Vendosja e emigrantëve që vijnë në territorin e Republikës së Maqedonisë prej një vendi-anëtar i Bashkimit Evropian nuk është i mundur. Homologu im i Austrisë, Sebastian Kurc është interpretuar gabimisht, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, i cili qëndron për vizitë dyditore në Bruksel.
Reagimi i Poposkit pason pas deklaratës së Kurcit se “gjysmë milionë e emigrantëve duhet të vendosen në vendet ballkanike”. Sipas Poposkit, vendosja e refugjatëve nuk është opsion dhe Maqedonia mund të ndihmojë vetëm për rrjedhat e emigrantëve dhe në këtë pjesë do t’i kryejë obligimet e veta, ndërsa gjithçka tjetër është çështje e një trajtimi të sigurt dhe human të cilin do ta marrin emigrantët të cilët migrojnë prej një vendi-anëtar të Bashkimit Evropian në një vend tjetër të Unionit.
Ministri i Punëve të Jashtme konfirmon se është mik personal me ministrin austriak Kurc dhe se për deklaratën e tij ka biseduar edhe me të dhe i kanë qartësuar gjërat. “Po, kemi biseduar. Mendoj se bëhet fjalë për intepretim të gabuar. Nga njëra anë, është e saktë se BE-ja angazhohet për krijimin e këtyre qendrave për pranim në destinacione të sigurta, por më afër destinacionit prej ku vijnë këta emigrantë. Maqedonia nuk mund të futet në këtë përshkrim, pasi që, që të vijnë në Maqedoni, emigrantët kalojnë disa vende të cilat janë të sigurta. Kështu që nuk ka kurrfarë logjike që në Maqedoni të vendoset ndonjë refugjat apo azilkërkues i cili paraprakisht ka kaluar territore të sigurta”, konstatoi Poposki.