Ligji për zhvillim të barabartë rajonal edhe pas dhjetë vitesh të miratimit dhe realizimit në praktikë nuk ka sjellë zhvillim të barabartë të tetë rajoneve planifikuese në Maqedoninë e Veriut. Një ndarje më e madhe e mjeteve për rajonet më pak të zhvilluara do të krijonte edhe ambient dhe kushte më të mira për investime në këto rajone dhe do të zbuste edhe mërgimin jashtë të popullatës. Kryetarët e komunave kërkojnë të sigurohet pavarësi më e madhe e komunave ngjashëm me komunat evropiane
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 tetor – Ligji për zhvillim të barabartë rajonal edhe pas dhjetë vitesh të miratimit dhe realizimit në praktikë, nuk e ka sjellë këtë zhvillim të tetë rajoneve planifikuese në Maqedoninë e Veriut. Bile edhe pas një dekade ekzistojnë dallime të mëdha në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, jo vetëm të rajoneve por edhe brenda rajoneve ku, bie fjala, në rajonin e Shkupit kemi komuna që kanë trashëguar infrastrukturë të mirë që edhe më tej përmirësohet, si dhe komuna që akoma nuk kanë mundësi të ndërtojnë rrjetin e tërësishëm të kanalizimit dhe ujësjellësit si dhe të ndërtojnë rrugët që lidhin të gjitha vendbanimet e tyre me qendrën, shkruan gazeta KOHA.
Kohë më parë edhe kompetentët kanë konstatuar se në shtet, jo vetëm që nuk zvogëlohen por po rriten dallimet në zhvillim midis vendbanimeve të ndryshme .
“Politika e zhvillimit të barabartë rajonal në shtet po implementohet nga viti 2009 kur është përgatitur strategjia e parë për zhvillim të barabartë rajonal, dy vite pas miratimit të ligjit. Megjithatë në dhjetë vitet e fundit nuk po shënohet ndonjë përparim i madh në kuptimin e uljes së dallimeve zhvillimore midis Shkupit si kryeqytet dhe pjesëve të tjera të shtetit. Përkundrazi, dallimet janë thelluar edhe midis rajoneve planifikuese edhe midis komunave dhe sidomos midis komunave urbane dhe rurale”, vlerëson zëvendës ministri për Vetëqeverisje Lokale, Dejan Pavlevski. Sipas tij, buxheti për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal sivjet është dyfishuar nga 7 në 14 milion euro, ndërkohë që nevojitet edhe shpërndarje e barabartë e investimeve kapitale. Ai paralajmëroi se me ndihmën e përvojave ndërkombëtare do të përgatitet strategji e re për zhvillimin e barabartë rajonal në shtet.
Nga ana tjetër përfaqësues të biznesit se Maqedonia e Veriut duhet më shumë të përqendrohet në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e biznesit dhe të kushteve për jetesë në rajonet më pak të zhvilluara në vend.
“Pushteti nevojitet që të ketë një fokus të veçantë në ngritjen e infrastrukturës në rajonet e pazhvilluara. Përveç fondeve ekzistuese duhet të krijohet edhe një fond i posaçëm që do të mbushet nga ana e afaristëve me kritere të caktuara ngjashëm me modelet evropiane ku më shumë mjete do të ndahen për rajonet më pak të zhvilluara në shtet”, thotë Xhemali Dauti, pronar i kompanisë “Dauti Komerc”. Sipas tij, një ndarje më e madhe e mjeteve për rajonet më pak të zhvilluara do të krijonte edhe ambient dhe kushte më të mira për investime në këto rajone dhe do të zbuste edhe mërgimin jashtë të popullatës. Maqedonia e Veriut vite me radhë shënon zhvillim jo të barabartë rajonal. Këtë e dëshmojnë statistikat, sipas të cilave nga tetë rajone në shtet, ai i Pollogut, me 1929 euro të PBB është më i varfëri. Nga ana tjetër, sipas këtij treguesi ekonomik që paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda një rajoni apo shteti në një vit, rajoni më i pasur është ai i Shkupit me 5673 euro për kokë banori, i pasuar nga rajoni i Vardarit me 4371 euro dhe ai Juglindor me 4333 euro. Rajoni i Pellagonisë është i katërti me 3.955 euro, ndërsa ai Lindor me 3689 euro është i pesti. Në tre vendet e fundit renditet rajoni Jugperëndimor me 2.906 euro, ai Verilindor me 2462 euro dhe krejt i fundit me 1929 euro, është rajoni i Pollogut.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se për zhvillimin jo të barabartë rajonal në Maqedoni ekzistojnë më shumë shkaqe duke filluar nga mungesa e i investimeve të shtetit në mënyrë të barabartë, kapaciteteve të dobëta të pushteteve lokale për tërheqjen e fondeve të huaja, si dhe bartja e obligimeve por jo edhe të mjeteve financiare ndaj komunave nga ana e pushtetit qendror. Kryetarët e komunave të organizuara në BJNVL, thonë se në vitet e kaluara është minimizuar procesi i decentralizimit, dhe kërkojnë të sigurohet pavarësi më e madhe e komunave ngjashëm me komunat evropiane. Gjithashtu komunat kërkojnë edhe rritjen e bllok-dotacioneve për realizimin cilësor të kompetencave të ndryshme
“Nevojitet një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare , që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra , që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohet edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga Tatimi i Vlerës së shtuar nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind”, thonë nga BNJVL. Sipas tyre duhet që edhe që edhe tatimi mbi lojërat e fatit dhe automatet të jetë e hyrë e komunave, ndërsa shkalla e tatimit të pronës, si tatim lokal më i sigurt dhe më i drejtë, të rritet në etapa nga 0.10 për qind – 0.20 për qind në 0.40 për qind – 0.50 për qind. Nga atje shtojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet sa më shpejt.
Nga BNJVL thonë se edhe pse në vitet e fundit është bërë progres i caktuar në pushtetin lokal, ato vlerësojnë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe e kënaqshme, që decentralizimi i pushtetit në vitet e fundit është lënë pas dore dhe harruar, dhe për shkak të kësaj kryekomunarët konsiderojnë se reforma e sistemit të vetëqeverisjes lokale duhet të vazhdojë dhe përsëri të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë s ë Veriut. (koha.mk)