Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe ministër i Punëve të Jashtme Nikolla Poposki, sot realizoi takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier.
Siç informojnë nga MPB në takim janë këmbyer mendime për gjendjen politike aktuale në Republikën e Maqedonisë, si dhe për bashkëpunimin e përgjithshëm të Maqedonisë me OSBE-në. Poposki e potencoi dobishmërinë nga mbështetja e Organizatës e cila është e përkushtuar në reformat zgjedhore, integrim përmes arsimit dhe procesit për integrimin e Republikës së Maqedonisë në BE. Bashkëbiseduesit kanë këmbyer edhe mendime për çështjet më aktuale në planin politik, në periudhën paszgjedhore.
Ministri Poposki e theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve nga Ballkani konform praktikave dhe standardeve më të mira të pranuara në OSBE. Në atë kontekst, e theksoi takimin ministror të paradokohshëm të vendeve të Ballkanit që synon drejt “qasjes së përbashkët për hyrje më të shpejtë në BE”, si dhe sistemin e dakorduar joformal për koordinim dhe harmonizim të aktiviteteve të grupit të shteteve në Rajon, që synojnë drejt anëtarësimit në BE, theksohet në kumtesë.