Popullata plaket, punëtorët ikin jashtë

Ekspertët vlerësojnë se shteti nevojitet të reflektojë dhe reagojë më fuqishëm ndaj rezultateve të regjistrimit të fundit të popullatës. Apo ndaj nevojave të tregut të punës, trajnimeve, dhe rikualifikimeve të fuqisë punëtore për të ulur edhe më tej papunësinë dhe për të siguruar rritje ekonomike, ulje të varfërisë dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 15 prill – Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut vetëm ka konfirmuar edhe një herë të dhënat për plakjen e popullatës, uljen e natalitetit dhe shpërnguljen e madhe të popullatës së re të aftë për punë në perëndim. Njëherësh bizneset me vite ankohen për mungesën e profileve të caktuara të punëtorëve si mjeshtër të ndryshëm të specializuar në ndërtimtari, saldatorë, elektricistë, vozitës profesionistë, e kështu me radhë që po ikin jashtë të joshur me jetesë më të mirë dhe paga më të larta.

Advertisements

Të dhënat e fundit tregojnë se në 20 vitet e fundit është ulur fuqia e aftë për punë për 12.4 për qind, ndërsa në të njëjtën kohë është rritur popullata më e moshuar se 65 vjeç për 17.2 për qind. Ekspertët vlerësojnë se shteti nevojitet të reflektojë dhe reagojë më fuqishëm ndaj rezultateve të regjistrimit të fundit të popullatës. Apo ndaj nevojave të tregut të punës, trajnimeve, dhe rikualifikimeve të fuqisë punëtorë për të ulur edhe më tej papunësinë dhe për të siguruar rritje ekonomike, ulje të varfërisë dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Përfaqësuesit e biznesit në vend me vite alarmojnë për mungesën e fuqisë punëtore në vend që sidomos po ndihet në hoteleri dhe ndërtimtari. “Nevojitet të ndërmerren aktivitete dhe masa më të shpejta që do orientohen ndaj qëndrimit të rinjve në vendlindje, ku në vend të stimulimit për tu punësuar në punë shteti, të rinjtë duhet të mbështeten dhe stimulohen të hapin bizneset e tyre. Më shumë duhet të stimulohet sipërmarrësia që në arsimin fillor dhe të mesëm, duke nxitur më shumë arsimin profesional, por që duhet t’i ofrohet edhe pagë e mirë, subvencionim të kompensimeve ndaj shtetit, por edhe mundësi që të ecë para dhe të sigurojë karrierë”, thotë Drilon Iseni , drejtor i OEMVP.

Nga ana tjetër, vlerësohet se bota sot është fshat global ku të rinjtë nuk mund t’i mbajmë me dëshira, dhe as mund të ndalohen të ikin jashtë, por mund t’i joshim të qëndrojnë këtu me paga më të larta dhe mundësi më të mira që të realizojnë vetveten në aspektin jetësor dhe profesional në vendlindjen e tyre.

Nga ana tjetër analiza “Sfidat dhe politikat në tregun e punës”, e realizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert tregon se bazuar në kërkesat në tregun e punës, ku më shumë kërkohen punëtorë me arsim të mesëm, apo edhe më të ulët apo mos përputhja e ofertës dhe kërkesë në tregun e punës imponon domosdoshmërisht përskaj zgjerimit të sistemit dual të arsimit të mesëm profesional dhe ndryshimet e tjera në arsimin e mesëm profesional, edhe anulimi i politikës tepër liberale për regjistrimin në fakultet që nuk është as në kontekstin e nevojave të tregut të punës dhe as nuk lejon “filtrimin”, e të rinjve në bazë të rezultateve dhe kapaciteteve të tyre. Studimi sugjeron vendosjen e provimeve pranuese në të gjitha fakultetet si një masë për tejkalimin e kësaj gjendje që do të përmirësonte edhe cilësinë e arsimit sipëror.

Një politikë e tillë liberale e regjistrimit së bashku me ngopjen me numrin e madh të institucioneve të larta arsimore në sektorin shtetëror dhe privat, janë disa nga faktorët e mos harmonizimit të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës. Provimet pranuese do të ishin disa nga faktorët që mund të ndikojnë në orientimin e popullatës aktive ndaj profesioneve në bazë të kapaciteteve dhe potencialeve të të rinjve, thuhet më tej në analizë.

Mungesa e fuqisë punëtore përskaj mos harmonizimit të kualifikimeve të kërkuara, mund të paraqitet edhe si rrjedhojë e ikjes masovike të rinjve, por edhe punëtorëve më të moshuar jashtë shtetit, që kërkojnë një vend pune më mirë të paguar. Trende të tilla në mënyrë shtesë duhet të zbuten jo vetëm përmes politikave të arsimit, tatimore dhe të punësimit, por edhe përmes strategjive për shfrytëzimin e valëve të shpeshtuara të migrantëve, si fuqi potenciale punëtore. Analiza në fund konstaton së përkundër të gjitha ndryshimeve strukturore dhe transformimit të ekonomisë dhe aktiviteteve ekonomike, fuqia punëtore si bartës i punës edhe më tej mbetet një nga faktorët kryesor ekonomik dhe zhvillimor që ndikon në krijimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo në rritjen ekonomike.

Kjo vlen sidomos për fuqinë punëtore manual apo me dorë që është më pak e kualifikuar në disa sektorë të rëndësishëm si bujqësia, ndërtimtaria, industria përpunuese dhe e tekstilit, këpucëve dhe lëkurës.

Megjithatë rritja e ekonomisë i detyrohet edhe pjesëmarrjes së veprimtarive dhe degëve më fitimprurëse ku pjesëmarrja e diturisë dhe shkathtësive kulmore të fuqisë punëtore apo kapitali njerëzor është kryesor, e që janë sektorët e shërbimeve (si shëndetësia, arsim, shërbimet financiare dhe konsulente, krijimi i softuerit dhe të ngjashme ), dhe prodhimtaria e prodhimeve me teknologji të lartë që posedojnë dituri intensive si pajisja e sofistikuar, prodhimet e teknologjisë informatike, farmaceutike, pajisjet digjitale, etj.

Nga ana tjetër, fuqia punëtore në Maqedoninë e Veriut nuk posedon veçori të theksuara të fuqisë punëtore me sasi të lartë të kapitalit njerëzor për shkak të nivelit relativisht të ulët të arsimit dhe shkathtësive që i posedon e njëjta. Transformimi i fuqisë punëtore në vend në përgjithësi ndaj një fuqie punëtore me një nivel të lartë të kapitalit njerëzor duhet të jetë një nga detyrat kryesore të politikës ekonomik dhe sidomos asaj arsimore, në një afat të mesëm, të gjatë dhe shumë të gjatë. (koha.mk)