Partia populiste e djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) pas zgjedhjeve të së dielës (24.09) hyn në Bundestag si forca e tretë politike, duke fituar si me katapultë katër vjet pas themelimit mbi 12% të votave. Partia fitoi pikë me tema populiste si refugjatët dhe siguria në vend duke i joshur zgjedhësit. Votuesit e pavendosur, që donte t’i bënte për vete kandidati socialdemokrat për kancelar Martin Schulz, i kthyen kurrizin partisë me traditë duke preferuar t’ia japin votën AfD-së. Partitë e mëdha popullore si kristiandemokratët CDU dhe socialdemokratët SPD kanë pësuar erozion rekord elektorati. SPD-ja madje ka humbur shumë vota edhe në bastionet tradicionale të saj siç janë p.sh. qyteti i Esenit në rajonin e Ruhrit. Që pas zgjedhjeve socialdemokrati Karlheinz Endruscheit sikur nuk e njeh më qytetin e tij Esen. Dikur këtu SPD fitonte me 60%. Të dielën e votimeve ajo arriti të marrë vetëm 28% të votave. Shumë prej fqinjëve të tij ia kishin thënë, se kësaj radhe do të votojnë për partinë populiste të djathtë AfD. Ja se si e shpjegon Karlheinz Endruschat këtë dukuri.
QYTETARËT TËRHEQIN VËMENDJEN PËR PROBLEMET E VETA
Njerëzit, thotë ai me siguri kanë menduar, se “ne vijmë nga një familje socialdemokrate, por ne këtë herë do të zgjedhim AFD-në, sepse kemi ndjenjën, që duhet të tërheqim vëmendjen për problemet tona. Por ne socialdemokratët duhet t’i fitojmë përsëri këta zgjedhës. Mendoj, se nëse tani vetëm presim katër vjet, nuk do t’i kthejmë përsëri tek ne këta votues”. Politikani socialdemokrat do t’i rifitojë këta votues – të paktën punëtorët në qytetin e vjetër industrial të Esenit. Por edhe në lokalin e tij të preferuar Endruscheit takon simpatizantë të AFD. Njëri ndër klientët thekson, se “edhe unë do të kisha dashur më mirë të votoj për ta. Por a e dini çfarë? Unë e kam hedhur poshtë fletën time të votimit. Ajo u bë e pavlefshme e kaq. Policia? Ajo nuk guxon më të shkojë në stacionin e trenit në qytetin e vjetër! Madje as me automjetin e policisë dhe nën shoqërim!”
Rritje e kriminalitetit, 11% papunësi, 40% emigrantë dhe një qytet, që në fakt është i falimentuar dhe nuk është në gjendje të kujdeset për problemet e veta. Kështu shpjegohet forcimi i të djathtëve në bastionin e dikurshëm socialdemokrat Essen.
“PO ZIEN VRULLSHËM”
E është pikërisht ky rajon, rajoni i Ruhrit, që shquhet për modelin e suksesshëm të integrimit të qindra mijëra punëtorëve të dikurshëm emigrantë, të ashtuquajturit Gastarbeiter të viteve 60-të. Në një event kundër racizmit në qendër të qytetit gjermanët dhe emigrantët ngrenë flamurin kundër AfD-së së djathtë. Por shumë emigrantë që pas zgjedhjeve kanë nisur të shqetësohen. Një banore me origjinë turke në Essen thotë: “Nga ana e AfD-së do të përpiqen që t’i pengojnë të tilla aktivitete. E si rrjedhojë mund të ketë tensione. Këto tensione do të kenë pasoja ndaj bashkëjetesës ndër qytetarët”. Ndërsa Harald Parussel është funksionar i AfD-së në Esen. Dikur ai ka qenë mësues dhe anëtar i partisë socialdemokrate. Atje ai ndihej gjithnjë e më pak i kuptuar. Aty nuk i lejohej të shprehte dyshime ndaj politikës së refugjatëve. Ai thotë, se nuk është racist, madje ai prej vitesh u jep mësim fëmijëve me prejardhje të huaj. Ai ka mirëkuptim ndaj kërkesës së disa shokëve të partisë së tij AfD, që duhet t’i jepet fund komoleksit me të kaluarën nacionalsocialiste. “Ndonjëherë edhe unë kam ndjenjën, se po kultivohet një lloje krenarie e fajit. Sa herë që gjermanët shfaqin një filiz të njomë patriotizmi, u kujtojnë kryqin e thyer e u bien kokës”. Por në lajme jepet një ditë pas zgjedhjeve njoftimi, se në radhët e grupit parlamentar të AfD kanë nisur përçarjet. Parussel është i shtangur. Ai vetë papritur nuk është më i sigurt, nëse partia e tij do të ekzistojë edhe pas katër vjetësh. “Po zien vrullshëm! Shumë vrullshëm”. Grindjet në AfD nuk i interesojnë socialdemokratit Endruscheit. Ai do t’i fitojë sërish njerëzit në zonën e tij në veri të Esenit për demokracinë. Si p.sh. duke bërë diçka kundër plehrave në rrugë. Qytetari duhet të rifitojë ndjenjën, se politikanët kujdesen për të. Më shumë se të shpresojë për kohë më të mira nuk i mbetet socialdemokratit Karlheinz Endruscheit. E qartë është vetëm, se që pas zgjedhjeve në Essen shumë gjëra kanë ndryshuar e nuk janë më si më parë.