Tërheqja e trupave të SHBA-ve nga Siria nuk do të ndalet, pavarësisht kërcënimeve turke kundër aleatëve kurdë të Washingtonit atje.
Kështu ka thënë Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duke premtuar të sigurojë që kurdët do të mbrohen ende, njofton Klan Kosova.
Vizitat e paparalajmëruara në Bagdad dhe kryeqytetin rajonal kurd Erbil, erdhën në ditën e dytë të turneut të Lindjes së Mesme, ku Pompeo do ndalet gjithashtu edhe në Jordani, Egjipt, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Oman, njofton Klan Kosova.
Pompeo ka për detyrë të shpjegojë politikën e Washingtonit në rajon, pas njoftimit të Trump për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Siria.
Ky vendim i Donald Trump, tronditi aleatët dhe erdhi si një goditje ndaj zyrtarëve të lartë të SHBA, me Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis që vendosi të japë dorëheqjen.