Shkup, 8 korrik – Politikanët në pozitat më të larta kanë përgjegjësi më të madhe dhe duhet të tregojnë se janë për të ardhmen e këtij shteti dhe gjeneratave të ardhshme, vlerësojnë kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ata i bëjnë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që ta nënshkruajë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Greqinë dhe të mos e bllokojë procesin, pasi rruga e vetme për Maqeodninë është anëtarësimi i plotëfuqishëm në NATO.
“Nëse presidenti ynë Gjorge Ivanov sërish nuk e nënshkruan Marrëveshjen për emrin me Greqinë, atëherë do të ketë referendum, i cili do të mbahet në fund të shtatorit, respektivisht në fillim të tetorit”, deklaroi Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë bullgare BGNES në margjinat e Samitit të RP të Kinës me vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore, që dje u mbajt në Sofje.
Zaev thotë se politikanët do të duhet ta respektojnë votën e popullit dhe shpreson se presidenti Ivanov do ta nënshkruajë marrëveshjen.
“Ai që duhet të votojë, do të votojë, e ai që duhet të nënshkrujë, do të nënshruajë, për këtë u shërbejmë qytetarëve”, tha kryeministri i Maqedonisë.
Ivanov, sipas Zaevit, nuk mund ta bllokojë procesin. “Nëse nuk e nënshkruan tani, duhet ta bëjë atë pas referendumit”, shtoi ai.
Në pyetjen nëse do të ketë impiçment të presidentit, nëse ai nuk e nënshkruan Marrëveshjen, Zaev u përgjigj se të gjitha opcionet janë të mundura dhe sërish theksoi se rruga e vetme për Maqedoninë është anëtarësimi i plotëfuqishëm në NATO, ndërsa të njëjtën e mendojnë edhe shumica e qytetarëve të Maqedonisë.
Sipas ministrit Spasovski, kjo periudhë është shumë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë që të ec përpara dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së si partner dhe aleat.
“Pas shumë viteve ngecje në vend, qytetarët e kanë mundësinë historike që t’i ndihmojnë Maqedonisë, vetvetes dhe fëmijëve të tyre. Me këtë Republika e Maqedonisë do të ketë prosperitet ekonomik, do të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe do të ndajë vlera të njëjta me qytetarët e BE-së. Këto procese askush nuk duhet t’i pengojë që të realizohen interesat kombëtare – anëtarësimi në NATO dhe BE”, deklaroi Spasovski gjatë vizitës në Gostivar.