Edhe pse Serbia dominonte në Jugosllavi, prapë se prapë nuk ishte e kënaqur. Në Serbi haptas filluan të dalin filozofë, politikanë, shkrimtarë, profesorë, juristë, etj, të cilët kërkonin që në Jugosllavinë Socialiste Federative të ndryshohet – favorizohet pozita juridike-kushtetuese e Serbisë, si republikë më e madhe në Jugosllavi, e veçanërisht të zvogëlohet autonomia e krahinave, e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, ngase “krahinat paskan vepruar si shtet – në shtet”
Nga Kasam HASANI
Nëse i bëhet një vështrim historik politikës serbe ndaj popullit shqiptar, do të konstatohet se politika e Serbisë ka qenë në vazhdimësi, nëpër vite e shekuj, e njëjtë – antishqiptare dhe hegjemoniste. Çdoherë ka qenë me përmbajtje dhe aspirata serbo-madhe, pa marrë parasysh çfarë forme të rregullimit shtetëror ka patur shteti i Serbisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe pas përfundimit të saj, Serbia gjithnjë ka zhvilluar politikë hegjemoniste, agresive, nacionaliste, shoviniste, por edhe fashiste, duke tentuar gjithnjë që ajo si shtet të zgjerohet, kurse brenda në territorin e saj, me të madhe u ka vënë zullumin popullatës joserbe, duke i zhdukur e shfarosur, ose dëbuar ata nga territori i Serbisë, në vende të tjera. Këto veprime, Serbia i ka ndërmarr në bazë të planeve dhe programeve të veçanta, të përgatitura nga politikanë dhe ekspertë gjeopolitikë, apostafat (qëllimisht) të angazhuar, siç kanë qenë:
– Ilija Garashanin, i cili ka qenë historian dhe ka shkruar projektin e parë “Naçertanije”, në vitin 1844, i cili ka të bëj me dëbimin, shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike;
– Ivo Andriq, serb nga Bosna dhe Hercegovina, i cili ka qenë diplomat, Ndihmës Ministër për Punë të Jashtme në Jugosllavi, shkrimtar, të cilit në vitin 1961 i është ndarë për fat të keq çmimi Nobel për letërsi;
– Vasa Çubrilloviq, gjithashtu serb nga Bosnjë dhe Hercegovina, studimet dhe projektet e tij njihen me emrin “Dëbimet e shqiptarëve”. Për kontributin e tij në këtë drejtim është dekoruar nga organet e Mbretërisë Jugosllave, Jugosllavisë dhe Serbisë. Ka qenë ministër në Qeverinë Federative të Jugosllavisë dhe ka përgatitur projekte – memorandume edhe për dëbimin dhe shfarosjen e gjermanëve dhe pakicave të tjera nga Vojvodina gjatë Luftës së Dytë Botërore;
– Dobrica Qosiq, shkrimtar nacionalist serb, anëtar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë, në kohën e sundimit të S. Millosheviq ka qenë edhe Kryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, autor i Memorandumit për Kosovën dhe pozitën e keqe të serbëve dhe Serbëve në Jugosllavinë Federative, ka qenë i njohur si “Baba i Kombit Serb”.
Këtu duhet përmendur Konventën Jugosllave – Turke të vitit 1938 dhe Marrëveshjen xhentëlmene të vitit 1953, për deportimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Turqi, si dhe programet dhe projektet serbe për zhdukjen, shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova Lindore – Toplica, Prokuplja, Leskovci, Kurshumlia, Vranja dhe viset tjera të banuara me popullatë shqiptare, me ç’rast janë shpërngulur me qindra – mijëra shqiptarë. Përveç këtyre projekteve, shteti i Serbisë ka përpiluar edhe disa projekte të tjerë, me të cilët është paraparë kolonizimi i Kosovës me Serb dhe Malazez, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Njëjtë është vepruar edhe në kohën e Mbretërisë, kur Kryetar i Qeverisë ka qenë Nikola Pashiq, por edhe në periudhën e mëvonshme, kur Kryetar i Qeverisë ose Kryetar i Republikës kanë qenë: Ivan Stamboliq, Slobodan Millosheviq, Dushan Çkrebiq, Vojislav Koshtunica, Boris Tadiq, Ivica Daçiq, Tomislav Nikoliq apo Aleksandër Vuçiç.
Duhet veçuar vetëm politikanin e moderuar demokrat Zoran Xhinxhiq, i cili ishte Kryetar i Qeverisë së Serbisë vetëm rreth 1 vit e gjysëm, ndaj të cilit u bë atentat nga bashkëpunëtorët e Slobodan Millosheviqit dhe grupit kriminel të strukturuar “Klani i Zemunit”, në vitin 2003.
Aspiratat serbo-madhe kanë qenë të njëjta edhe ndaj fqinjëve të saj. Kështu për shembull, pas Luftës së Parë Botërore u formua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavia e Parë), në kuadër të së cilës kanë hyrë: Serbia, Kroacia dhe Sllovenia. Mali i Zi edhe pse para Serbisë ka qenë shtet i pavarur, atë në Jugosllavi, Serbia e mori pa identitet, respektivisht pa e emërtuar si shtet të veçantë. Pra, në atë Jugosllavi hynë (u gllabëruan) pa kurrfarë identiteti: Mali i Zi, Maqedonia, Sanxhaku, Kosova dhe Vojvodina. Të gjitha këto troje, fuqitë e mëdha ia lanë Jugosllavisë së Parë, si aleate e fuqive që e fituan Luftën e Parë Botërore. Këto troje i mbetën Serbisë në bazë të premtimeve dhe mashtrimeve të ndryshme serbe, e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, këto territore mbeten nën dominimin hegjemonist serb. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe formimit të Jugosllavisë së AVNO-it, në përbërje të së cilës hynë 6 republikat e atëhershme jugosllave, si dhe 2 krahinat autonome – Kosova dhe Vojvodina, të cilat ishin në përbërje të Republikës së Serbisë, por krahinat ishin edhe element konstitutiv i Federatës Jugosllave. Territori i Sanxhakut u nda në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, pa asnjë identitet politik.
Një pjesë e madhe e territorit të Sanxhakut ishte e banuar me shqiptarë. Gjatë viteve të 50-ta të shekullit 20, pushteti serb gjithashtu organizoi dëbimin dhe shpërnguljen e këtyre banorëve të besimit musliman nga Sanxhaku për në Turqi, dhe atë nëpërmes Maqedonisë. U dëbuan dhe shpërngulën me mijëra banorë të Sanxhakut dhe Kosovës. Një pjesë e kësaj popullate që u nis prej Maqedonie të shpërngulet për në Turqi, mbetën në Maqedoni pasi që u ndërpre shpërngulja për në Turqi, Kështu të njëjtët mbetën përgjithmonë të jetojnë në disa vendbanime në Shkup dhe rrethinë, Kumanovë dhe rrethinë, dhe disa fshatra të Prilepit. Programe dhe projekte të veçanta, pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë edhe për shfarosjen dhe vrasjen e shqiptarëve nëpër fronte të ndryshme, ku janë dërguar me mijëra shqiptarë dhe janë vrarë nga pushteti serb, siç kanë qenë Fronti i Sremit, Rasti i Tivarit, etj., mirëpo janë regjistruar si të zhdukur në luftë. Fatin e keq të shqiptarëve, në lidhje me dëbimin, shpërnguljen dhe shfarosjen, pas Luftës së Dytë Botërore nga ana e Serbisë, e kanë përjetuar edhe pakicat tjera në Vojvodinë, e sidomos Gjermanët – banor autokton të Banatit dhe Baçkës në Vojvodinë, të cilët kanë përbërë rreth 25% të popullatës së përgjithshme të Vojvodinës. Serbia duke shfrytëzuar luftën dhe njësitë e mobilizuara ushtarake Jugosllave (serbe), por edhe ato Sovjetike, ka dëbuar nga trojet e tyre shekullore mbi 600,000 gjerman, me arsyetimin se “paskan qenë bashkëpunëtorë të okupatorit”, kurse të tërë pasurinë e tyre të patundshme ua ka dhënë serbëve dhe malazezëve në Vojvodinë.
Në mënyrë të njëjtë, Serbia ka vepruar edhe për dëbimin e pakicave tjera nga Vojvodina, e veçanërisht me pakicën hungareze. Serbia në bashkësitë Jugosllave gjithnjë ka qenë dominante. Kështu për shembull, në vitin 1941, prej 108 gjeneralëve në Ushtrinë Çlirimtare Popullore, vetëm dy nuk kanë qenë serb (1 ka qenë kroat, kurse tjetri malazez), e dhënë e cila flet për pozitën dominante të Serbisë, dominim i cili ka qenë i vazhdueshëm.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë ekzistimit të Jugosllavisë së Titos, në të gjitha sferat e jetës përsëri ka dominuar Serbia, posaçërisht në strukturat e organeve më të larta shtetërore dhe partiake, si dhe në pjesën komanduese të Armatës Jugosllave. Ndikimi i politikës serbe haptazi ka ardhur në shprehje në marrjen e vendimeve të caktuara nga ana e organeve më të larta shtetërore, partiake dhe ushtarake, të nivelit Federativ. Serbisë shpeshherë për marrjen e vendimeve të caktuara i kanë ndihmuar edhe republikat aleate të Serbisë – Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilat ishin pothuajse në koalicion të përhershëm me Serbinë. Kësi vendimesh disa herë janë marrë edhe në dëm të Kosovës dhe popullatës shqiptare në përgjithësi.
Shumë çështje që ngriheshin në Maqedoni, si për shembull: përdorimi i flamurit kombëtarë shqiptarë në Maqedoni; përdorimi i gjuhës shqipe në administratë në Maqedoni; arsimimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe në Maqedoni; paralelet e përziera – bashkimi i paraleleve me nxënës të përzier nëpër shkolla, me nxënës maqedon dhe shqiptarë bashkë – me qellim që nxënësit shqiptarë të shkolloheshin vetëm në gjuhën maqedone, me çka nxënësve shqiptarë iu mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën amtare-shqipe; prishja e rrethojave të shtëpive me mur më të lartë mbi 110cm të oborreve të shqiptarëve në Maqedoni, Të gjitha këto vendime merreshin pas konsultimeve me Serbinë, respektivisht këto veprime së pari eksperimentoheshin në Maqedoni, e më vonë zbatoheshin edhe në Kosovë, respektivisht në Serbi. Edhe pse Serbia dominonte në Jugosllavi, prapë se prapë nuk ishte e kënaqur. Në Serbi haptas filluan të dalin filozofë, politikanë, shkrimtarë, profesorë, juristë, etj, të cilët kërkonin që në Jugosllavinë Socialiste Federative të ndryshohet – favorizohet pozita juridike-kushtetuese e Serbisë, si republikë më e madhe në Jugosllavi, e veçanërisht të zvogëlohet autonomia e krahinave, e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, ngase “krahinat paskan vepruar si shtet – në shtet”. Në kohën e Jugosllavisë së Titos, Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë Aleksandër Rankoviçi, vitet e 60-ta të shekullit 20, kur është zbatuar program i posaçëm – “Aksioni i armëve” që ka patur për qëllim shqiptarët të maltretohen në mënyrat më brutale, kinse me qëllim të konfiskimit të armëve, megjithëse shqiptaret nuk posedonin armë. Nga këto tortura dhe ky represion shtetëror shumë shqiptarë i kanë braktisur vendbanimet e tyre dhe janë shpërngulur për në Turqi. E si gjithmonë, prona e patundshme e shqiptareve te shpërngulur u është dhënë serbëve dhe malazezeve, nga ana e pushtetit serb.
Në vitin 1986, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, aprovoi programin serb për dëbimin e shqiptarëve nga Serbia. Ky program me vone u emërtua si Programi Jugosllav për Kosovën dhe u shpall në “Gazetën Zyrtare”, në vitin 1990. Sipas këtij projekti, kushdo që dëshironte mund të shkonte dhe jetonte në Kosovë, e atyre të interesuarve ju siguroheshin beneficione të mëdha. Ky program kryesisht kishte për qëllim ndryshimin e strukturës nacionale në Kosovë, respektivisht të favorizohen Serbët dhe Malazezët. (KOHA.MK / vijon nesër)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)