Ligji, sipas drejtuesve të njësisë së zjarrfikësve i obligon komunat që nuk kanë njësi të zjarrfikësve të paguajnë për shërbimet atë njësit që ofron shërbime për atë territor. Megjithatë, komunat rurale në Pollog, nuk bëjnë pagesa në adresë të njësisë së zjarrfikësve të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 13 gusht – Deri më tani në rajonin e Pollogut, njësia e zjarrfikësve në Tetovë ka intervenuar në mbi 400 raste për shuarjen e zjarreve. Vetëm ditëve të fundit janë regjistruar mbi 20 intervenime në zjarre që kanë shpërthyer në pyje ose prona bujqësore por nuk mungojnë edhe zjarret në objekte banimi dhe kasolla bujqësore. Në shumë raste problem në vete qasja deri tek vendi ku ka ndodhur zjarri, thonë nga njësia kundër zjarrit në Tetovë.
“Për këtë vit kemi intervenuar diku në mbi 400 raste të zjarreve. Krahasuar me vitet paraprake, këtë vit kemi një rritje të intervenimeve, ku vetëm tre ditët e fundit kemi mbi 20 zjarre dhe intervenime në aksidente trafiku. Së fundmi kemi patur intervenim, që ishte edhe shqetësuese, pra përfshirja nga zjarri e një shtëpie në fshatin Orashë, e cila pasi është shuar tërësisht e njëjta është rindezur. Poashtu kemi intervenuar edhe në fshatin Gajre, ku kemi hasur në shumë vështirësi gjatë intervenimit për shkak të terrenit të vështirë”, tha Avni Ahmeti, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë. Më shumë intervenime janë regjistruar në vende të hapura, si në pyje, prona bujqësore dhe si pasojë e moskujdesit të bujqve gjatë pastrimit të mbetjeve nga korrje-shirrjet.
Gjatë kësaj kohe, nga ana e njësisë së zjarrfikësve është intervenuar edhe nëpër aksidente trafiku. Aksident më i rëndë ku është intervenuar ka qenë ai në autostradën Gostivar-Tetovë. Këtë vit janë shënuar edhe shumë zjarre si pasojë e aktivizimit të pakujdesshëm të fishekzjarrëve nëpër ahengje familjare. Apelohet që qytetarët të jenë të kujdesshëm sepse rrezikojnë jetën e banorëve duke përdorur fishekzjarrë në ahengje familjare. “Kemi patur dy apo tre intervenime të kësaj natyre, ku si pasojë e fishekzjarrëve është shkaktuar zjarre nëpër objekte të ndryshme. Rasti i fundit ka qenë në fshatin Sllatinë, ku është dashur që për 6 orë të intervenohet të shuhet zjarri. Apeloj për më shumë kujdes gjatë festave familjare”, tha Ahmeti.
Ndërkohë, problem në vete mbetet një territor shumë i madh që mbulohet nga kjo njësi e zjarrfikësve. Ligji, sipas drejtuesve të njësisë së zjarrfikësve i obligon komunat që nuk kanë njësi të zjarrfikësve të paguajnë për shërbimet atë njësit që ofron shërbime për atë territor. Megjithatë, komunat rurale në Pollog, nuk bëjnë pagesa në adresë të njësisë së zjarrfikësve të Tetovës. “Ndihmë nga komunat rurale deri më tash nuk kemi patur dhe ende nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët qoftë në aspektin e mirëmbajtjes qoftë në aspektin e financimit. Apeloj në këtë drejtim që edhe komunat tjera ku japim shërbime të kontribuojnë sepse kjo parashihet edhe në ligjin për vetëqeverisje lokale”, pohoi Avni Ahmeti, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë. Krahas kësaj, së fundi njoftojnë nga njësia e zjarrfikësve të Tetovës është intervenuar edhe në shuarjen e zjarreve edhe nëpër deponi. (koha.mk)