Soçi, 14 maj – Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, sot në Soçi i kërkoi Rusisë t’i japë fund mbështetjes së presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pas takimit të tyre, Pompeo tha se Maduro “nuk bëri asgjë për popullin venezuelas përveç mjerimit”, pwrcjellw KOHA.
“Ne shpresojmë që mbështetja e Rusisë për Maduron do të ndërpritet,” tha Pompeo.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë “që të gjitha vendet që ndërhyjnë në Venezuelë të mos e bëjnë më këtë ” dhe ta kthejnë demokracinë në këtë shtet të Amerikës Latine.
“Aty ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa ndërhyrje nga asnjë vend tjetër”, tha Pompeo.
Lavrov, nga ana e tij, tha se kërcënimet nga Administrata amerikane ndaj autoriteteve venezueliane “nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë”.
“Ndërhyrja amerikane në demokracinë në Irak dhe në Libi në dekadën e parë të këtij shekulli nuk ka sjellë ndonjë të mirë”, tha Lavrov në konferencë e përbashkët të shtypit me Pompeon. (koha.mk)