Nga policia theksojnë se ka vjedhje të inskenuara nga vet pronarët prandaj edhe rikujton se kjo paraqet vepër penale. Atyre të cilët kanë mundësi financiare u këshillohet që të furnizohen me pajisje adekuate mbrojtëse sidomos nëse me ditë apo me muaj të tërë nuk janë në objekte
Urim HASIPI
Tetovë, 8 gusht – Shtëpitë, banesat, vikend shtëpizat, veturat, vazhdojnë të jenë cak i hajnave në rajonin e Pollogut. Gjatë verës, vjedhjet shënojnë rënie kur dihet se pjesa dërmuese e mërgimtarëve vijnë në shtëpitë e tyre, që nuk është e zakonshme në muajt tjerë gjatë vitit, kur ata nuk ndodhen në shtëpi, hajnat shfrytëzojnë këtë mundësi për të kryer vjedhje. Por, kjo nuk do të thotë se hajnat kanë pushuar ngase brenda gjashtë muajve të parë, ka 245 vjedhje të rënda dhe 100 vjedhje tjera, shkruan gazeta KOHA. Sipas shifrave të policisë së Tetovës, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 96 vjedhje, në Tetovë 45 ndërsa në Gostivar 51. “Në ndërkohë, gjatë gjashtë muajve të parë numri i vjedhjeve të rënda është 245, apo 98 në Tetovë dhe 147 janë kryer në Gostivar. Gjatë vitit 2018, numri i vjedhjeve në rajonin e Pollogut ka qenë 303, ndërsa i vjedhjeve të rënda 570. Në Tetovë, gjatë 2018 gjithsej janë regjistruar 104 vjedhje, kurse në Gostivar 199, ndërsa vjedhje të rënda në Tetovë janë regjistruar 296, kurse në Gostivar 272”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Marjan Josifovski, duke treguar shifrat e vjedhjeve për vitin 2018.
Në ndërkohë, shifrat ndër vite tregojnë se plaçkitjet apo vjedhjet e rënda kanë shënuar rritje. Në vitin 2017, për nëntë muaj janë regjistruar 345 vjedhje të rënda në rajonin e Pollogut. Ndërkaq, në vitin 2019 për 12 muaj janë kryer 556 vjedhje rënda, që ka shënuar një rritje nga viti paraprak ku ishin regjistruar 474 vjedhje të rënda. Shumica e vjedhjeve janë kryer ku hajnat kanë hyrë me forcë duke thyer derën hyrëse apo dritaret, ndërsa kanë shfrytëzuar mungesën e familjarëve në shtëpi. “Sektori për punë të brendshme në Tetovë ka ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e vjedhjeve dhe apelon tek pronarët e shtëpive që në mënyrë kualitative të sigurojnë të njëjtat, sidomos nëse nuk janë në shtëpi, por edhe mos lënë në vende te ekspozuara sendet me vlerë, sepse hajnat në mënyrë të shkathtë shfrytëzojnë çdo rast, sidomos nëse dyert nuk janë të mbyllura apo janë dyer jo kualitative për të vepruar”, deklaroi Josifovski.
Nga policia theksojnë se ka vjedhje të inskenuara nga vet pronarët, prandaj edhe rikujton se kjo paraqet vepër penale. Atyre të cilët kanë mundësi financiare u këshillohet që të furnizohen me pajisje adekuate mbrojtëse, sidomos nëse me ditë apo me muaj të tërë nuk janë në objekte. Sipas policisë, hajnat zakonisht kanë informata paraprake se në shtëpi nuk ndodhet askush. “Shfrytëzojnë njerëz të afërm të cilët njohin terrenin dhe më pas kryejnë vjedhjen. Kjo e bën më të vështirë kapjen e tyre në vendngjarje. Zakonisht vjedhjet janë kryer gjatë orëve të natës kur familjarët janë në gjumë ose nuk kanë qenë në shtëpi. Këtë më së miri e shfrytëzojnë hajnat dhe shumë lehtë e kryejnë vjedhjen pa u hetuar dhe pa lënë gjurmë. Po ashtu, në fshatrat malore ku shumica e banorëve janë shpërngulur, por kanë shtëpiza të vogla banimi, atje vidhet më lehtë dhe nuk hetohen nga askush, dhe policia e ka më vështirë për ti gjetur. Në ato shtëpiza vidhen sende prej metaleve të ndryshme dhe hekuri, kurse pastaj shiten në treg me çmim të lartë”, tha zëdhënësi Josifovski. Gjatë dy viteve të fundit, zbardhja e vjedhjeve të rënda është rreth 40 për qind, njoftojnë nga policia e Tetovës, kurse kjo shifër para tre viteve sillej 33 për qind. (koha.mk)