Politika serbe dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës

96

Vdekja e kryetarit të RSF të Jugosllavisë, J. B. Tito, në maj të vitit 1980, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, kriza ekonomike, si dhe kriza globale e socializmit, ishin paralajmërime të një jostabiliteti për RSF të Jugosllavisë, shkruan Koha Ditore.

Mbi krizën politike dhe ekonomike, strukturat partiake dhe shtetërore filluan hapur të flisnin që në mandatin e kryetares së Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, Milke Planinc (1982-1986).

Rëndësi iu dha problemeve ekonomike, të cilat lidheshin me borxhin e madh të jashtëm, rënies së prodhimit, papunësisë dhe inflacionit. Të gjitha këto nxitën elitën serbomadhe, që të fillonte të argumentonte se kriza ishte edhe pasojë e rregullimit kushtetues e politik të Jugosllavisë, në të cilat kishte mospajtime të mëdha si ndërmjet njësive federale ashtu edhe në mes tyre e organeve qendrore në federatë.

Rrugën e ndryshimeve kushtetuese, ndonëse të kufizuara, respektivisht në ndryshime vetëm në sferën e politikave ekonomike, për të mundësuar reformat e nevojshme ekonomike, e kishte iniciuar Kryesia e RSF të Jugosllavisë, në vitin 1986.

Mirëpo, kryetari i Kryesisë së RS të Serbisë, Petar Stambolliqi, doli me propozimin që të bëhen ndryshime në preambulën e Kushtetutës federative, që kishin të bënin me statusin kushtetues të dy krahinave, pra të Vojvodinës dhe të Kosovës, si dhe të raporteve të tyre me Serbinë. Në të vërtetë, serbët insistonin që të ndryshonin nenin 1 të Kushtetutës së RSFJ-së, në të cilën theksohej se Federata Jugosllave përbëhej nga gjashtë republika dhe dy krahina, por që njëkohësisht ishin edhe në përbërje të RS të Serbisë.

Politikbërësit serbë synonin, që në ndryshimet kushtetuese të theksohej se krahinat ishin pjesë e Serbisë, por jo edhe të Federatës Jugosllave. Dhe, ashtu siç shkruan Azem Vllasi në librin e tij: “Kosova: Fillimi që nuk harrohet”, Hamdija Pozderac, anëtari i Kryesisë së RSFJ-së, si dhe kryetari i Grupit Punues për Ndryshimet Kushtetuese, strukturave politike të Kosovës u kishin premtuar se propozimet që nuk do të pranoheshin nga Kosova dhe Vojvodina nuk do të kalonin.

Comments are closed.