Selektimi i komunave, ku disa do të përballen me masa më restriktive dhe disa më të lira, ka frustruar një numër të madh të qytetarëve të komunave përkatëse. Ata akuzojnë qeverinë për keqmenaxhim të situatës
Hekuran JASHARI
Kumanovë, 4 qershor – Në kohën kur të gjitha vendet e rajonit, por edhe më gjerë po lirohen nga masat nga pandemia, Qeveria me vendimin e saj për kthimin e orës policore, ka bërë hap mbrapa në këtë aspekt. Për shkak të eskalimit të situatës me virusinkorona, Qeveria ka marrë vendim që i tërë vendi ynë të futet në izolim. Disa komuna që janë vlerësuar si më të prekura, do të kenë orë policore më të zgjatur. Nga ky vendim i Qeverisë sigurisht se nuk kanë lënë pa reaguar qytetarët. Ka pasur edhe prej atyre që janë shprehur se revolta e tyre duhet ta marrë formën e organizimit të protestës.
Selektimi i komunave, ku disa do të përballen me masa më restriktive dhe disa më të lira, ka frustruar një numër të madh të qytetarëve të komunave përkatëse. Ata akuzojnë qeverinë për keqmenaxhim të situatës. Komuna e Kumanovës është vetëm njëra prej 19 komunave që do të futet në karantinë, nga e enjtja në mbrëmje ora 21, deri të hënë ora 5 e mëngjesit, që i bie gjithsej 80 orë. Për shkak të këtij vendimi të Qeverisë, revoltë e madhe sot është vërejtur në mesin e banorëve të Kumanovës, madje disa banorë nuk kanë ngurruar ta fajësojnë Komunën e Likovës se përse qyteti i tyre po futet në karantinë për 80 orë. Ekipi i gazetës KOHA ishte në terren në këtë qytet për ta parë reagimet e qytetarëve. Nerxhivane Shaqiri, banore e kësaj komune, për gazetën KOHA shprehet se Qeveria është dashur të ketë planë afatgjatë se si të përballet me pandeminë, e jo kjo të jetë lojë për poenë politik sië shpesh është vepruar. Fajtorë kryesorë për përhapjen e virusit, sipas saj, është edhe lejimi i festimit të festës së Bajramit, pasojat e së cilës po i ndjejmë tani.
“Shëndeti i qytetarëve është çështje serioze, dhe nuk mund të luhet me të”, është shprehur Nerxhivanja. Një tjetër banor në të njëzetat e tij, Gazmend Ramadani, ka shprehur një mendim më kritik duke thënë se, ky vendim është pritur për shkak se me lirimin e masave, shumë qytetarë fillojnë të sillen thuajse se sëmundja ishte zhdukur, madje duke mos respektuar asnjë masë mbrojtëse. Ai thotë se kjo krizë mund të tejkalohet vetëm atëherë kur qytetarët do të vetëdijesohen, se kjo nuk është sëmundje shteti me dorë të hekurt do ta zgjidhë, por roli kryesor në tejkalimin e saj ka vetë popullata. Sipas tij, tani më shumë se kurrë duhet të dëgjohen rekomandimet e ekspertëve.
Reagime të shumta ka pasur edhe në rrjete sociale. Nga ajo se çfarë mund të shihet nga reagimet e qytetarëve në Facebook dhe Tuitter, komuniteti maqedonas më tepër është i prirur për të akuzuar Komunën e Likovës, se përskaj tyre është futur edhe Kumanova në karantinë. Ndaj vendimit për orën e zgjatur policore nuk kanë lënë pa reaguar edhe bizneset e vogla dhe të mesme. Rexhail Jakupi, pronar i butikut “London” në Kumanovë, thotë se me hapjen e masave, biznesi sadopak fillojë të marrë frymë, megjithëse tani me rikthimin e orës policore prej 80 orëve, është një goditje e re për biznesin. Sipas tij, në mënyrë që të mos dëmtohen bizneset shteti, duhet të zbatojë masa më të buta. (koha.mk)