Për herë të parë vizitoja Poloninë, dhe përshtypjet që po përcjell nuk janë të një turisti, por janë ndarje e habisë me ju për një zhvillim të dëshiruar dhe mbi të gjitha të mundur. Polonia si simbol por dhe shpresë, se e gjitha për të cilën flasim, e asaj që na premtojnë politikanët për integrimet dhe transformimet, për zhvillimin dhe mirëqenien, edhe bëhen, arrihen të gjitha, për jo shumë vite, por sigurisht me dije dhe të zotët përpara
Nga Nazim RASHIDI
Ky nuk është një udhëpërshkrim. Nuk është një tekst që shkruhet për përshtypjet pasi ke vizituar një vend. Në fakt është një leksion, por që vjen pas një udhëtimi. Janë mbase mësime, mësime nga Polonia. Mësime për zhvillimin, për integrimet, për dedikimin dhe sidomos për transformimin që duhet ta bëjë një shoqëri dhe shteti vetë. Një gjë mund ta them hapur, se udhëtimin që bëra para pak ditësh në Poloni më ka habitur tej mase për mirë.
Të gjithë e dimë se Polonia është një shtet i madh, mbi 38 milionë banorë, apo edhe informacionet që dalin herë pas here për ekonominë në rritje dhe zhvillimin më të madh në Evropë. Mbase disa herë lexojmë e shohim lajme kur ka zgjedhje ose mund të ketë ndonjë kuriozitet më shumë kur fliste Donald Tusk, meqë të gjithë i kanë sytë nga Bashkimi Evropian këto ditë. Por realiteti është se dimë shumë pak për Poloninë, e sidomos për gjithë zhvillimin që e ka bërë dhe jo për shumë vite. Arsyeja që po e përmend është pikërisht sepse pashë një model zhvillimi i cili me sa duket është i mundur dhe ku transformimet e mëdha mund të bëhen për vetëm pak vite, pra të cilat do të mund t’i shihnim dhe preknim, apo dhe t’i jetonim të gjithë.
Polonia, si ne, është shtet që vjen nga ish regjimi komunist. Edhe atje regjimi ishte i ashpër duke lënë pasoja edhe në njerëz, edhe në ekonomi, edhe në mirëqenie edhe në zhvillim. Polonia bëhet pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2004. Pra fiks para 25 vjetësh. Sigurisht që përgatitjet kishin filluar paraprakisht. Por zhvillimi aktual i saj, madje dhe rritja edhe e rëndësisë brenda bllokut, kanë ndodhur vetëm 15 vitet e fundit. Tashmë me ekonomi në rritje dhe siç tha një zyrtar “tani po bëhemi të pasur” ndodh për një kohë dhe periudhë që secili prej nesh do ta dëshironte ta arrinte gjatë jetëve tona.
Por këtu është çelësi. Ok, përtej entuziazmit të zyrtarëve apo dhe njerëzve të cilët kur rrinë me të huaj, natyrshëm shfaqin sentimente më pozitive të vendeve të tyre, në këtë rast një çështje ishte thelbësore: Edukimi. Pajtohem, asgjë e re. Madje krejt e zakonshme. Por me një dallim ama. Realisht dedikim të plotë tek edukimi dhe njerëzit e edukuar më së mirë pastaj e çuan vendin përpara. Një nga vendimet më të rëndësishme, siç na u sqarua, pas rënies së sistemit monist, që kishte marrë Polonia, ishte që të përfshihej dhe integrohej në Evropën e vlerave të tjera. Dhe hapi dhe pyetja e parë e bërë, se “si do ta arrijmë këtë?”, kishte sjellë përgjigjen naive, të thjeshtë, aq të kuptueshme: me edukim. Menjëherë kapacitetet e vendit ishin përqendruar për të kuptuar e mësuar se si funksiononte BE-ja dhe cilat ishin reformat që duhej të bëheshin, dhe me vendim të prerë për synimin e caktuar, arrihet qëllimi.
Sigurisht, që historia tragjike e Polonisë sidomos gjatë luftës së dytë botërore, përplasjet mes lindjes dhe perëndimit, konteksti i madh historik për të përfshirë Evropën qendrore në BE, ndihmonin këtë kauzë integruese që të ndodhte më shpejtë, por shumë çka ama pastaj mbetej dhe mbetet në dorë të vetë vendeve. Maqedonia e Veriut, për pak kohë do të fillojë negociatat përfundimtare për anëtarësim në BE. Lajmet e fundit thonë se jo më së voni se në tetor do të përcaktohet data e negociatave. Përtej debateve, zhgënjimeve, apo dhe entuziazmit, çështja ka qenë dhe do mbetet: a ka kapacitet njerëzor vendi për ta përballuar këtë fazë të transformimit të shoqërisë? Ky është mësimi që shihje gjithë andej në Poloni. Shoqëria dhe vetë funksionimi i qyteteve kishte standarde të larta perëndimore. Ashtu mbase siç e pret ta shohësh në Gjermani dhe Danimarkë. Por ky transformim, vjen vetëm dhe vetëm nëpërmjet njerëzve. Çështja tek ne mbetet thelbësore, a ka njerëz të përgatitur, të trajnuar, të edukuar për ta marrë mbi supe procesin e transformimit total.
Dyshimet janë të mëdha. Fillimisht për vetë nivelin e administratës. Edhe kjo që them nuk është asnjë zbulim. Por jemi vazhdimisht nën trysninë e paaftësisë. Të atyre zyrtarëve që drejtojnë drejtori për integrime apo bashkëpunime ndërkombëtare e s’dinë gjuhë të huaja. Jemi vazhdimisht nën trysninë e partive, ku duhet të jesh partiak i devotshëm, i zellshëm të sjellësh vota, madje me çdo kusht, që të marrish poste të cilat edhe si kupton. Dhe kjo merr aq shumë peshë, kur ke përpara krahasime. Dhe krahasimi është brutal. Një vend i zhvilluar, surprizë për mua e pranoj, por i zhvilluar mbi bazë ekspertize dhe cilësie sigurisht të shfrytëzuar nga politika, përballë realitetit tonë, që duket si një avion i vogël, i vjetruar, por që punon disi, e megjithatë me gjithë zhurmën që e bën, as e si të ngihet e të fluturojë një qiellin blu me yjet e verdha. Sërish e gjitha kjo për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore. Sigurisht. Zhvillimi vjen dhe për shkak të investimeve. Kur je pjesë e BE-së aksesi në fonde është i lehtë, por edhe llogaridhënia ama. Dhe aksesi në fonde ishte i qartë në Poloni. Gjithandej kërciste luksi. Kishte tek tuk gjurmë të sistemit të kaluar, por kryesisht madhe edhe përtej fushave buzë rrugëve, shikoje pamje zhvillimi. Këto të gjitha bëhen me investime. Por të cilat duhet t’i thithësh, të dish t’i shfrytëzosh dhe të përfitosh prej tyre.
Sërish gjithçka na kthen tek arsimimi i duhur. Çështja është, ja e morëm datën në tetor, dhe fillojnë negociatat: Por e bëjmë dot ne integrimin? Kur partia Laburiste bënte fushatë për zgjedhjet e vitit 1997, e drejtuar nga Tony Blair, slogani fitues i fushatës ishte: “Arsim, Arsim Arsim”. Aq i rëndësishëm është dhe do të jetë edhe për vendet më të zhvilluara. Por partitë tona, meqë vendosin për gjithçka, e bëjnë dot këtë hap, ku fokusi të jetë tek edukimi dhe arsimi i duhur dhe mbi të gjitha tek profesionistët që të marrin përsipër proceset? Nuk e di. Për deri sa, me sa dëgjojmë e shohim se ka ende vendime arbitrare, interesash banale, kalkulime dhe intriga, gjithçka duket e largët.
E thashë që në fillim. Për herë të parë vizitoja Poloninë, dhe përshtypjet që po përcjell nuk janë të një turisti, por janë ndarje e habisë me ju për një zhvillim të dëshiruar dhe mbi të gjitha të mundur. Polonia si simbol por dhe shpresë, se e gjitha për të cilën flasim, e ato që na premtojnë politikanët për integrimet dhe transformimet, për zhvillimin dhe mirëqenien, edhe bëhen, arrihen të gjitha, për jo shumë vite, por sigurisht me dije dhe të zotët përpara.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)