Njohësit e proceseve politike në vend thonë se ky politizim i regjistrimit zanafillën e ka nga Kushtetuta e vendit, sepse të drejtat e bashkësive etnike fitohen në bazë të përqindjes së tyre. Sipas tyre, kjo tregon se vendi jonë ka demokraci të brishtë, sepse në shtet normale, të drejtat e qytetarëve nuk maten me numra, por me funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës
Xhenur ISENI
Shkup, 22 janar – Që kur filloi debati për Ligjin për regjistrim, e që dje kaloi për miratim edhe në Parlament, nuk kanë munguar edhe akuzat për politizim të së njëjtës dhe mosnjohje të rezultatit. Për Ligjin votuan 62 deputetë, ndërsa e mbështetën edhe 29 deputetë pjesëtarë të bashkësive etnike. Për ligjin votuan deputetët nga shumica në pushtet: LSDM, BDI dhe BESA si dhe partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në votim.
Në ndërkohë, paralajmërime për mosnjohje të rezultatit kanë dhënë si nga VMRO-DPMNE, po ashtu edhe partia shqiptare në pushtet BDI, e që këto paralajmërime i kanë bazuar në rëndësinë e përqindjes që do të dalin nga regjistrimi, ku përfshihen edhe të drejtat e një bashkësie. Nga VMRO-DPMNE këmbëngulin se shqiptarëve iu është dhënë garancë nga Zaevi se do të dalin mbi 30%, ndërsa Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar se kjo parti nuk do ta njeh rezultatin e regjistrimit nëse shqiptarët dalin nën 20%. Nga paralajmërimet e tilla del në pah edhe politizimi i së njëjtës.
Regjistrimi në Maqedoninë e Veriut është më i politizuar se askund tjetër, sepse nga vetë Kushtetuta – të drejtat e bashkësive etnike fitohen në bazë të përqindjes së tyre. Dhe duke e pasur parasysh këtë, është shumë e qartë se nëse numri i një bashkësie rritet, të drejtat e tyre do të duhet të rriten, dhe kështu të ndryshon dhe politikbërja në Maqedoninë e Veriut. Dhe, njohësit e proceseve politike në vend thonë se ky politizim i regjistrimit burimin e ka nga Kushtetuta e vendit, sepse të drejtat e bashkësive etnike fitohen në bazë të përqindjes së tyre. Sipas tyre, kjo tregon se vendi jonë ka demokraci të brishtë, pasi në shtete normale dhe të zhvilluara – të drejtat e qytetarëve nuk maten me numra, por me funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës ku çdo qytetarë do të ndjehet si pjesë e sistemit të shtetit, i pa diskriminuar dhe i barabartë.
Bardhyl Zaimi, analist, thotë se ka një tendencë nga disa subjekte politike për ta politizuar çështjen e regjistrimit, që ta kthejnë nga rrafshi i metodologjive objektive rigorozisht të përcaktuara në një arenë mobilizimesh populiste. Sipas tij, janë parti të opozitës maqedonase që tentojnë ta shndërrojnë çështjen e regjistrimit në një kauzë për përfitime politike, duke akuzuar për marrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit për përqindje paraprakisht të dakorduar. “Me gjasë ky politizim do të vazhdojë për të krijuar një lloj mosbesimi ndaj procesit të regjistrimit. Sidoqoftë, përveç dimensioneve tjera që ndërlidhen me praninë autentike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriut, çështja e regjistrimit ndërlidhet edhe me definimin problematik dhe nënçmues të shqiptarëve në kushtetutë si 20 përqindësh, që mbetet një problem real për t’u zgjidhur. Dikush gabimisht i kupton të drejtat e shqiptarëve dhe ardhmërinë dhe kohezionin shtetëror nën hijen e përqindjeve, të japësh apo të marrësh të drejta. Ky nuk duhet të jetë një koncept në ndërtimin e shtetit për shkak se shqiptarët janë entitet historik, kulturor dhe gjuhësor që kanë legjitimitet historik dhe të drejtat e tyre burojnë nga kjo premisë pranie të padiskutueshme historike dhe bashkë me këtë edhe premisë e ndërtimit të një shteti të përbashkët evropian me paradigmat tashmë të njohura të interkulturalitetit”, ka theksuar Zaimi duke shtuar se ky fakt pastaj determinon idenë e objektivitetit pa asnjë politizim të regjistrimit në funksion të projeksioneve kulturore, arsimore, ekonomike dhe përgjithësisht demokratike.
“Pra regjistrimi duhet të jetë me të gjitha premisat një operacion objektiv për të nxjerrë numrin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut përtej tendencave për politizim. Mbetet të shihet nëse kësaj radhe do të arrihet që përfundimisht të kemi një regjistrim të besueshëm jashtë lojërave të zakonshme politike”, ka deklaruar për KOHA, Bardhyl Zaimi, analist .
Partitë e koalicionit opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë garanca se regjistrimi do të jetë i besueshëm dhe rrjedhimisht i pranueshëm, duke kërkuar që të mos përsëritet regjistrimin i vitit 2011 që ishte ndërprerë pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive lidhur me mënyrën e realizimit, në veçanti regjistrimin e diasporës. Ndërkaq, analisti politik Blerim Hyseni thotë se regjistrimi nuk duhet politizuar si proces statistikor por sipas tij te ne si çdo gjë që merr prapavijë politike i tillë po tentohet të shndërrohet edhe ky operacion. Hyseni është skeptik se kërkesat e etnitetit shqiptarë do të rriten pas regjistrimit, por është decid ku thotë se do të ndryshojë qasja e subjekteve politike të kampit maqedonas.
“Nuk mendoj që kërkesat e shqiptarëve do të rriten por vlerësoj që qasja e subjekteve politike maqedonase do të ndryshojë, që mos të ndodh kjo, VMRO del me pretendimin që nuk do e njohë rezultatin. Shqiptarët, maqedonasit dhe të tjerët askush s’mund t’i shtoje e as t’i pakësoje aq sa janë duhet të regjistrohen dhe njëherë e përgjithmonë të mos bëhet politikë me shifrat e numrit të popullsisë. Fatkeqësisht veprimet e këtilla të VMRO-DPMNE krijojnë përshtypjen se kjo qasje është në koordinim me LSDM në mënyrë që kjo e fundit bën regjistrim si kërkesë e institucioneve ndërkombëtare ndërsa VMRO-DPMNE nuk e njeh për shkak të nevojave të brendshme politike përballë shqiptarëve dhe tjerëve në Maqedoni”, ka deklaruar për KOHA, Blerim Hyseni, analist.
“Një shtet dhe shoqëri për të gjithë” që proklamon establishmenti politik në vend, nuk duhet t’i ndajë qytetarët sipas shifrave që do të dalin nga regjistrimi? Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.1% shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare ndër vite. Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
NUMËRIMI DO TË NIS MË 1 PRILL
Regjistrimi do të kryhet në periudhën nga 1 deri në 21 prill 2021, sipas situatës më 31 mars 2021, në ora 24:00, që do të konsiderohet një moment kritik i regjistrimit. Me regjistrimin do të mblidhen të dhëna për popullsinë, amvisëritë dhe banesat në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë regjistrimit, do të kryhet regjistrimi në terren dhe do të përdoren në të njëjtën kohë të dhënat e mbledhura nga ana e MPB-së nga baza e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MSHIA të dhëna të përfshira në regjistrin e popullsisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MASH nga të dhënat për nxënësit e regjistruar në shkollat fillore dhe të mesme në vitin aktual shkollor, nga MPPS nga të dhënat për personat shfrytëzues të të drejtave të të ardhurave sociale në të gjitha kategoritë, nga Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga të dhënat për aktivitetin ekonomik të personave, nga DAP nga të dhënat për personat që kanë të ardhura dhe për të cilat paguhet tatim për të ardhurat personale, nga FSPIMV- Fondi i sigurimit pensional dhe invalidor i Maqedonisë nga të dhënat për përfituesit e pensionit për të gjitha bazat , nga Drejtoria për udhëheqje të librave amë, të dhënat nga librat amë të të lindurve, të vdekurve dhe personave të martuar, nga Agjencia e Kadastrës së Pasurisë së Patundshme nga të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme dhe lëvizjet e tyre, si dhe nga Enti shtetëror për statistikë nga të dhënat nga hulumtimet statistikore për studentët e regjistruar në studime universitare (cikli i parë) në fakultete dhe shkolla të larta profesionale në vitin akademik, si dhe të dhëna nga hulumtimet statistikore për ngjarjet jetësore dhe nga Regjistrin Statistikor i Bizneseve. (koha.mk)