Tërë këto vite sa thirremi në emër të saj, çdoherë shprehemi me terme ambivalent, duke lënë sipas situatës të kuptohemi “qoftë kështu apo ashtu”, si na e do qejfi/interesi i momentit, por çdoherë duke dështuar para momentumit historik, si diktues i qartë i një të ardhme të përcaktuar qartë e jo mjegullt
Bajram SELMANI
Vokabulari më i zakonshëm, më i përditshëm e më manipulues, në radhë të parë ndaj “popullit” që i drejtohet, e pastaj “qytetarëve” me të cilin ju drejtohen liderët e partive politike të opozitës, që herë shpallën si fitues e herë si humbës, qoftë të zgjedhjeve apo të qëndrimit ndaj mbajtjes së referendumit, si dështues e në të njëjtën kohë duke e shpallë veten fitues, me një cinizëm e denigrim ndaj gjithë të tjerëve, të paparë deri tani, është sintagma popull dhe qytetar.
Kur duhet ta shpreh pronësinë private të shtetit, shprehet “populli maqedonas”, kur duhet të njihet ky shtet nga të tjerët hynë në lojë loja e fjalëve “qytetarët” (e Maqedonisë B. S), ngase populli, në emër të të cilit thirret, e në manipulimin e dyfishtë të tij: në njërën anë, si kategori sociologjike paraqet “organizim shoqëror historikë”, karakteristik e formacionit shoqëror-ekonomik e historik e feudalizmit, popullit si formë sundimi i përgjigjet monarkia, respektivisht monarku është bartës i sovranitetit, fare nuk korrespondon me kurrfarë realiteti, ndërsa e dyta, nocioni “qytetar”, njeriu i vetëdijshëm për të drejtat dhe obligimet e veta ndaj shtetit e ndaj shoqërisë, është e formë e sundimit që i përgjigjet demokracia, e cili nënkupton në funksionimin e mirëfilltë të saj ligjshmëri dhe mandat.
Për tërë këto vite sa thirremi në emër të saj, çdoherë shprehemi me terme ambivalent, duke lënë sipas situatës të kuptohemi “qoftë kështu apo ashtu”, si na e do qejfi/interesi i momentit, por çdoherë duke dështuar para momentumit historik, si diktues i qartë i një të ardhme të përcaktuar qartë e jo mjegullt.
Në të vërtetë Maqedonia është shtet relativisht i ri, në kontekstin historik, dhe shumë etnikësh e shumë kulturor, kjo nuk është hendikep i saj por përparësi, me të cilën qytetarët e saj mburren e ndihen krenar, por jo edhe ata lider që Maqedoninë e shpallin shtet historik të një etnie/populli e cila pastaj duhet ta trumbetoi fitoren, që “populli” vendosi “në mënyrë të heshtur” për fatin e saj.
Nëse kjo mënyrë gjykimi nuk është tragjike për qytetarët e Maqedonisë e popullsinë e saj, do të dukej tepër ironike, dhe si e tillë e mjerë. Liderët e tillë të “papërgjegjshëm”, kundrejt situatës e zhvillimit të saj, mendimin e tyre vetjak e paraqesin si kolektiv, në ndërkohë që thirren në krijimin e qëndrimit të konsultuar prej tij! Mendimi politik reflekton mendimin e anëtarësisë partiake e simpatizuesve të saj, e thënë më thjesht mendimin e një pjese të popullsisë, le të themi të një etnie të caktuar.
Nëse etninë e caktuar e shpallë “popull i shtetit”, imponon të drejtën e pronësisë se shteti është i atij populli, që do të thotë se ai popull duhet të jetë bartës i tij, pra ta themeloi, organizoi, zhvilloi e mbroj. Faktet flasin ndryshe. Rrjedhimisht, manipulimi ndaj “popullit” që i drejtohet është i dukshëm në shumë drejtime: themelimi i shtetit i mbështetur në një popull, se ai është bartës i sovranitetit, ai është mbrojtës i tij, prej tij varet funksionimi i shtetit e kështu me radhë. Përmbi të gjitha, se ekziston shteti i Maqedonisë ai kur nuk ka qenë i një etnie. Në ka qeveri të një “populli”, siç thotë opozita, deri tani. Për më tepër vetë opozita e deri tanishme, deri dje në pushtet, kurrë nuk qeverisi vetëm, por çdoherë me një partner koalicioni, që nuk ishte i etnisë së saj. Ose të shtrohet çështja edhe ndryshe si u bënë të tjerët partner koalicioni me një mentalitet të këtillë, mbi të “vërtetën” historike, politike e kulturore, të etnisë në fjalë. A nuk ishte pak e tepërt dhe tepruar? Përgjigjet e kësaj çështje duhet ti kërkoi opozita e tanishme, e cila shumë thirret në të kaluarën, por jo më pak edhe partnerët e deridjeshëm të saj.
Ti drejtohesh elektoratit, që të mbështetë në të vërtetën dhe vizionin që ju ofron, është sa privilegj aq edhe përgjegjësi. Por, përgjegjësia është edhe më e madhe, nëse kërkon mbështetjen e saj, e i ofron vetëm të kaluarën (me të cilën e mashtron me të pavërtetën e saj!), duke mos i ofruar një të ardhme, është tepër me përgjegjësi, për aq sa është përgjegjësi kur elektorati të përkrah e mbështet, e mandej nuk dinë se çfarë të bësh me përkrahjen e mbështetjen e tillë. Detyra e lidershipit është, elektoratit ti premtoi e të zotohet para tij se do të punoi, në të ardhmen për të mirën e përgjithshme, e jo të një pjese të saj, apo për të mirën e vetvetes. (koha.mk)