Tetova dhe Gostivari, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, si një nga qendrat kryesore të Vilajetit të Kosovës, kishin nxjerr nga gjiri i vet personalitete të shquara politike-luftarake me taban kombëtar, që kishin peshë në vendimmarrjet e mëdha të shqiptarëve në tërë territorin etnik shqiptar
Shkruan: Ismail ARSLLANI
Ditë më parë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup edhe zyrtarisht vendosi të shtrijë aktivitetin e vet në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, duke hapur disa Qendra Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Një prej atyre Qendrave në të ardhjen do të funksionojë edhe në Tetovë, me një emër mjaft emblematik – “Deralla”, e cila do të fokusohet në ndriçimin e trashëgimisë shpirtërore e materiale të rajonit të Pollogut.
THEMELIMI I VENDBANIMEVE
Pollogu, një fushë e pëlleshme që shtrihet rrëzë vargmaleve të Sharrit drejt Malit të Thatë, në gjatësi prej më se 50 kilometrash, që nga kohët më të hershme njihet si një vend i përshtatshëm për të jetuar, me disa dhjetëra vendbanime të vogla fshatare, si Gradeci (Draudrakum), Piroku (Pirgoz), Leshka (Leska) etj., të cilat, sidomos pas shek. XII, kanë qenë politikisht mjaft të rëndësishme. Në këtë rrafsh fushor, që më herët kanë zënë fill edhe dy vendbanime të tjera, Tetova dhe Gostivari, të cilat gjatë pushtimit osman shndërrohen në kasaba (qyteza), me një zhvillim të konsiderueshëm të zejtarisë, tregtisë, infrastrukturës e parametrave të tjera civilizuese, por edhe në qendra të rëndësishme politike e ushtarake.
Shkrimet e para për ekzistimin e Tetovës, si vendbanim, përfshijnë të dhëna që nga periudha antike, kur është njohur me emrin antik Enea (Oeneum). Një dokument qenka gjetur në Arkivin e Vatikanit, ku shihet se Tetova e atëhershme është quajtur OENEUM. Sipas disa të dhënave nga autorë të huaj, fusha e Pollogut në fillimet e saj ka qenë një liqen. Këto të dhëna mbështeten në shenjat e zbuluara në kodrën e Balltepesë, afër Tetovës, një rrafshnaltë me shkëmbinj të liqenit, në lartësi mbidetare prej 770 metrash. Gjetjet arkeologjike në disa lokalitete dëshmojnë se në rajonin e Pollogut ka ekzistuar një civilizim i hershëm dhe i pandërprerë deri në ditët e sotme, që për rrjedhim ka pasur vazhdimësinë e qytetërimit të lashtë pellazg-ilir, së paku 3 mijë vjet para erës sonë.
Sipas dokumenteve turke, Tetova në shekullin XIV është trajtuar si fshat, ndërsa si qendër përmendet në vendin e Vakëfit të Mehmet Beut, në vitin 1436, ku thuhet se vendbanimi ka pasur shumë dyqane dhe punëtori, si dhe lagje të reja. Sipas udhëpërshkruesit turk, Mehmet Evlia Çelebia, Tetova ka filluar t’i ngjajë qytetit në vitin 1470.
Me ardhjen e turqve osmanë në këto territore, edhe Tetova sikur disa qytete të tjera, si Prizreni, Shkupi, Manastiri etj., fillon zhvillimet e para si qytet, ndërkohë që gjatë asaj periudhe ndërtohen disa objekte kulturore–historike, siç janë Xhamia e Pashës (apo e Larme), Teqeja Harabati Baba, Hamami i vjetër pranë lumit Shkumbin, Kalaja e Abdurrahman Pashës, disa xhami, konakë pashallarësh, ura të gurit mbi lumin Shkumbin, sahat kulla etj. Me këto ndërtime dhe një zhvillim të zejtarisë, për herë të parë Tetova përmendet si qytet në vitin 1689.
Megjithatë, një zhvillim më i dukshëm i Tetovës, sipas dokumenteve të shkruara nga udhëpërshkrues të ndryshëm, vërehet në pjesën e dytë të shek. XIX deri te Luftërat Ballkanike, kur Tetova bëhet qendër tregtare dhe zejtare.
Një nga objektet më markante kulturore-historike të Tetovës si qytet, të trashëguar nga koha e sundimit Osman, është Xhamia e Pashës, e cila është ndërtuar së fundmi nga Abdurrahman Pasha në vitin 1832, një objekt kulti me dekorime orientale islame, arabeska dhe ornamente të rralla për nga vlera artistike, për çka ky objekt sakral është edhe nën mbrojtjen e shtetit, si dhe është cak i itinerarit turistik.
PERIUDHA E SKËNDERBEUT NË POLLOG
Të flitet për vendbanimet e Pollogut dhe të mos përmendet Skënderbeu, është e pamundur. Ai është bir i kësaj treve, nga nëna Vojsava e familjes Tribalda, e lindur në fshatin Gradec, një vendbanim ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit. Në Pollog, njihej nga vendasit një kohë e quajtur si “periudha e Skënderbeut”. Kjo lidhje me Skënderbeun kishte për rrjedhim familjen Kastrioti, kur ky rajon dhe vetë qyteti i Tetovës kanë qenë pjesë përbërëse e Principatës së Kastriotëve, asokohe e udhëhequr nga Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Ky fakt mund të vërehet tek Gjon Muzaka, në gjenealogjinë e familjes së tij dhe tek Marin Barleti, në veprën “Historia e Skënderbeut”. Kjo dëshmon se figura historike e Skënderbeut kishte lidhje trungu e gjaku me Pollogun.
Në anën tjetër, regjistrat kadastrale osmane kanë dhënë shumë të dhëna në lidhje me përbërjen etnike të trevave lindore shqiptare, si dhe dëshmi të tjera për atë se prezenca e popullsive sllave në këto territore ishte e vogël. Ekzistojnë dy regjistrime osmane, ai i viteve 1452-1453 dhe 1467-1468. Sipas autorit Sokollovski, gjatë regjistrimit të viteve 1452-1453, në Tetovë janë regjistruar 45 familje shqiptare dhe 20 serbe. Sipas mendimit të autorit Kasem Biçoku, Tetova gjatë kësaj periudhe nuk ishte e regjistruar si qytet, por si fshat, nga shkaku se nuk kishte kështjellë. Sipas dokumenteve osmane të kohës, hartuesi i regjistrit osman ka shkruar emrat etnikë shqiptarë, kryesisht në trajtën osmane.
KOHA E PASHALLARËVE TË TETOVËS
Hasan Pasha, një ndër të parët pashallarë të Tetovës (Kallkandelenit), kishte përparuar në hierarkinë e Perandorisë osmane dhe emërohet vali, ndërkohë që lufton si komandant i ushtrisë osmane kundër Hungarisë. Gjatë shërbimit të tij, Hasan Pasha ndërton në Tetovë mbi lumin Shkumbin urën, që do të quhet Ura e topit /Top kuprusu/.
Trashëgimtari i tij, Koxha Rexhep Pasha, me aftësi të dalluara nga luftaraku dhe administratori, do të përparojë në shërbimet e Perandorisë. Ky pasha kishte dhënë leje për ndërtimin e manastirit Shën Athanasie në fshatin Leshkë të Tetovës, si dhe kishte ndihmuar materialisht ndërtimin e tij. Ai ka ndërtuar edhe Teqenë bektashiane në Tetovë, pas një ndodhie shumë interesante me klerikun Harabati Baba.
Abdurrahman Pasha, i biri i Koxha Rexhep Pashës, ka marrë pjesë në luftën austro-turke të viteve 1788-1791. Gjatë jetës së tij, kishte kryer ndërtimin e Kalasë së Tetovës, të cilën e kishte filluar i ati, për çka kishte shpenzuar 2.016 lira ari. Në vitin 1821, Abdurrahman Pasha kishte ndërtuar Urën e madhe afër Xhamisë së Pashës, të cilën po ashtu e kishte meremetuar vetë. Pushteti monarkist i Mbretërisë Jugosllave e prish këtë urë në vitin 1934. Abdurrahman Pasha, i syrgjynosur, vdes në Stamboll, pasi ishte ftuar nga Sulltani.
Porta kishte intervenuar kundër Abdurrahman Pashës dhe vëllezërve të tij, Hysein Pasha dhe Havzi Pasha, sepse kishin deklaruar haptas se nuk janë në gjendje të mbledhin rekrutë për Ushtrinë perandorake dhe kërkonin pavarësi nga Perandoria, për të krijuar një autonomi në pashallëkun e vet. Sapo kishte arritur lajmi për vdekjen e Havzi Pashës në Shkup, gjithë popullata shqiptare, ishin ngritur në kryengritje nën udhëheqjen e Dervish Carës, i cili ishte shumë i afërt me Havzi Pashën dhe Abdurrahman Pashën.
TETOVA DHE GOSTIVARI ME TABAN KOMBËTAR
Tetova dhe Gostivari, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, si një nga qendrat kryesore të Vilajetit të Kosovës, kishin nxjerr nga gjiri i vet personalitete të shquara politike-luftarake me taban kombëtar, që kishin peshë në vendimmarrjet e mëdha të shqiptarëve në tërë territorin etnik shqiptar. Kështu ishte rasti edhe me marrjen e vendimit, përgatitjen dhe mbajtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, një nga ngjarjet kryesore historike-kombëtare shqiptare në përcaktimin e fatit të popullit, si dhe të rrjedhave të mëtejme historike që do të ndodhin në këtë periudhë.
Në vigjilje të mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 22 maj të vitit 1878, në Tetovë, ishte mbajtur një tubim i madh popullor i protestës kundër vendimeve të Shën Stefanit, që katandisnin fatin e tokave të banuara me shqiptarë. Prej këtij tubimi të tetovarëve doli një Memorandum, të cilin ia drejtuan Sulltanit në Stamboll, ndërsa atë ia dorëzoi personalisht, njeriu më me autoritet dhe ndikim në popull, Sheh Mustafë Tetova.
Gradeci i Gostivarit ishte një fshat i njohur në Pollog. Familja e njohur patriotike Deralla, për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë rrjedh nga Gradeci. Nuk dihet me saktësi koha se kur ka ardhur kjo familje në Tetovë, por konsiderohet se ka ardhur para Hasan Pashë Derallës, për të cilin ka dëshmi se ka dhënë kontribut të madh me veprimtarinë patriotike të tij në Tetovë. Ai ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878. I biri i tij, Mehmet Pashë Deralla, ishte në krah të Ismail Qemalit, kur u ngrit flamuri kombëtar më 28 nëntor 1912 në Vlorë dhe ishte zgjedhur ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Figurat atdhetare, patriotike e kombëtare nga Tetova dhe Gostivari, në një hark kohor prej shekujsh ishin Abdurrahman Pasha, Dervish Cara, Sheh Mustafa Tetova, Hasan Pashë Deralla, Mehmet Pashë Deralla, Xhemë Hasa, i njohur si Xhemë Gostivari, Shaip Kamberi, dr. Xhafer Sulejmani, Mehmetriza Gega e një plejadë e tërë personalitetesh të tjera që kanë vërë vulë në historinë tonë kombëtare.
Tetova, pas Lidhjes së Prizrenit (1878), në punimet e së cilës kishte edhe përfaqësues të vet, si Hasan Pashë Deralla, Sheh Mustafë Tetova e ndonjë tjetër, deri në shembjen e Perandorisë osmane, në vitin 1912, ka qenë në shënjestër të disa gazetave britanike, amerikane dhe australiane. Për herë të parë, përmendet në një gazetë britanike, që në vitin 1878. Pikërisht më 25 mars të vitit 1878, në vigjilje të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, botohet një artikull gazetaresk për Tetovën, në gazetën britanike “The Guardian”, në të cilin publikohet Marrëveshja e re e Shën Stefanit, ku vihet në pah se kufijtë e Bullgarisë duhet të shkojnë deri në Tetovë. Në një statistikë turke të regjistrimit të popullatës nga viti 1908-1909, jepet një tabelë me qytetet e Vilajetit të Kosovës, ku bën pjesë edhe Kazaja e Tetovës, ku shihet qartë se në këtë kaza ka pasur gjithsej 75.607 banorë, prej të cilëve shqiptarë kanë qenë 52.076 banorë.
Në periudhën 1941-1945, Tetova dhe Gostivari bien nën administrimin e Shtetit Shqiptar, që konsiderohet si një epokë e Rilindjes kombëtare, kur për herë të parë ngrihet zyrtarisht flamuri shqiptar dhe hapen shkollat e para në gjuhën shqipe. Themelohet dhe vepron me taban kombëtar, organizata politike “Besa”.
Në Tetovë, më 22-23 dhjetor të vitit 1968 shpërthejnë demonstratat e pakënaqësisë, për shkak të heqjes së dhunshme të flamurit shqiptar nga sheshi, ideologu i të cilëve ishte Mehmetriza Murtezani-Gega, ndërsa organizatorë ishin të rinjtë, në krye me Faik Mustafën, kur u arrestuan dhe u gjykuan qindra shqiptarë, të cilët vuajtën dënime drakonike me burg. Për gjithë këtë tablo historike për Tetovën, mungon një monografi.
Duke u nisur nga gjithë kjo histori e lavdishme, e cila përbën edhe kronikën më autentike të rajonit të Pollogut, shpresojmë që tash e tutje në mënyrë institucionale, përmes QRTK “Deralla” do të dalin në shesh edhe dëshmi tjera që do ti japin këtij rajoni vulën e verifikimit shkencor të faktografisë, aq shumë e domosdoshme për të shkundur pluhurin e harresës dhe pakujdesisë nga memorja jonë kolektive.
Gjenerali Mehmet Dëralla ka qenë i caktuar ministër i Luftës nga kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Paraprakisht ai luajti rol të rëndësishëm në organizimin e veprimeve luftarake të Lidhjes së Prizrenit