Gjithsej 173 aksidente trafiku kanë ndodhur në rajonin e Tetovës në muajt korrik dhe gusht të këtij viti. Numri është për 26 aksidente më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë Marjan Josifovski.
Sipas tij, në aksidentet gjatë korrikut të këtij viti ka një aksident në të cilin ka humbur jetën një person, pesë me të plagosur, 40 me 83 persona të lënduar lehtë, ndërsa në 50 janë shkaktuar vetëm dëme materiale që vlerësohet gjithsej mbi tre milionë e 100 mijë denarë. Numri më i madh nga gjithsej 96 aksidente në korrik gjegjësisht 47 kanë ndodhur në rrugët e qytetit dhe veçanërisht në bulevardet “Ilindenska”, “Vidoe Smilevski – Bato” dhe “Marshall Tito”. Shkaqe më të shpeshta për aksidentet e korrikut janë shpejtësia e madhe dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Të ngjashme janë edhe të dhënat për gushtin ku prej gjithsej 77 aksidenteve, 20 janë si rezultat i shpejtësisë së madhe, 17 janë si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 14 për shkak të mosrespektimit të përparësisë.
Nga SPB Tetovë edhe një herë e përsëritën apelin deri te shoferët që të mos lëvizin shumë shpejt dhe të mos parakalojnë në vende të pasigurta.
“Shoferët veçanërisht në qytet duhet të jenë të kujdesshëm maksimalisht kur bëhet fjalë për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, ndërsa në rend të parë kundrejt këmbësorëve ose çiklistëve veçanërisht në rrugë ku nuk ka trotuare ose shtigje të biçikletave”, tha Josifovski.