dhe është si një kafshatë që të ngec në fyt do thoshte Migjeni kur partia në pushtet t’a kujton borxhin që i ke. Papunësia është kthyer në gjendje normaliteti por është varfëria edhe deri uria që i ka bërë njerëzit të ikin nga ky vend!
Dhe kështu ne takuam në Gjermani dhe Danimarkë, një pjesë të numrit të madh të të përndjekurve, të të përzënëve, të atyre që pushteti nuk i deshi dhe meqë një nga partitë që mban 18 vjet firmën e eksodit më të madh historik në kohë paqeje, është ende në pushtet, domethënë mërgimtarët ende kanë në pushtet ata që nuk i duan!
Kur i shikonim në Hamburg, Berlin dhe Kopenhagen, sytë e këtyre njerëzve, edhe pse të lodhur nga premtimet politike, ndriçonin prapë për vendlindjen e tyre! Ndoshta tingëllon raciste kjo që do të them, por midis gjithë atyre gjermanëve dhe danezëve, mërgimtarët tanë dukeshin sikur kishin sy më të mëdhenj e më të ndezur, ndoshta sepse sytë e tyre mbanin dritën e Mallit! Gjermanët dhe danezët, këta banorë të dy shteteve fantastike, ecnin të lirë, të paqtë e miqësor, krejtësisht e kuptueshme për ta, pasi jetojnë prej vitesh në shtetet e tyre dhe askush nuk i ka dëbuar, kurse tanët disa nga malli i tyre e disa nga malli ynë, dukeshin si personazhe të një bote tjetër kur i shihje në sallat e tubimit. Të gjithë falë Zotit ishin mirë ekonomikisht, madje kishin rroga dhe siguri pune që në Maqedoni e kanë vetëm të preferuarit e pushtetit. Këtu madje dua të theksoj diçka, shumë veta aty në Maqedoni thonë që jemi popull dembel e nuk e duam punën! Kjo është një Gënjeshtër e Madhe! Ne na i ka grabitur punën pushteti, kjo është e vërteta jonë!
Të gjithë mërgimtarët punojnë dhe punojnë shumë madje, paratë e tyre janë para djerse e ndershmërie…është i njëjti popull, kur jeton në Maqedoni është pa punë dhe i përbuzur pasi varfëria të merr dinjitetin, por kur ka shkuar në shtete të tjerë, jo vetëm që punon por shpesh njerëzit tanë bëjnë nga dy-tre punë! Kurse këtu duhet të kesh lidhje të forta në parti që të zësh një vend pune!
Edhe pse mund të jesh profesionist i shkëlqyer në lëminë tënde, punësimi është i komentuar gjithnjë si nder partiak që duhet shpërblyer me votë! Këtu gatishmëria ndaj atdheut është kthyer në gatishmëri ndaj partisë! Dhe kujtohuni që po flasim Për një numër shumë të vogël të punësuarish, krahasuar me të papunët. Një gjë që i bashkon të dyja palët, pra të papunët me të punësuarit, është Robëria! Dhe shpresa e tyre ka kohë që është, spiranca e shpëtimit është mërgimi…por kur ikin, zemra e sidomos truri i tyre ka gjithnjë e më shumë imazhe, fotografi të pavullnetshme për vendlindjen, për njerëzit që kanë lënë, për tokën e tyre! Ka atë ndjenjë që e quajmë Mall.
Ndoshta lidhet me ADN-në tonë, ndoshta sepse historia e freskët 18 vjeçare na zgjoi sërish dramën e mërgimit, por duket qartë se malli i mërgimtarit është ndryshe. Është i shfaqur në thinjat e parakohshme, në përqafimet e tyre që thërrasin për vendlindje, nga ndihma e pakushtëzuar që ofrojnë për vendlindjen pavarësisht që në emër të saj pushtetarë të caktuar i ka rrjepur e zhvatur, por ata prapë nuk heqin dorë, kurrë, ata vazhdojnë dhe mbeten krenarisht shqiptar, me një mall sa prekës aq edhe burrëror, të betuar para Zoti e di para sa shekujsh në ADN-në e tyre, për të mbrojtur tokën që u banua për herë të parë nga të Parët e Tyre! Kjo kuptohej aq qartë kur u takuam në Berlin dhe në Kopenhagen me ta! Sytë e tyre shkreptinin si shqiponja! Ata janë gati të ndëshkojnë me votë ata që i përzunë! Ata e dinë më mirë e qartë edhe se sa ne që jemi opozitë, se BDI-ja dhe krerët e saj janë përgjegjës qoftë aktiv a qoftë pasiv, se vetëm fakti që kanë dëgjuar se si shahehin, diskriminoheshin, nuk punësoheshin dhe anatemoheshin shqiptarët a ndërkohë ata kanë vazhduar kanë marrë rrogat e tyre, të bën të kuptosh se nëse jo ideator ata kanë qenë patjetër bashkëpunëtorë e realizues të rrëminimit të vendit. Të ndërgjegjshëm për shkaqet e dështimit të pushtetit, të gatshëm kurdoherë e pa u dorëzuar për vendin e tyre, mërgimtarët e Hamburgut, Berlinit dhe ata të Kopenhagenit janë të vendosur të shpëtojnë vendin. Ata janë pjesë e një prej aleatëve më të mëdhenj të Aleancës tonë, jemi krenarë për Aleancën me Mërgatën, ose më drejtë me Djemtë e Shpresës, ata vijnë në 12 prill për të treguar se është Koha e Popullit… Koha e Tyre!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)