Krahas pamjes së shëmtuar, e cila ka pasoja edhe në ndotjen e ajrit, poashtu përreth deponive të egra hasen edhe qen të shumtë endacak që më pas paraqesin edhe rrezik për banorët
Urim HASIPI
Tetovë, 13 mars – Në rajonin më të gjerë të Tetovës, vazhdojnë të shfaqen deponitë e egra. Zakonisht këto deponi shfaqen në vende periferike, qoftë ato në viset malore, apo edhe në vendbanimet rurale. Së fundmi, deponi janë hasur në rrugën Tetovë-Sellcë dhe përgjatë rrugës Xhepçisht-Trebosh-Tetovë. Këto deponi të vogla janë mbeturina të amvisërive dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se kjo dukuri është prezente dhe ndodh në periferi të vendbanimeve.
“Problemi me deponitë e egra, të cilët janë të shpeshta në territorin e Komunës së Tetovës, sidomos në fshatrat të cilët gravitojnë afër qytetit, janë si rezultat i vetëdijes së ulët tek individët të cilët mbeturinat nga amvisëritë, por edhe materiale nga ndërtimet – i hedhin ku të mbërrijnë, zakonisht në vende të cilët janë larg syrit të opinionit, por edhe të ndërmarrjes publike komunale Tetova-Tetovë”, kanë deklaruar për gazetën KOHA nga zyra për komunikim me opinionin në Komunën e Tetovës. Edhe pse në disa vende janë vendosur tabela ku theksohet ndalesa për hedhje të mbeturinave, megjithatë ky paralajmërim nuk respektohet. Nga Komuna e Tetovës nënvizojnë së ndërmarrja publike rregullisht grumbullon mbeturinat, por në ato vende ku ka dukuri të këtillë, veprojnë edhe inspektorët përgjegjës.
“Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë kryen rregullisht marrjen e mbeturinave nga lokacionet që janë paraparë për këtë qëllim. Në dukuritë të cilët shfaqen kohë pas kohe, siç janë deponitë e egra – pas denoncimeve të qytetarëve dhe inspektorëve – dilet në terren por zakonisht mungojnë faktet për të shqiptuar dënime ndaj individëve dhe është vështirë të veprohet ligjërisht. Po ashtu në këto vende janë vendosur edhe tabela ku ndalohet hedhja e mbeturinave dhe nëse shkelësit e ligjit kapen në vendngjarje dhe nëse sigurohen fakte për këta qytetarëve, atëherë jepet dënim me vlerë prej 50 deri në 200 euro”, sqarojnë nga Komuna e Tetovës.
Dukuria e paraqitjes së deponive të egra në shumë vende nuk është problem vetëm për pushtetin lokal në Tetovë, pasi me këtë problem përballen edhe Komuna e Tearcës dhe Jegunocit dhe jo vetëm. Përgjatë rrugës Leshkë-Shemshovë në atarin e komunës së Tearcës dhe Jegunocit – në disa vende tashmë janë shfaqur deponi të egra që japin pamje të rënda, por përbëjnë rrezik edhe për përhapje të epidemive të ndryshme. Në ndërkohë, krahas pamjes së shëmtuar, e cila ka pasoja edhe në ndotjen e ajrit nga deponitë e egra, po ashtu përreth tyre hasen edhe qen endacak, të cilët më pas paraqesin edhe rrezik për banorët. Për këtë dukuri dhe këtë problematikë ndër vite në komunat e Pollogut, kërkuam përgjigje edhe nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por nuk morëm përgjigje. Një kohë të gjatë, gazeta KOHA ka raportuar edhe për deponitë e egra në rrugën regjionale Shemshovë-Zhelinë, por deri më tash ende nuk janë marrë masa, ndërsa sasi të mëdha të mbeturinave vazhdojnë të qëndrojnë në atë zonë. (koha.mk)