Shpesh politikanët i dëgjojmë të thonë se duhet edhe lavdëruar kur bëhen punët, është një trend i ri ky i retorikës politike te ne, ku pranohen gabimet por ama kërkohet hapur që haku mos të hahet. Megjithatë, veprimi ynë duhet të jetë vigjilenca. Kujdesi se cilat janë taktizimet dhe pse vinë veprime të caktuara nga politika? Kjo s’duhet të kthejë elektoratin në paranojak, por në të kujdesshëm. Ky do ishte dhe presioni më i fortë ndaj politikës
Nga Nazim RASHIDI
Në Shkup, revista prestigjioze “The Economist” organizoi një samit për Ballkanin Perëndimor me titull, “Rifuqizimi i momentit për integrimin Evropian”. Në samit folës ishin emra potentë të politikës evropiane dhe globale, ndër të cilët, ish kryeministri grek Aleksis Cipras, Wess Mitchell, ish asistent i sekretarit amerikan të shtetit për Evropën dhe Evroazinë, por përshtypje, të paktën për mua bëri më shumë Martin Schulz, ish kryetari i Parlamentit Evropian dhe ish lider i Partisë Social Demokrate në Gjermani. Absolutisht pa qime në gojë, duke qenë i çliruar nga barra e posteve dhe tashmë duke mbajtur atë “ish” përpara, tha diçka që të bën të mendosh se si duket dhe si duhet parë politika. Tek shpjegonte një moment, ndodhi një ngatërresë me fjalën “teknike” dhe “taktike”.
Martin Schulz tha se politika e ditëve të sotme (me gjasë edhe ajo që ka bërë edhe ai vetë) është “taktike”. Ku politikanët s’kanë guxim për të bërë më të mirën, por duke pasur presionet se duhet me çdo kusht të mbeten në pushtet, “taktizojnë”. Kjo nuk sjell asnjëherë më të mirën, por me gjasë vetëm sjell vazhdimin e qeverisjeve. Martin Schulz tregoi për një bisedë që kishte pasur me David Cameron, ish kryeministri britanik, i cili lejoi Referendumin nëse Britania e Madhe duhej ose jo që qëndronte ne BE. Këtë Cameron e bëri që të mbeste në pushtet dhe ky ishte një premtim që ai ia kishte dhënë pjesëtarëve të partisë së tij, të krahut anti-evropian. Schulz tha se e kishte pyetur Cameron-in se pse e bënte Referendumin, kur e dinte se një gjë e tillë nuk ishte as në të mirë të Britanisë, as në të mirë të njerëzve, e as në të mirë të vetë BE-së. Përgjigja e Cameron-it kish qenë, siç tha Schulz: “…ahh këta janë konservatorët budallenj. Duhet t’ju jap diçka që të mbes në pushtet”.
Kjo histori e ardhur nga një politikan karriere, i cili për tre dekada ka punuar në institucionet evropiane, por dhe lider i rëndësishëm në Gjermani, zbërthen politikën dhe si duhet ta shohim atë. Këto janë shembuj që vinë nga fuqia e të qenit “ish”, por kur thuhen hapur, duhet mësuar prej tyre. Ky shembull, i “taktizimit” i silloi një lëkundje të madhe Evropës. Britania e Madhe është ende në një gjendje të paqartë, ndërkohë BE ende “taktizon” mes interesave të vendeve dhe të asaj vetë. E tillë është politika edhe tek ne. Përplot taktizime dhe intriga, për të mbajtur pushtetin.
Por kur zbulohen hijet e politikës si rasti i shpjeguar nga Schulz, ne, të vdekshmit e zakonshëm, duhet të mësojmë se pas deklaratave dhe veprimeve të mëdha, pas deklaratave pompoze, shpesh duhet të shohim përtej. Ose nga ana tjetër, gjithmonë edhe gjykimet tona për politika dhe veprime duhet ti shohim nëse janë në të mirën tonë dhe jo to shohim përmes emocioneve që mund të jenë shkaktuar ndaj politikanëve. Dhe apo s’janë të shpeshta?
Politika përherë ka hijet e saj, dhe mbase duket e vështirë të jesh në gjendje alarmi përherë, por nuk duhet të harrojmë se në fund, ata, politikanët, ndjekin votën tonë. Në këtë kontekst dua të jap edhe një shembull që z.Schulz e dha se si ndjesitë, përshtypjet e njerëzve për politikanët, në fakt kanë ndikuar tendencat në BE. Në 2005, kur mbahej Referendumi për Kushtetutën Evropiane, njerëzit në Francë votonin kundër, sepse nuk preferonin tashmë presidentin e ndjerë francez, Jacques Chirac. Martin Schulz këtë e ilustroi me një bisedë që kishte pasur me një taksist, i cili i kishte thënë se do votonte kundër Kushtetutës së BE-së ngase ishte kundër presidentit Chirac. Çfarë mësojmë nga këto rrëfime tani të sinqerta të ish politikanëve? Se ata detyrohen për të bërë taktizimet, që më vonë edhe pse e dinë se efektet e taktizimit mund të jenë negative, sërish “detyrohen” të veprojnë në një mënyrë të caktuar për të mbajtur pushtetin.
Kjo tendencë, që sidomos u theksua në Evropë në fillim të viteve 2000, për shkak edhe të krizës ekonomike, bëri liderët evropianë të luajnë loja me çështjet evropiane në vendet e tyre. Por nëse heqim paralele të sjelljes së politikës edhe tek ne, do të nuhasim mbase një lloj, veprime plot taktikë, sjellje që edhe kopjohen si tendenca që vinë edhe nga Evropa, dhe të cilat pastaj lënë pasoja. Në fakt, tek ne ka pasur raste të tilla plot gjithashtu, ku zyrtarë të lartë, maqedonas sidomos, vite më pas kanë pranuar se si janë rrëmbyer nga reagimet e pabaza të masës e pastaj vendimet të kenë qenë të gabuara. Të tilla kanë qenë rastet me Universitetin e Tetovës, Kushtetuta e viteve ‘90 etj.
Po gjithsesi, shembujt e sjellë nga Evropa dhe të kombinuara edhe me ato të përvojave tona, shpesh të hidhura, duhet të na bëjnë më vigjilent. Meqë tani e dimë dhe po pranohet se politika ka shpesh taktizime, reagimi ynë duhet të jetë për herë i përmbajtur dhe kritik. Shpesh politikanët i dëgjojmë të thonë se duhet edhe lavdëruar kur bëhen punët, është një trend i ri ky i retorikës politike te ne, ku pranohen gabimet, por ama kërkohet hapur që haku mos të hahet. Megjithatë, veprimi ynë duhet të jetë vigjilenca. Kujdesi se cilat janë taktizimet dhe pse vinë veprime të caktuara nga politika? Kjo s’duhet të kthejë elektoratin në paranojak, por në të kujdesshëm. Ky do ishte dhe presioni më i fortë ndaj politikës. Të guximshëm për fat të keq jo përherë i bëjmë dot politikanët. Taktizimi i tyre me votën është i qartë, sepse ata do zgjedhin përherë të parin pushtetin. Të rralla janë rastet e sakrificës individuale të një politikani për një të mirë të përgjithshme. Prandaj mbetet vetëm kujdesi dhe kritika konstante, si forma e presionit të vazhdueshëm.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)