Shkup, 9 shkurt – Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq e dinte se ka ardhur në Republikën e Maqedonisë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki në konferencën e sotme për shtyp duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Daçiq i cili mori pjesë në Takimin ministror të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Shkup, e din se në cilin shtet ka ardhur. “Lajm i mirë është se nuk është i vetmi nga Serbia i cili e di se vjen në Republikën e Maqedonisë. Unë do t’i ftoj të gjithë miqtë tanë nga Serbia të vijnë dhe ta vizitojnë Republikën e Maqedonisë sepse ka shumë çka të shohin mirë”, tha Poposki. I pyetur nëse ka marrë sqarim nga Daçiq për deklaratën e tij se Serbia nuk është dashur ta njohë Maqedoninë nën emrin e vet kushtetues dhe se në marrëdhëniet e mëtutjeshme multilaterale duhet të përdorë IRJM, Poposki tha se ministri serb i është përgjigjur “ndryshe nga ajo që e ka thënë publikisht”. “Ne kemi mirëkuptim për atë se është jashtëzakonisht me rëndësi çështja rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, por jemi të vendosur të shkojmë rrugës së bashkëpunimit rajonal, të gjejmë zgjidhje për të gjitha ato çështje në domenin rajonal dhe përfundimisht sa mirë do të jetë imazhi për ne dhe në çfarë rajoni të mirë do të jetojmë varet nga secili prej nesh. Besoj se secili prej nesh do të ulet dhe do të rishqyrtojë cilat janë hapat të cilat na çojnë drejt një rajoni më të mirë, të cilin do ta identifikonin si pjesë të Evropës sipas rrugës natyrale. Në të kundërtën do të kontribuojmë për të gjithë ata të cilët dëshirojnë shumë më vonë apo asnjëherë të mos mund të hyjmë në BE. Detyrë jona është të luftojmë kundër kësaj”, deklaroi Poposki në konferencën për shtyp pas takimit ministror të vendeve nga Ballkani Perëndimor që u mbajt sot në MPJ-në e Maqedonisë.