Laura PAPARANIKU
Shkup, 14 dhjetor – Pas përfundimit të fazës për përgatitjen e Projektit Ideor për ndërtimin e Kompleksi Universitar “Nënën Tereza” në Shkup, ky i fundit ka hyrë në fazën e dytë, atë të Realizmit të Projektit Kryesor (Zbatues). Kjo nuk nënkupton fillimin e punëve ndërtimore, por fazën e përgatitjes së dokumentacionit dhe rregullimin e procedurave paraprake deri në sigurimin e lejes për ndërtimin e atij kompleksi. Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, thotë se firma e kontraktuar për realizmin e Projektit Zbatues do të paguhet për të gjitha shërbimet 788.676 euro dhe ka afat deri në prill të vitit të ardhshëm që të mbyll obligimet e marra përsipër deri në dorëzimin e kërkesës për marrjen e lejes së ndërtimit. Pollozhani është optimist se në pranverë do të nisin punimet për ndërtimin e kompleksit universitar, pasi në Projektin Zbatues, sipas tij, janë përfshirë të gjitha elaboratet e kërkuara me Ligj për marrjen e lejes së ndërtimit.
Pra, krahas elaborateve për ndërtimin e objekteve (me një sipërfaqe prej 35.595 metra katrorë), në Projektin Zbatues janë përfshirë gjithashtu: elaborati i projektit arkitekturor (32.000 metra katrorë), elaborati i parkingut nëntokësor (14.000 metra katrorë) dhe elaborati i parterit (13.507 metra katrorë). Është përfshirë gjithashtu edhe angazhimi për përgatitjen e dokumentacionit me shërbime si: elaborati gjeodezik, gjeometrik, revizioni i projektit, studimi për vlerësimin e parametrave sezimiologjike dhe të ngjashme. Asnjëri prej projekteve dhe angazhimeve të përfshira në Planin Zbatues, sikurse sqaroi rektori i “Universitetit Nënë Tereza”, nuk ka çmim të njëjtë. Nëse vlera mesatare për projektin kryesor është 8.93 euro për një metër katrorë, vlera e projektit të parkingut është 5 euro për metër katror, apo e dokumentacionit 1.68 euro për metër katror. Të gjitha së bashku, sikurse tregoi Pollzohani, përfshinë punë për një hapësirë prej 95.102 metra katror në total, ndërsa vlera mesatare e të gjitha punëve është 8.29 euro. Ai sqaron se përfshirja e të gjitha punëve paraprake, deri në marrjen e lejes, në Planin Zbatues është bërë me qëllim të shkurtimit të kohës për ndërtimin e kompleksit universitar. Komisioni profesional, në përbërje të arkitektëve dhe ekstremë të çështjeve juridike, kanë konsideruar se kjo është “zgjidhja më fatlume, më efikase dhe më racionale për afrimin e projektit të kompleksit universitar deri në fazën e fillimit të punëve ndërtimore”, sikurse shprehet rektori i UNT-së. I këtij mendimi është edhe profesori i arkitekturës, Vebi Fazliu, që është edhe anëtar i Komisionit të posaçëm të UNT-së për ndjekjen e procedurave për realizmin e projektit të kampusit universitar. “Nëse do të shkonim hap pas hapi, pra nëse njëherë do të përgatisnin projektin kryesor për objektet fizike (godinat), pastaj të nisnin punën për projektin e hapësirave të jashtme dhe më vonë për përgatitjen e dokumentacionit për çështjet pronësore juridike, do të na nevojitej të paktën edhe një vit kohë më shumë se sa koha në dispozicion të Projektit Zbatues”, pohon Fazliu.
Nëse merret parasysh që ndërtimet në këtë fazë kanë koston mesatare nga 8 deri në 10 euro për metër katror, mesatarja prej 8.29 euro e UNT-së, sipas përfaqësuese të këtij universiteti, tregon se janë në kufij të minimales. Përveç kësaj, ata vlerësojnë edhe faktin se për Projektin Zbatues të kompleksit universitar të UNT-së është ruajtur edhe standardi prej rreth 3 për qind e vlerës së përgjithshme. Për ndërtimin e komplet UNT-së është premtuar të ndahet buxhet prej 21 milionë euro, ndërsa Plani Zbatues do të kushtojë 788.676 euro, të cilat do të sigurohen nga buxheti përkatës që MASH ka planifikuar për UNT-në në vitin 2018, e që është rreth 3.250.000 euro. Në muajin maj-qershor, në bazë të parashikimeve optimiste do të haset tenderi për firmën ndërtimore. Nëse gjithçka shkon sikurse është planifikuar, në muajin qershor do të vihet edhe gurthemeli për ndërtimin e kampusit universitar sipas projektit ideor “Duart” e përgatitur nga firma e njëjtë që është kontraktuar të bëjë Projektin Zbatues.
Rektori Pollozhani thotë gjithashtu se deri në përfundim të këtij viti, UNT do të jetë i kompletuar me 95 për qind të stafit akademik. Për ata vende pune, që eventualisht nuk do të ketë kuadër adekuat, ai thotë se Konkursi do të mbetet i hapur edhe më tej, pasi Ligji për punësim e lejon transferimin e konkursit për plotësimin e vendeve të punës nga njëri vit në vitin pasues, ndërsa për stafin administrativ janë punësuar 12 persona dhe 8 vende të tjera pritet të plotësohen së shpejti. Ende më optimist tingëllon rektori kur flet për çështjen e studentëve. “Këtë vit regjistruam rreth 500 studentë, ndërsa u formuan grupet e programeve studimore të cilat janë esenca e universitetit tonë, pra të fushave teknike. Me afirmimin e punës sonë, shpresojmë se prej vitit të ardhshëm të kemi numër ende më të madh të studentëve pasi kemi shtim të programeve studimore si te shkencat teknike, ashtu edhe tek shkencat sociale”. (koha.mk)