Në vendin tonë, mbi 40% e të anketuarve janë përgjigjur që “me siguri të plotë” nuk do të vaksinohen, derisa edhe mbi 10% kanë theksuar se “me shumë mundësi” nuk do të vaksinohen. Rreth 15% kanë theksuar se me “siguri të plotë” do të vaksinohen, 20% “me shumë mundësi” do të vaksinohen dhe 10% nga të anketuarit “ende nuk kanë vendosur” çfarë të bëjnë. Përplasjet pozitë-opozitë akoma më shumë po e rrisin skepticizmin te qytetarët, të cilët haptas deklarojnë se nuk dëshirojnë të vaksinohen
Xhenur ISENI
Shkup, 21 janar – Maqedonia e Veriut mbetet vendi i vetëm në rajon së bashku me Kosovën që ende nuk kanë arritur të sigurojë vaksinat e para, ndërkohë që debati mes pushtetit dhe opozitës për këtë çështje vazhdon të jetë i nxehtë, por pa ndonjë epilog. Më shumë se gjysma e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut besojnë në teoritë konspirative lidhur me koronavirusin, ndërsa po aq refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19, shkruan gazeta KOHA. Njëjtë është edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, tregoi hulumtimi i opinionit publik në vendet nga Ballkani Perëndimor, të cilën para një muaji e publikoi rrjeti BEPAG (Balkans in Europe Policy Advisory Group).
Në vendin tonë, mbi 40% e të anketuarve janë përgjigjur që “me siguri të plotë” nuk do të vaksinohen, derisa edhe mbi 10% kanë theksuar se “me shumë mundësi” nuk do të vaksinohen. Rreth 15% kanë theksuar se me “siguri të plotë” do të vaksinohen, 20% “me shumë mundësi” do të vaksinohen dhe 10% nga të anketuarit “ende nuk kanë vendosur” çfarë të bëjnë. Përplasjet pozitë-opozitë akoma më shumë po e rrisin skepticizmin te qytetarët, të cilët haptas deklarojnë se nuk dëshirojnë të vaksinohen.
PËRGJIGJET DUHET TË VINË NGA MJEKËT
Përgjigjen për krizën shëndetësore duhet ta japin mjekët, personat medicinal, hulumtuesit etj. Derisa këto përgjigje i jep politika, deri sa në vazhdimësi po diskutohet dhe po kemi konfrontime pushtet-opozitë, kështu do të kemi probleme, thotë Berat Azizi, opinionist. “Në anën tjetër mjekët, të cilët janë të vetmit që mund të flasin për pandeminë sepse janë më të thirrur në këtë drejtim, duhet të nisin një fushatë sensibilizuese dhe të informojnë qytetarët në lidhje me pandeminë, vaksinat, pasi tashmë në treg janë shumë lloje, efektin e tyre, sa imunitet do të krijonin dhe këtë duhet ta bëjnë duke larguar politikën nga vetja”, potencon Azizi. Ai mes tjerash thotë se qytetarët me të drejtë sot për pandeminë më shumë u besojnë mjekëve dhe atyre që e kanë përjetuar se sa politikës e cila në shumë raste nuk është treguar efikase.
“Pra lufta me pandeminë kërkon një angazhim të mjekëve dhe të gjithë neve që duhet të respektojmë rekomandimet e institucioneve shëndetësore duke lënë anash politikën dhe kjo mund të çojë në një përmirësim të situatës me pandeminë. Tani është koha e mjekëve të nisin fushatë sensibilizuese për vaksinat”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, opinionist. Në ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev kumtoi se të paktën 8.000 vaksina nga prodhuesi “Fajzer” Republika e Serbisë u ka ofruar qytetarëve të RMV-së, ndërsa po negociohet edhe për vaksina të tjera. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe gjithashtu informoi se sistemi shëndetësorë është tërësisht i përgatitur për vaksinimin dhe në shkurt pritet që të arrijnë dozat e para nga “Frajzer” dhe “Kovaks”. Maqedonia e Veriut ka fituar dy frigoriferë special për ruajtjen e vaksinave të Frajzer kundër Covid-19, të cilat duhet të ruhen në temperaturë -70 gradë celsius. Ka plan për distribuimin e vaksinave, për identifikimin e grupeve kritike sipas prioritetit. Janë të përgatitura edhe shtëpitë shëndetësore dhe Qendrat për shëndet publik në gjithë shtetin që ti marrin dhe aplikojnë vaksinat, informoi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Gjatë muajit shkurt priten vaksinat e para nga Frajzer edhe atë 5850 doza, ndërsa pastaj edhe 17.500 doza tjera në muajin mars dhe prill. Filipçe paralajmëroi se në shkurt do të arrijnë edhe vaksinat përmes mekanizmit KOVAKS, për të cilat është bërë pagesa dhe është siguruar një garanc. Komplet sasia e vaksinave përmes këtij mekanizmi për shtetin tonë është 833.000 doza. Sipas planit, së pari do të vaksinohen punonjësit shëndetësor të cilët punojnë me pacientë të infektuar me covid, të punësuarit në laboratorit ku po bëhet diagnostikimi, personat me nevoja të veçanta dhe personat e moshuar nga grupet mbi 70 vjeç që kanë morbiditete. Në grupin e dytë janë punonjësit tjerë shëndetësor, mësimdhënësit, të punësuarit në çerdhe, gazetarët dhe gjithashtu pacientët nga grupet tjera të moshave të cilët kanë sëmundje kronike.
DILEMA GJITHANDEJ
Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim, edhe te fqinjët ku veç më ka filluar vaksinimi, teoritë konspirative po i groposin përpjekjet e autoriteteve shëndetësore që të vaksinojnë sa më shumë njerëz. Dhe për këtë shkak politikanët nga vendet fqinje, por edhe shumë persona me ndikim në botë u vaksinuan para kamerave që t’i inkurajojnë qytetarët që të vaksinohen. Mjeku Ylber Sejfedini thotë se për të rritur besueshmërinë e qytetarëve që të marrin vaksina, Qeveria duhet të inicon fushatë në të cilën do t’i kishte kyçur mjekët më me autoritet dhe të besueshëm te popullata. Sipas tij fushata duhet të ketë karakter gjithëpërfshirës në shoqëri ku do të kishin marrë pjesë edhe faktorë tjerë relevant për ngritjen e vetëdijes qytetare lidhur me krizën shëndetësore.
“Fushata për sensibilizimin e popullatës lidhur me vaksinimin duhet të organizohet njëherit nga vet qeveria duke i kyçur mjekët me autoritet dhe të besueshëm mes popullatës si dhe mjeket që një kohë të gjatë kanë punuar në kovid qendrat dhe pse jo edhe faktorët tjerë relevant në shoqëri siç janë sociologët, psikologët dhe profesionalistët tjerë me qëllim që fushata të ketë një karakter gjithëpërfshirës në shoqëri. Këtu duhet përmendet edhe spotet e stilizuara mirë që do të transmetoheshin në eterin televiziv dhe në gjitha masmediat me qëllim të krijimit të një klime të mirë dhe të përshtatshme për imunizimin e popullatës”, ka deklaruar për KOHA, dr. Ylber Sejfedini.
Ndryshe, Agjencia Asoshijedet Pres në një analizë të publikuar gjatë vikendit potencon se teoritë konspirative po i groposin fushatat për vaksinim në Ballkan. Në Serbi, e cila ka mbi shtatë milion popullsi, afro 300 mijë njerëz janë paraqitur se do të marrin vaksinë. Në Bullgari, anketat atje sugjerojnë se mosbesimi ndaj vaksinave mbetet i madh edhe atëherë kur rastet me coronavirus vazhdojnë të rriten, pas së cilës mjekët bullgar tentuan që t’i ndryshojnë qëndrimet. Dr. Konstantinov, ish-ministër i Shëndetësisë, në një deklaratë ka bërë shaka duke thënë se njerëzve duhet të i’u thuhet se Greqia fqinje do t’i mbyll pushimoret për turistët të cilët nuk janë të vaksinuar, sepse “kjo do të garanton se rreth 70% nga popullsia do të përshpejton të merr vaksinë”. Trende të tilla janë vërejtur edhe në disa vende tjera të BE-së. Që të krijohet imunitet kolektiv, nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) thonë se është e duhur të vaksinohen 70% e popullsisë. (koha.mk)