Iu desh Janevës gati një muaj të shëtitet poshtë e lartë, të fshijë atë çka mund të fshihet nga kompjuterët, të humbasë telefonin celular dhe krejt në fund dikujt nga Prokuroria e shtetit të teket ta arrestojë atë. Çfarë akuze mund të ngrihet ndaj asaj, që do ta bënte atë fajtore kryesore të një afere që assesi të mbyllet? A mobiljet e dhuruara mund të na mashtrojnë se janë prova më e rëndë korruptive?
Nga Emin AZEMI
Reformimi i sistemit të drejtësisë po tregohet se është kryesfida e klasës politike. Por kjo detyrë e vështirë është kuptuar se mundet të bëhet pjesërisht. Prangosja e Katica Janevës është vetëm gjysma e rrugës që duhet ta bëjnë ata që mendojnë të marrin vlerësim pozitiv në Bruksel sa i përket funksionimit të sistemit të drejtësisë. Nën hijen e kësaj prangosjeje kanë ngelur mijëra njolla të cilat nuk mund të fshihen me veprime të pjesshme. Më së paku jo me veprime që në vend se të hapin hetime të reja, ato i mbyllin, duke i adresuar problemet vetëm në çështje teknike procedurale.
Sistemi i këtushëm i drejtësisë nuk ka vuajtur nga mangësia e procedurave dhe rregullave të shkruara në letër, por nga vendosja e mbrapsht e standardeve të punës. Iu desh Janevës gati një muaj të shëtitet poshtë e lartë, të fshijë atë çka mund të fshihet nga kompjuterët, të humbasë telefonin celular dhe krejt në fund dikujt nga Prokuroria e shtetit të teket ta arrestojë atë. Çfarë akuze mund të ngrihet ndaj asaj, që do ta bënte atë fajtore kryesore të një afere që assesi të mbyllet? A mobiljet e dhuruara mund të na mashtrojnë se janë prova më e rëndë korruptive? Ide e kujt ishte që ajo gjatë gjithë kësaj kohe të lihet e lirë, ndërkohë që të gjitha rrugët e dyshimit shpinin nga ajo.
Rasti i Katica Janevës tani, por më herët edhe i Nikolla Gruevskit, ilustrojnë më së miri mjerimin në të cilin ndodhet sistemi ynë i drejtësisë. Vetëm tani po shihet se ngritja gabimisht e këtij sistemi është bumerang për ata që një kohë mendonin se do të jenë imun ndaj deformimeve që i sjell politikbërja e keqe.
Në shtetet me deficite demokratike institucionale e vendimmarrëse, gjithmonë janë krijuar aleanca të fshehta në mes të sistemit të drejtësisë dhe politikanëve. Këta të fundit nuk kanë dashur të ngrenë institucione kredibile të drejtësisë, sepse kanë qenë shumë të vetëdijshëm se ata do të mund të jenë klientët e parë të atyre institucioneve.
Rastet e fundit te ne po e provojnë gabimin që politikanët e kanë bërë kur kanë tentuar ta fusin në dorë komplet sistemin e drejtësisë. Po vërtetohet se ata kanë qenë të suksesshëm në këtë tentativë, por janë treguar naiv kur kanë menduar se do të kontrollojnë turli matrapazi dhe turli sekseri.
Afera e fundit nxori në dritë të diellit defektin sistemor në gjyqësorin e këtushëm, por edhe moralin e tejdukshëm të politikës për të shtri ndikimin në të gjitha poret e jetës publike. Nëse politika do ta ëndërronte veten një ditë të liruar nga këto budallallëqe, do të duhej të vendos me guxim standarde që përkufizojnë qartë autonominë e sistemit të drejtësisë, i cili do të garantonte edhe më shumë shëndet moral për politikën dhe institucionet e shtetit.
Në të kundërt, gangrenizimi si proces patologjik mund të nxisë edhe më tej erozionin moral të politikës. (koha.mk)