Uashington, 24 qershor – Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo deklaroi sot se SHBA-ja po punon me vendet evropiane dhe vendet tjera se si të rivendoset udhëtimi i sigurt pas masave kufizuese të lidhura me koronavirusin.
Ai e dha këtë deklaratë pasi u paraqitën kriteret e BE-së në bazë të të cilave u ndalohet amerikanëve të udhëtojnë në vendet evropiane, për shkak të shkallës së lartë të infeksioneve me koronavirus.
“Ne po punojmë për të gjetur mënyrën e duhur për ta bërë atë, në kohën e duhur, me taktikat e duhura”, i tha Pompeo një konference për shtyp.
Ai theksoi se amerikanët nuk duan të shkaktojnë probleme askund.
“Jam i sigurt se në javët e ardhshme do ta zgjidhim këtë jo vetëm midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por edhe midis SHBA-së dhe pjesëve të tjera të botës”, tha Pompeo.