Në Maqedoni, që nga pavarësia e këndej, amnistia në të shumtën e rasteve është aktivizuar kur në vepra penale kanë qenë të inkriminuar persona të përkatësisë etnike maqedonase, ndërkohë kur u është bërë e padrejtë shqiptarëve, ky mekanizëm nuk ka funksionuar
Destan JONUZI
Shkup, 5 dhjetor – Vettingu në gjyqësor dhe polici janë dy temat kryesore aktuale në politikën vendore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të diskutojë pas tri viteve për kushtetutshmërinë e nenit 11-a të Ligjit për falje, i cili është miratuar në vitin 2016, e që i mundësojë Presidentit Gjorge Ivanov të tërheq vendimin për “falje të përgjithshme politike”, ka shkaktuar reagime të shumta. Partitë politike pa përjashtime janë shprehur kundër faljeve, ndërkohë që qytetarët dyshojnë në qëllimin e mirë të politikës dhe institucioneve mbi këtë çështje, madje ata janë të mendimit se shteti po e mbron krimin.
MOSNDËSHKUESHMËRIA E KRIMIT, QASJE E GABUAR E SHTETIT
“Shteti ynë është shtet i kriminalitetit të lartë. Krimi është futur në çdo sferë të shoqërisë. Ai është shndërruar në një kategori me ‘vlerë’, e jo si një e keqe ndaj të cilës duhet të luftojmë. Edhe qytetarët e rëndomtë kur bisedojnë – nuk e dënojnë kriminalitetin, nga ana tjetër nuk kemi opinion kritik ndaj atyre që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Amnistia e përgjithshme është tjetër gjë, por në raste kur ka ndikim politik për shkak se ndonjëra nga partitë vlerëson se aktivistët e saj e kanë shkelur ligjin dhe duhet t’u falet dënimi, kjo nxjerrë në pah bashkëpunimin e krimit, lobi biznes grupeve dhe politikës. Edhe pushteti nuk është imun ndaj këtyre ndikimeve”, deklaroi për KOHA, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Eksperti juridik, Naser Ziberi vlerëson se kjo qasje është një politikë e gabuar e shtetit në kuptim të mosndëshkueshmërisë së krimit, pasi që siç shprehet ai, në këtë rast në mënyrë të drejtpërdrejtë nxiten kryesitë e veprave për të shkelur ligjin. “Kjo është politik e gabuar e shtetit në kuptim të mosndëshkueshmërisë së kryerësve të veprave penale, sepse në këtë mënyrë drejtpërdrejtë stimulohet vazhdimi dhe nxitja e kryerësve të veprave penale. Kur kryerësi i veprave penale e din që në fillim se edhe mund me një ligj për amnisti, me një vendim për falje, ti ik përballjes së ndëshkimit dhe përgjegjësisë para ligjit, atëherë stimulimi është më i madh”, deklaroi për KOHA, Naser Ziberi, ekspert juridik. Ai thekson se në Maqedoni që nga pavarësia e këndej, amnistia në të shumtën e rasteve është aktivizuar kur në vepra penale kanë qenë të inkriminuar persona të përkatësisë etnike maqedonase, ndërkohë kur u është bërë e padrejtë shqiptarëve në mënyrë ashiqare, siç thotë ai, ky mekanizëm nuk ka funksionuar. “Për vepra ku të dënuar janë persona të nacionalitetit shqiptar, kjo nuk mundësohet, e keni rastin e Kumanovës. Nga këtu edhe dyshimet se ka qasje të dyfishtë në përdorimin e kësaj kompetence edhe nga Parlamenti për mes amnistisë dhe Presidenti për mes faljes. Kur janë në pyetje qytetarë të një përkatësie etnike – merren vendime tjera, ndërsa kur janë në pyetje qytetarë të përkatësisë tjetër, në këtë rast shqiptarë, kjo punë nuk bëhet”, thekson Ziberi.
GJASHTË AMNISTI PA ASNJË EFEKT
Ndryshe, Ligji i parë për amnisti është miratuar në vitin 1991, kur ishin të amnistuar të burgosurit dhe personat me akt-gjykime në fuqi, si dhe personat të cilët ishin të dënuar e që nuk kishin filluar ende të vuajnë dënimin me burg. Amnistia e dytë është miratuar në vitin 1999, ndërsa kishte të bën me kryerës të veprave me të cilët është shkaktuar “urrejtje fetare, nacionale” etj. Ky ligj ishte pjesë e Marrëveshjes politike midis partnerëve të atëhershëm të koalicionit, VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, me të cilin ligj për amnisti u liruan nga vuajtja e dënimit kryetarët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani, si dhe aktivistët dhe themeluesit e Universitetit Të Tetovës (UT).
Ligji i tretë për amnisti është miratuar në vitin 2002, si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, me të cilin lirohen nga ndjekja penale dhe nga vuajtja e dënimit me burg pjesëtarët e UÇK-së, të cilët në mënyrë direkte morën pjesë në konfliktin e vitit 2001. Në vitin 2003 është miratuar ligji i katërt për amnisti, i cili ka qenë i rishikuar në vitin 2004 dhe në të janë përfshirë qytetarët të cilët kanë ju shmangën shërbimit ushtarak dhe ushtarët të cilët ikën nga kryerja e shërbimit ushtarak.
Ndërkaq, më 15 janar të vitit 2018, Parlamenti për herë të pestë votoi Ligj për amnisti me të cilin u ulën dënimet me burg disa të burgosurve. Me këtë ligj u liruan nga vuajtja e dënimit me burg persona të dënuar deri në 6 muaj burg. Ndërsa, ata të cilët ishin të dënuar me dënim me burg më shumë se 6 muaj, lirohen për 30 për qind nga dënimi i përgjithshëm. Ky ligj nuk i përfshinte personat të cilët janë të dënuar me dënim të përjetshëm, për veprat penale vrasje, përdhunim, pedofili, terrorizëm, vepra kundër shtetit, kundër rendit dhe qetësisë publike, për veprat penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.
Por, deputetët më 18 dhjetor të vitit 2018, si pjesë e marrëveshjes për “Pajtim” midis pushtetit dhe opozitës për herë të gjashtë e kanë votuar ligjin për amnisti me të cilin lirohen nga ndjekja penale, ndërpriten procedurat e filluara gjyqësore dhe plotësisht lirohen nga vuajtja e dënimit me burg personat për të cilat ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale lidhur me ngjarjet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë që ndodhën më 27 Prill të vitit 2017.
Mirëpo, dispozitat e këtij ligji nuk kanë të bëjnë për personat e dyshuar, të akuzuar, të dënuarit me vendime gjyqësore që janë në fuqi dhe për persona, të cilët vuajnë dënimin me burg për ngjarjet e “27 Prillit”, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë marrë pjesë në përgatitjen ose organizimin e ngjarjeve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë ose janë dënuar për vepër penale të cilat nuk saktësohen në këtë ligj. (koha.mk)